Lidhje

Rama: Jo nepotizëm e ryshfete për vende pune


Kryeministri i ardhshëm paralajmëron: Nuk preket kush ka shërbyer me profesionalizëm. Jashtë besnikët e pushtetit. Dhe premton se nuk do bëjë gabimet e së djathtës

Në Shqipëri kryeministri i ardhshëm socialist Edi Rama paralajmëroi sot një ndërhyrje të thellë në administratë duke vënë në themel, sic tha ai, konkurrencën e meritën e duke mos toleruar këdo që paguhej për besnikërinë ndaj pushtetit, u shpreh zoti Rama. Duke folur në mbledhjen e grupit të tij parlamentar, ai u angazhua për vënien në jetë të premtimeve të bëra në fushatë në mënyrë që shpresa e shqiptarëve të mos i lerë vendin zhgënjimit, theksoi kryeministri i ardhshem

Ndërsa akuzoi të djathtën që qeverisi vendin për 8 vjet për shkatërrim të administratës publike, kryeministri i ardhshëm i vendit garantoi se shumica e re nuk do të ketë të njejtën sjellje.

Rama për qeverisjen
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:40 0:00

“Jemi të vendosur të mbjellim në këtë vend kulturën e konkurrencës e të meritës dhe do ta bëjmë këtë hap pas hapi. Pa i rënë më qafë padrejtësisht askujt, as edhe një njeriu të vetëm, që sot shërben me profesionalizëm në administratën e shtetit, por pa u lënë shqiptarëve në qafë askënd, as edhe një njeri të vetëm, që është paguar deri më sot jo për shërbimin ndaj shtetit të, po për besnikëri ndaj pushtetit që rrënoi Shqipërinë e rrënoi ekonominë dhe jetët e tyre”

Në Shqipëri është bërë thuajse traditë përmbysja e administratës publike pas cdo ndërrimi pushteti. Por zoti Rama kërkoi nga ministrat e tij të garantojnë transparencën dhe meritën në cdo emërim të ri
Clip “Nepotizmi s’duhet në asnjë mënyrë të gjejë rrugë për të prekur e dëmtuar organizmin e kësaj shumice të re qeverisës, në asnjë institucion. S’mund të ketë më bashkëshortë e kushërinj të parë që marrin rrogën në të njëjtën bordero. Ndërsa për kë do të guxojë të marrë para për të shitur një vend pune duhet të kërkojmë deri në fund dënim penal maksimal!”


Në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij, të thirrur para seancës së parë të parlamentit të hënë e ardhshme, zoti Rama përsëriti dhe një herë se shumica duhet të meritojë mbështetjen e madhe që mori nga shqiptarët më 23 qershor
Clip “Ndëshkimi popullor i 23 qershorit për ato sjellje vulgare e veprime brutale, ishte njëherësh urdhri i popullit sovran për ne: Mos bëni si këta nëse nuk doni të ndëshkoheni edhe më keq se këta! Ky është një urdhër që nuk diskutohet, por vetëm zbatohet. E ky grup duhet të vigjëlojë që askush të mos e thyejë këtë urdhër, po gjithkush t’a zbatojë me besnikëri shembullore ndaj Shqipërisë e shqiptarëve”.

Kryeministri i ardhshëm nënvizoi se qeveria e re dhe shumica e majtë do të jenë në një prove të përditshme
Clip “Masa e madhe e shumicës që kemi marrë, është thjesht mishërim i përgjegjësisë së madhë që na është ngarkuar. Unë do të bëj gjithçka për të garantuar që kjo shumicë ta mbajë me nder e faqe të bardhë këtë përgjegjësi, në mënyrë që shpresa të mos i’a lërë vendin zhgënjimit dhe pritshëmria e njerëzve të mos zëvendësoshte nga revolta e tyre ndaj nesh. Vija që i ndan këto është tejet e hollë dhe koha që njerëzit do të na japin në pritje të ndryshimit, tejet e kufizuar”.

Zoti Rama siguroi për një angazhim maksimal për përmbushjen e të gjithë premtimeve të bëra gjatë fushatës. Një ditë më parë kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e fundit të qeverisë së tij, i mëshoi edhe një herë tezës së humbja e së djathtës në zgjedhje kishte ardhur për shkak të premtimeve të parealizueshme të së majtës duke paralajmëruar se sipas tij shqiptarët do të përballen me probleme serioze.
Socialistët mblodhën më herët kryesinë e cila propozoi rizgjedhjen e zotit Gramoz Ruci si kryetar I grupit parlamentar.
XS
SM
MD
LG