Lidhje

Rama reagon ashpër ndaj deklaratave të patriarkut serb


Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër ndaj deklaratave të patriarkut të kishës ortodokse serbe Irenej, i cili gjatë një interviste në Top Channel, e konsideroi Kosovën si pjesën më të shenjtë të Serbisë dhe vendin ku është zhvilluar sipas tij, e gjithë historia e popullit serb.

Patriarku serb ishte në Tiranë për të marrë pjesë në shenjtërimin e katedrales ortodokse në kryeqytetin shqiptar, së bashku me drejtues të tjerë të kishave ortodokse nga vende të ndryshme.

Gjatë takimit të sotëm me ta, ku ishte i pranishëm dhe patriarku Irenej, kryeministri Rama i ka cilësuar “tërësisht të padëshirueshme, opinionet e tij politike në atmosferën e një feste fetare“.

Sipas burimeve nga kryeministria, zoti Rama ka theksuar se debati mbi pavarësinë e Kosovës është tanimë një çështje e mbyllur dhe se deklaratat e përfaqësuesit të lartë të kishës ortodokse serbe“cenuan gëzimin e festës dhe nuk respektuan as vendin, as komunitetin ortodoks shqiptar dhe as komunitetet e tjera fetare“.

Zoti Rama mësohet të ketë thënë se Shqipëria është vendi më i gabuar për deklarata të tilla, ndërsa ka kujtuar se në Shqipëri komunitetet fetare jetojnë në harmoni dhe këtë duhet ta respektojë kushdo.

Më i ashpër ndaj deklaratave të patriarkut serb ka qenë ish kryeministri Sali Berisha i cili e ka cilësuar atë si një “ultranacionalist që ka duart dhe shpirtin të lyer me gjak shqiptarësh“ e që sipas tij nuk do duhej të ishte ftuar në Tiranë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG