Lidhje

Kryeministri Rama komenton raportin e OSBE-së


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi në mbrëmje se raporti i OSBE-së, ku përmendeshin një seri politikanësh, deputetësh dhe qeveritarësh si të lidhur me krimin e organizuar, drogën dhe ndërtimet klienteliste, u publikua në mënyrë të parregullt nga mediat.

Kryeministri Rama deklaroi në programin Top Story në televizionin Top Channel se mënyra e publikimit nga mediat vendase të atij raporti ishte skandaloze dhe kriminale, një manipulim dhe mashtrim i opinionit publik, sikur gjoja ai ishte një raport konfidencial i OSBE-së.

“Roli i mediave që e publikuan atë dokument ka qenë skandaloz dhe kriminal, sepse e botuan si të ishte raport konfidencial i OSBE-së, duke parë fare qartë se pjesa dërrmuese e tij ishte produkt i thashethemeve të shtypit shqiptar. Ta quash raport konfidencial të OSBE-së, kur nuk është i tillë, është kriminale dhe skandaloze, sepse i jep legjitimitet dhe mister, një teksti sikur zbulohen fije të jashtëzakonshme, ku janë lidhur gjithë këta njerëz më krimin” - tha zoti Rama.

Dëmi më i madh i atij botimi, sipas kryeministrit Rama, u shkaktua në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Nga shtypi i Tiranës ajo shkon në Kosovë, në Greqi dhe kështu përhapet kudo një llum për Shqipërinë, gjë që është krejt e padrejtë dhe e pamerituar, tha zoti Rama.

“Këtu është bërë një modë banale e neveritshme prej shumë vitesh sikur të gjithë janë njësoj, sikur kushdo që merret me politikë është i korruptuar, të gjithë janë të lidhur me krimin, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm vjedhin, sikur shohin vetëm punën e tyre. Por jo, se nuk është kështu fare. Politika nuk është arena ku vallëzojnë engjëjt; ka pjesën e pakontaminuar edhe atë të kontaminuar, ka edhe idealistët - sado e çuditshme të duket kjo - ka edhe pragmatistët dhe të korruptuarit. Po ashtu edhe media është njësoj. Askush nuk mund të sillet si gjykatës suprem dhe t'i bëjë baltë të gjithë, duke pretenduar që është i distancuar” - tha zoti Rama.

Ai u kujtoi gazetarëve që pasi e posedojnë një dokument, etika minimale nuk është ta fshehë, por të marrin edhe opinionin e institucionit nga ku dokumenti ka rrjedhur para se ta botojnë, sepse nuk i pengon askush ta botojnë, sepse vetëm në këtë rrugë profesionale nuk i shesin popullit një dokument pa asnjë vlerë si raport konfidencial të një organizate.

Disa ditë më parë media elektronike, gazeta dhe portale informative publikuan një raport të OSBE-së, mbi marrëdhëniet dhe lidhjet e një numri deputetësh, si mbi dyshimet rreth mënyrës se si ata janë pasuruar.

Raporti theksonte se si deputetët dhe politikanët “rreken të investojnë në biznese fitimprurëse e të vështira për t’u gjurmuar, si ndërtimi, arsimi, miniera, hidrocentrale, shëndetësi, media apo pasuri të patundshme”. Në atë rport thuhej se “për të shmangur hetimet, pjesën më të madhe të të ardhurave ata i kalojnë përmes filtrave të pastrimit të parave dhe i regjistrojnë në emrat e të afërmve apo bashkëpunëtorëve të ngushtë”.

Në atë dokument tregohet se si disa politikanë kanë shfrytëzuar funksionet dhe pozitën shtetërore, duke u përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe deri në lidhje të dyshuara me grupe kriminale, ndërsa disa biznesmenë zgjodhën të përfshihen në politikë për të mbrojtur pasuritë, që dyshohen se jenë krijuar përmes veprimtarive të dyshuara.

Zyra e OSBE-së në Shqipëri deklaroi se informacioni i botuar nuk përfaqëson politikën e OSBE-së apo pikëpamjen e saj zyrtare, nuk përbën një vlerësim apo gjykim dhe nuk ka shërbyer si bazë për raporte të tjera. “Përmbledhja ishte thjesht një grumbullim informacioni nga raportime të medias shqiptare dhe pretendimeve që qarkullonin në publik. Prezenca nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhjeje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i të vërtetës”, - deklaroi ambasadori i OSBE-së Florian Raunig.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG