Lidhje

Kryeministri Rama, takim me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë

  • Keida Kostreci

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi sot një takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Barak Obama dhe Nënpresidentin Joe Biden. Në mbyllje të bisedimeve, Kryeministri Rama u ndal dhe dha përshtypjet e tij në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku theksoi se takimi kishte nënvizuar partneritetin e rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, si shkoi takimi dhe për çfarë u fol aty?

Kryeministri Edi Rama: Takimi i kaloi parashikimet në kuptimin e kohës, dhe nga ana tjetër mund të them që i kaloi parashikimet edhe në kuptimin e atmosferës shumë miqësore, ku dëgjuam fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë, për përpjekjet tona, dhe ndamë së bashku bindjen se ky është një partneritet që do të vazhdojë të forcohet dhe se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon, gjë për të cilën faktikisht morëm përgëzime dhe inkurajim shumë të madh.

Dinamika e re e politikës sonë të jashtme ka sjellë një rritje shumë të ndjeshme të reputacionit të vendit tonë edhe në sytë e vetë partnerëve tanë, dhe sot ky është një fakt i provuar edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Zëri i Amerikës: Një nga temat, padyshim, ka qenë dhe ekstremizmi dhe radikalizmi. Mund të na flisni pak më gjerësisht për çfarë bashkëpunimi bëhet fjalë?

Kryeministri Edi Rama: Patjetër, presidenti u interesua, me thënë të drejtën, me shumë dëshirë dhe me entuziazëm në lidhje me idenë e futjes në shkolla të mundësisë për të njohur fenë dhe për t’iu dhënë të rinjve instrumentin e domosdoshëm që të mos bien pre e propagandës ekstremiste të çfarëdo lloji qoftë, qoftë të radikalizmit islam që flet në emër të Kuranit, por është shkelja më e rëndë mbi Kuranin, qoftë edhe të ekstremizmit politik edhe në demokracitë e zhvilluara.

Zëri i Amerikës: Si do ta realizoni ju këtë, edukimin në shkolla, si edhe idenë tuaj për qendrën rajonale kundër radikalizmit?

Kryeministri Edi Rama: Qendra do të ngrihet dhe ne po përgatitemi me mbështetje shumë të fortë, qoftë nga Shtetet e Bashkuara, qoftë nga Bashkimi Europian, dhe po ashtu kemi marrë një mbështetje të rëndësishme dhe nga USAID-i për sa i përket një programi që nuk është vetëm tek shkollat, por në tërësi për promovimin e bashkëjetesës fetare tek të rinjtë dhe për garantimin e kësaj pasurie të madhe që është bashkëjetesa fetare në Shqipëri për më të rinjtë, të cilët nuk duhet ta marrin si të mirëqenë njëherë e përgjithmonë, por duhet të investojnë për të.

Nga ana tjetër, ka qenë shumë e rëndësishme edhe ajo çka kemi diskutuar për reformën në drejtësi, të cilën edhe Shtëpia e Bardhë e kërkon, e mbështet dhe sigurisht e konsideron një test shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e integrimit europian, që është rruga ku ne kemi një mbështetje shumë të fortë edhe nga Shtetet e Bashkuara, edhe nga presidenti vetë.

Zëri i Amerikës: Ju kishit premtuar, kur sekretari Kerry ishte në Shqipëri që kjo reformë do të miratohej në pranverë. Por ndërkohë marrëdhëniet janë paksa të acaruara dhe reforma nuk ka shumë gjasa nëse nuk arrihet konsensusi me opozitën. Do të arrini ju të zbatoni këtë afat?

Kryeministri Edi Rama: Do të më vinte shumë keq që të merresha me opozitën e vendit tonë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

Zëri i Amerikës: Jo, jo edhe me qeverisjen edhe me opozitën …

Kryeministri Edi Rama: Unë e konsideroj që në fund të fundit këtu i përfaqësoj të gjithë dhe të paktën brenda kufijve të Shtëpisë së Bardhë nuk dua të them atë që mendoj për opozitën, lidhur me reformën në drejtësi.

Faktikisht reforma duhet të kishte përfunduar tani, sepse praktikisht ajo çka është përgatitur është gati. Ka patur shumë simulime - si ato simulimet e njerëzve kur nuk duan të shkojnë në punë dhe marrin raport fallco, - për të penguar procesin. Sidoqoftë unë jam besimplotë që reforma do të kalojë dhe jam besimplotë që cilado palë ka kuptuar thelbin që kush identifikohet si pengesa e reformës hyn në telashe të mëdha me popullin shqiptar në radhë të parë, por sigurisht i hap vetes një telash shumë të madh edhe me partnerët ndërkombëtarë. Ky është një mesazh i qartë që e marrim nga të gjitha anët.

Zëri i Amerikës: Dje në takimin e Këshillit të Atlantikut, unë ju bëra një pyetje lidhur me klimën politike dhe në fakt ishte e vërtet ajo që thatë që këtu në Washington klima është e ashpër, sidomos në një vit zgjedhjesh që është jashtë normales, ne të gjithë e pranojmë këtë. Por atje nuk mund ta vazhdoja, më lejoni ta vazhdoj këtu. Retorika në Shtetet e Bashkuara është e ashpër, por institucionet janë aq të forta sa ta përballojnë një gjë të tillë. Në Shqipëri klima ka qënë shpeshherë e ashpër dhe ju keni qënë aq shumë politik, sa që të gjithë lojtarët nuk mund të përjashtohen nga kjo. Mund ta vazhdoni pak idenë tuaj? Ka një lloj ndryshimi mes institucioneve të fuqishme këtu, që një fushatë nuk i trondit dot dhe brishtësisë që ekziston në Shqipëri për shkak të tranzicionit.

Kryeministri Edi Rama: Absolutisht, jam 100 % dakord me këtë dhe sigurisht që nuk mund të justifikoj as ashpërsinë, ndonjëherë deri në absurd të republikanëve në Amerikë, në raport me për shembull me shumë reforma të presidentit Obama dhe as ashpërsinë, përtej absurdit ndonjëherë të politikës në Shqipëri dhe përsëri nuk po vë gishtin mbi një palë, por po them vetëm se është e domosdoshme që përtej retorikës, përtej debatit ne jemi shqiptarë, ne nuk do të bëhemi kurrë danezë apo zviceranë apo suedezë. E ndoshta, nuk jemi keq kështu siç jemi në shumë aspekte.

Të mos harrojmë se vendit i duhen reformat, njerëzve i duhen reformat. Shqipëria nuk del dot nga prapambetja e madhe institucionale, e cila është rezultat i 20 e kusur viteve pa reforma reale, në qoftë se reformat nuk janë reale, nuk janë të thella dhe me çdo dhimbje ne duhet t’i bëjmë. E patjetër që ne do të bëjmë pjesën tonë si qeveri, siç e kemi bërë deri tani, por ka reforma si ajo e drejtësisë që është mirë të bëhen së bashku dhe unë besoj se do të bëhen së bashku.

Zëri i Amerikës: Është ky një premtim që edhe ju do ta zbusni pak tonin tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Unë sigurisht, ju më gjykoni dhe të tjerët më gjykojnë shumë më objektivisht se sa ç’mund të gjykoj veten time, por sidoqoftë me ndonjë ekses, për të cilin jam ndjerë keq edhe vetë në këtë rrugëtim, besoj që fjalimet e mia janë të standardeve edhe të këtij oborri besoj.

Zëri i Amerikës: Meqë jemi edhe tek ky oborr dhe meqë ju keni folur shpesh për zotin Trump, edhe dje tek CNN International, desha të bëj një pyetje, vërtet ka pasur edhe nga udhëheqës të tjerë botërorë komente shqetësuese për retorikën e zotit Trump, për kandidaturën e tij, por mendoj që vetëm ndoshta presidenti meksikan ka qenë më i ashpër sesa ju, për shkak të retorikës së murit, çfarë ju shtyn të jeni kaq i ashpër?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk besoj se jam i ashpër, unë besoj se në këtë pikë jam i vërtetë. Jam pyetur, jam përgjigjur, nuk është se kam ndërmarrë ndonjë fushatë. Sa herë që do të pyetem, do të përgjigjem dhe as nuk dua të di fare se çfarë mund të thotë njëri apo tjetri. Unë besoj që ata të cilët në Shqipëri zgjedhin Trumpin përpara meje, pavarësisht diferencave që kanë me mua, janë për t’u mëshiruar. Unë midis Lulzim Bashës dhe Trumpit zgjedh gjithmonë Lulzim Bashën, pavarësisht se Lulzim Bashën nuk do ta zgjidha kurrë, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye, për asgjë. Por ama nuk është problemi im, nëse Lulzim Basha, apo cilido qoftë tjetër mes meje e Trump, zgjedh Trump. Është problemi i tyre, unë nuk kam problem.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, diçka për Kosovën, në qoftë se ju diskutuat në takim, Shqipëria gjithmonë ka kërkuar si anëtare e NATO-s dhe si një anëtar i rëndësishëm i NATO-s në rajon, institucionalizimin e marrëdhënies së NATO-s me Kosovën. U diskutua në këtë takim për këtë?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është pjesë e një procesi. E sigurt është që ajo çka ne kemi qenë me zë të lartë dhe në minorancë fillimisht, në mbështetje të plotësimit të projektit të NATO-s, duke insistuar që të ftohej Mali i Zi, ka provuar që është bërë në një kohë të arsyeshme mendimi i shumicës dhe pikërisht për këtë, në fund kemi diskutuar edhe me Zëvendëspresidentin sesa e rëndësishme ka qenë kjo dhe sa e rëndësishme është që procesi të vazhdojë. Nuk diskutohet që në këtë proces që vazhdon, Kosova nuk mund të jetë kurrsesi e përjashtuar, përkundrazi.

Me Zëvendëspresidentin kemi folur, meqë po flasim për Kosovën, edhe për Presidentin e ri të Kosovës, i cili së shpejti do të hyjë në këtë oborr dhe do të takohet me Zëvendëspresidentin, i cili më tha se e pret me kënaqësi shumë të madhe, si një mik të vjetër dhe si një njeri që ka bërë shumë për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Takimi juaj i fundit është me FBI-në. Çfarë prisni nga ky takim?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi hapur një proces bashkëpunimi me FBI dhe sot nënshkruajmë edhe një marrëveshje. Sigurisht, ne besojmë shumë tek potenciali i madh i ndihmës që mund të marrim nga FBI përsa i përket rritjes së kapaciteteve hetimore, rritjes së kapaciteteve në mbledhjen e provave për të cilat FBI është padiskutim vendi më i kuotuar dhe nëse flasim për vazhdimin e luftës kundër krimit, kundër korrupsionit, çështje që i kanë të gjithë, por që ne i kemi në mënyrë specifike në rajon dhe si pjesë e vendeve që kanë dalë nga e shkuara e errët komuniste, padyshim që kjo është pjesë e kësaj përpjekjeje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG