Lidhje

Rama: Nuk tërhiqemi nëse transparenca nuk realizohet

  • Laura Konda

Rama: Nuk tërhiqemi nëse transparenca nuk realizohet

Rama: Nuk tërhiqemi nëse transparenca nuk realizohet

Në Nju Jork, në selinë e OKB-së, u zhvillua dje dhe sot takimi i internacionales socialiste, në të cilën mori pjesë edhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama. Zoti Rama, merr pjesë në këtë takim ndërsa në Shqipëri ende vazhdojnë mosmarrëveshjet mbi zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar. Ndërsa po mbushet gati një vit, hetimi i këtyre ka qënë kryefjala e opozitës. Për një kohë të gjatë përballja e PS-së me shumicën mbeti gati një çështje e brendshme e politikës shqiptare, derisa në muajin maj, përshkallezimi i situatës solli ndërhyrjen e dy figurave të rëndësishme të parlamentit europian. Por as kjo përpjekje nuk solli rezultat. Për të diskutuar se cili do të jetë qëndrimi i ardhshëm i opozitës, Zëri i Amerikës e intervistoi drejtëpërdrejt zotin Rama nga selia e OKB-së në Nju Jork.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, zyrtarët evropianë u shprehën se tashmë mosmarrëveshja u takon vetë shqiptarëve për ta zgjidhur. Por në një letër që ju i dërguat dje zoterinjve Daul dhe Schulz, ju ende shpresoni në ndërhyrjen ndërkombëtare. Po vetë opozita çfarë qëndrimi do të mbajë për këtë çështje?

Edi Rama: Nuk di kujt i referoheni kur thoni për çka u shprehën ndërkombëtarët, por unë i referohem gjithë kësaj përpjekjeje të gjerë që po zhvillohet nga ana e komunitetit ndërkombëtar, për t’i dhënë një ndihmë dhe një mbështetje Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit, që kalon pa dyshim nga zgjidhja e kësaj krize politike që rëndohet përditë, duke rënduar përditë në të gjithë sektorët e jetës së vendit dhe duke ndikuar përditë në jetën e shqiptarëve, duke filluar nga jeta e tyre ekonomike, e cila nga dita ditës bëhet më e vështirë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, pas protestave gati një vjeçare të opozitës, çfarë mendoni se është arritur nga këto protesta?

Edi Rama: Opozita ka arritur ta ndërkombëtarizojë çështjen në nivelin më të lartë dhe të angazhojë të gjitha forcat që komuniteti ndërkombëtar ka në raport me vendin tonë, për një zgjidhje të drejtë të kësaj krize dhe nga ana tjetër, opozita ka bërë detyrën e saj, duke rritur ndjeshmërinë e mbarë opinionit publik, vendas dhe opinionit që lidhet me punët e vendit tonë për domosdoshmërinë e mbylljes së një epoke zgjedhjesh të deformuara, të kontestuara dhe hapjes së një epoke të re, ku zgjedhjet janë shprehja e vullnetit të lirë të popullit… Dhe përsa i takon ftesave tona, ato thjesht janë ndalur në një moment reflektimi, ku është kërkuar një kompromis dhe ku ky kompromis është refuzuar thjesht dhe vetëm nga një palë, e më saktësisht nga një njeri, kryeministri Sali Berisha.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, unë e kisha fjalën për aspektin praktik të arritjeve gjatë këtij viti, e kam fjalën në aspektin institucional, apo atë ligjor. Çfarë arritjesh janë realizuar?

Edi Rama: Unë nuk e di se çfarë konsideroni ju aspekt praktik, por unë fola pikërisht për një zhvillim të rëndësishëm në jetën e vendit, lidhur me praktikat e ndjekura deri më tash për zgjedhjet, dhe për një sërë çështjesh të tjera, që janë në rendin e ditës dhe që ne nuk do t’i heqim nga rendi i ditës, përkatësisht çështje të demokracisë, të drejtësisë dhe të ekonomisë së vendit, të cilat lidhen drejtpërdrejt me një process zgjedhor të deformuar, të korruptuar, të manipuluar, i cili për fat të keq, po ndikon në mënyrë degraduese në jetën e vendit në tërësi. ...E në rast se flitet për rezultate konkrete, rezultatet tona në këtë betejë janë konkrete, e ndërkohë kjo betejë është larg së qeni e mbyllur dhe ne jemi larg së qëni të lodhur, apo durim-humbur në raport me objektivin tonë, që është t’i japim mundësinë Shqipërisë të zgjedhë lirisht, t’u japim shqiptarëve mundësinë ta numërojnë ndershmërisht votën e tyre, dhe të bëjmë që Shqipëria të mirëqeveriset nga ata që zgjedh dhe jo të sundohet si keq e mos më keq nga ata në nuk e lenë të zgjedhë.

Zëri i Amerikës: Çfarë reformash konkrete mendon PS të ndërmarrë, në mënyrë që kjo që thoni ju që ndodhi në zgjedhjet e vitit të kaluar të mos përsëritet në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm?

Edi Rama: Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjeve, Shqipëria nuk vuan nga ato të ashtuquajtura reforma të materializuara në letra pa vlerë. Shqipëria vuan përditë e më shumë nga pazbatueshmëria e atyre që bën në ligj, nga zbatueshmëriua e atyre që miratohen në Parlament në formë ligjesh, e që në fakt, për ditë e më shumë rezultojnë të jenë copa letrash pa asnjë vlerë, për një qeveri që është larg nga binarët e Kushtetutës, larg nga binarët e ligjit, larg nga binarët e procesit demokratik të bazuar tek ekuilibrat mes pushteteve. Kështuqë ne jemi në këtë përpjekje, për të garantuar zbatueshmëri të Kushtetutës dhe të ligjit; jemi në këtë përpjekje jo thjesht për të kaluar në një kapitull tjetër reformash të materializuara në copa letrash pa vlerë, por në një kapitull reformash, të cilat kthehen në ligje, që zbatohen njësoj nga të gjithë, që përpara ligjit të jemi të gjithë të barabartë.

Zëri i Amerikës:… Dhe si do ta realizojë opozita, këtë që sapo përmendët?

Edi Rama: Ashtu siç e ka realizuar qëllimin e saj çdo forcë politike në historinë e zhvillimeve botërore, por edhe shqiptare, e vendosur për të bërë të mundur, që demokracia të mos jetë një slogan, por të jetë një realitet, duke zhvilluar beteja si beteja që ne po zhvillojmë, e cila është një betejë për të mirën e Shqipërisë, për të mirën e çdo qytetari shqiptar, është një betejë për interesin publik dhe jo për interesin e një pale, në dëm, apo kundër një pale tjetër. Beteja jonë për interesin publik duhet të shkojë përpara, ne duhet ta çojmë atë përpara, jemi të gatshëm për një kompromis që i hap rrugën transparencës, por nuk do të tërhiqemi nga rruga jonë në rast se transparenca do të mohohet dhe në rast se do të vazhdojë të mbetet në fuqi një aksiomë e pashkruar, sipas së cilës “…Pavarësisht se çfarë thotë ligji, në Shqipëri vendos Maliqi”. Kjo për ne është e patolerueshme dhe ne do ta vazhdojmë betejën tonë me ngulm, gjë që e kam nënvizuar edhe në këtë takim shumë të rëndësishëm të Internacionales Socialiste dhe gjë për të cilën kemi marrë mbështetjen e plotë të kësaj internacionaleje, si një shprehje kuptimplotë e vetëdijes në rritje përditë e më shumë të mbarë forcave progresiste dhe të vetë komunitetit ndërkombëtar në tërësi, miq e partnerë të Shqipërisë, për domosdoshmërinë e kapërcimit të fazës, ku zgjedhjet kanë qenë dhe mbeten një problem kryesor për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, ju e keni fjalën, që Partia Socialiste do t’i vazhdojë përpjekjet e saj në institucionet e vendit, në Parlamentin e vendit, që këtej e tutje?

Edi Rama: PS është e lirë të zgjedhë çdo mjet të nevojshëm në një betejë të ndershme, në një betejë të drejtë, në një betejë qytetare dhe emancipuese për vendi dhe pa asnjë dyshim, brenda vizionit të saj demokratik dhe europian, sipas të cilit, ne përjashtojmë çdo formë dhune, por nuk përjashtojmë asnjë formë të protestës demokratike, që tashmë është e qartë dhe nuk ka asnjë ekuivok, se jemi në gjendje ta zhvillojmë me forca të jashtëzakonshme dhe me një mbështetje përditë e më shumë në rritje. Është e sigurtë, se PS, opozita shqiptare, nuk do të bëhet kurrë fasada e një Parlamenti që vazhdon të mos jetë Parlamenti i të gjithë shqiptarëve, por thjesht instrumenti i atyre që nuk i lanë shqiptarët të zgjedhin dhe kërkojnë t’i sundojnë dhe duke kapur çdo cope të shtetit, duke filluar nga Parlamenti, që nuk garanton as minimumin e normave të bashkëjetesës demokratike; brenda asaj hapësire, ku sot ka një përpjekje të përbindshme për të hequr sekretin, apo fshehtësinë e votes dhe përmes votës së hapur, për të kontrolluar dhe gjunjëzuar edhe atë pjesë të mbetur të pushtetit gjyqësor, që nuk është ende nën kontrollin e këtij pushteti të korruptuar dhe korruptues.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, javën e kaluar kryeministri Berisha tha se e gjithë përpjekja juaj ka patur si synim justifikimin për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pushtetit vendor. Ju jeni shprehur se s'mund te ketë zgjedhje të lira pa hapur kutitë e zgjedhjeve te 28 qershorit. A mund të pohoni ju sot se PS do të marrë pjesë në zgjedhje dhe nuk do t'i bojkotojë ato?

Edi Rama: Unë mund të pohoj se zoti Berisha duhet ta harrojë çdo lloj mundësie për të mos na patur përballë: na ka përballë dhe do të na ketë përballë në këtë betejë, në të cilën ne nuk zbrapsemi asnjë milimetër dhe të cilën ne do ta çojmë përpara me fuqi të shumëfishuara edhe nga kjo mbështetje përditë e më e madhe ndërkombëtare që po gjen kauza e transparencës, si edhe nga vetëdija përditë e më e qartë e të gjithë miqve dhe partnerëve tanë për domosdoshmërinë e një transparence dhe të një këndvështrimi të ri mbi gjendjen në Shqipëri, që është larg së qeni një gjendje për të cilën shqiptarët duhet të jenë të kënaqur dhe për të cilën miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të jenë të kënaqur; thënë kjo, unë vazhdoj të këmbëngul, kam këmbëngulur edhe në këtë instancë të lartë të të gjitha forcave progresiste të botës, që Shqipëria të mos penalizohet dhe shqiptarët të mos pengohen në lëvizjen e tyre të lirë dhe liberalizimi i vizave, i cili vazhdon të vonojë për shkak të qeverisë dhe të Sali Berishës, të mos lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë krizë, që është përsëri përgjegjësi e qeverisë dhe e Sali Berishës.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, nuk m’u përgjigjët pyetjes, a do të marrë pjesë PS në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm?

Edi Rama: Unë ju përgjigja pyetjes dhe padyshim mund ta përsëris, që ne nuk do t’i shmangemi asnjë sfide, por nga ana tjetër, mund të rikonfirmoj atë që kam thënë edhe më parë, që pa u plotësuar kushtet për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do të ketë zgjedhje, por do të ketë një ballafaqim demokratik, i cili do të vazhdojë të përshkallëzohet, duke mos toleruar asnjë formë të ashtuquajtur zgjedhje, që në fakt, nuk i jep mundësinë shqiptarëve të zgjedhin lirisht dhe të shohin të numëruar ndershmërisht votën e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, po ju vetë, a do të jeni sërish kandidat për Bashkinë e Tiranës?

Edi Rama: Jam gjithmonë i lumtur të shoh se sa pranë Tiranës dhe Shqipërisë jeni të gjithë ju dhe se si shpeshherë dhe pyetjet kaq larg nga Tirana dhe Shqipëria u ngjajnë pyetjeve të kafeneve të Tiranës, por është shumë herët për të folur për këtë. PS është e angazhuar në një betejë që është shumë më e gjerë, se sa thjesht korniza e zgjedhjeve vendore dhe përpara se të flasim për zgjedhjet vendore, duhet të flasim dhe të vendosim për mënyrën se si do t’i çlirojmë zgjedhjet nga korrupsioni, se si do t’i çlirojmë zgjedhjet nga kthetrat e një pushteti, i cili gjithshka e ka varur tek grabitja e votës dhe siç ka qëndruar aty ku është përmes votës së grabitur, synon të qëndrojë duke e grabitur votën, gjë që ne nuk do ta tolerojmë më.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama desha të bëj një korigjim të vogël: Zëri i Amerikës është një radio dhe një television i respektuar, që ka thënë kurdoherë të vërtetën, megjithatë, ju falënderoj për intervistën.

Edi Rama: Pa asnjë dyshim dhe unë nuk thashë që ju nuk thatë të vërtetën, thashë thjesht se jeni në korent jo vetëm të problematikave të rëndësishme të vendit, por edhe atyre më pak parësore të kafeneve të Tiranës dhe kjo në fakt nuk është një kritikë, është thjesht një konstatim dashamirës.

Zëri i Amerikës: Ju faleminderit dhe gjithë të mirat.

Edi Rama: Gjithë të mirat.

XS
SM
MD
LG