Lidhje

Rama: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në asgjësimin e armëve

  • Armand Mero

Kryeministri Edi Rama i mbajti për 30 minuta me frymën pezull mijëra protestuesit që prej orësh qëndronin përpara zyrave të tij në godinën e qeverisë derisa lexoi fjalinë e fundit të deklarës së tij të gjatë për mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike në territorin shqiptar: “Me besnikërinë e plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”.

Sheshi përpara selisë së qeverisë shpërtheu në brohoritje gëzimi, sikundër dhe mijëra të tjerë, kryesisht të rinj, që manifestuan në qytetet e tjera të vendit.

Fjala e zotit Rama ishte ndërtuar mbi disa shtylla kryesore, arsyet e vendimit, garancitë dhe përfitimet e mundshme të vendit në rast të një përgjigje pozitive, shkaqet pse nuk kishte folur me parë dhe një kundërpërgjigje me tone të ashpra ndaj qëndrimeve të opozitës, e cila ishte rreshtuar haptazi kundër operacionit për armët kimike të Sirisë.

Arsyeja e vetme që ai dha për tërheqjen nga angazhimi i Shqipërisë ishte se "nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë. E askush s’do thoshte as pse vetëm Shqipëria dhe as që ky operacion kërkon një vend të varfër e të ndotur si Shqipëria e sotme. Sepse kjo nuk është e vërtetë, por do të transformohej në një të vërtetë të hidhur për ne”.

Sipas zotit Rama garancitë për rreziqet e mundshme të shkatërrimit të armëve siriane kishin qenë maksimale, ndërsa vetë Shqipëria do të përfitonte asgjësimin e mbetjeve të saj të rrezikshme luftarake: “Shtetet e Bashkuara e shohin Shqipërinë si një aleat shumë besnik; e në fund të fundit s’po kërkojnë asgjë nga Shqipëria përveç një pike mbështetjeje në tokë – një bazë ushtarake tërësisht të izolur në dispozicion të tyre ku lëndët vijnë, asgjësohen dhe ikin për t’u djegur e varrosur gjetkë, me trupat e tyre, me ekspertët e tyre me teknologjine e tyre dhe me gjithë punën e tyre”.

Vecanërisht 48 orët e fundit atmosfera ishte mbarsur me një panik në rritje për pasojat që do të mund të shoqëronin shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri, një panik i krijuar sipas zotit Rama nga një propagandë histerike. Megjithatë ai vlerësoi protestuesit të cilët sipas tij kishin qenë “e vetmja dallëndyshe shprese në qiellin e mbushur me tymin e urrejtjes, mllefeve, gënjeshtrave dhe delireve.”

Tone shumë të forta kryeministri rezervoi për pozicionimin e opozitës. Zoti Rama e akuzoi atë për nxitjen e një antiamerikanizmi të turpshëm e që “shkruan kapitullin më të turpshëm të marrëdhënieve shqiptaro – amerikane, duke e çarë dje, për herë të parë në dy dekada politikën shqiptare në raport me Shtetet e Bashkuara, dhe duke e kthyer parlamentin në një skenë skizofrenie politike ku partneri ynë më i madh u trajtua njësoj si të ishte Asadi. Dhe ku mbeti pa u thënë vetëm që Asadi do që të shfarosë sirianët, kurse Presidenti Obama do që të shfarosë shqiptarët”.

Kryetari demokrat Lulzim Basha reagoi pak pas deklaratës së kryeministrit: “Kjo është një fitore e madhe e shoqërisë së lirë shqiptare, që mori në dorë fatin e saj, kur kryeministri i vendit tentoi të luante me të për interesa dhe përfitime ngushtësisht personale. Një problem i madh u zgjidh sot, por një problem tjetër i madh ka dalë tani në dritë të diellit për gjithë shqiptarët. Ky është problemi “Edi Rama”. Edi Rama e kurdisi me megalomaninë dhe papërgjegjshmërinë e tij skandalin dhe turpin e armëve kimike.Edi Rama u ofrua për çështjen e armëve kimike, por jo si kryeministri serioz i një vendi serioz që dëshiron të kontribuojë, siç ka kontribuar prej vitesh për paqen dhe sigurinë në botë. U ofrua si hileqar dhe pazarxhi për interesa dhe përfitime meskine të vetat”.

Zoti Basha i cili më parë ishte kritikuar hapur nga ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu se i ishte shmangur angazhimeve të marra për këtë cështje, i mëshoi rëndësisë së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara: “Për Partinë Demokratike, që ka lindur si parti e vlerave të lirisë dhe orientimit euroatlantik të Shqipërisë, marrëdhëniet me SHBA kanë qenë janë e do të jenë marrëdhënie kyçe të dorës së parë në të gjitha drejtimet. E kemi dëshmuar në qeveri, e dëshmojmë e do ta vazhdojmë ta dëshmojmë në opozitë”.

Zoti Arvizu pat deklaruar se një përgjigje negative e Shqipërisë do të ishte zhgënjyese për Uashingtonin. Ndërsa përmbajtja e deklaratës së ambasadës menjëherë pas fjalimit të zotit Rama ishte me tone politikisht korrekte. “E respektojmë vendimin e Kryeministrit. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë faktin që Qeveria e Shqipërisë e shqyrtoi seriozisht mbështetjen e përpjekjes ndërkombëtare për të eliminuar materialet luftarake kimike të Sirisë në mënyrë të sigurtë“, theksohej në tekstin i cili përmbyllej me deklarimin se “Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një miqësi të fortë dhe jetëgjatë. Ne vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Shqipërisë teksa punojnë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike“. Ndërsa një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se vendimi i Shqipërisë nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG