Lidhje

PS nis prezantimin e programit nëpër qytete


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mori pjesë në takim të hapur me forumin e gruas në Kavajë, ku foli për programin e ri të opozitës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mori pjesë në takim të hapur me forumin e gruas në Kavajë, ku foli për programin e ri të opozitës dhe bëri thirrje për ndryshim të pushtetit zgjedhjet e ardhshme si dhe të mendësive në qeverisje. “Në vitin 2013 të mos ndërrojmë një parti me një tjetër dhe të vazhdojë avazi i vjetër. Por të ndërrojmë faqen e historisë së këtij vendi, siç e ndërruat ju një vit më parë këtu në Kavajë, për qytetin tuaj” - tha ai.


Zoti Rama tha se çështjet sociale dhe ekonomike janë në qendër të programit të ri elektoral, i cili ka si një nga pikat kryesore përmirësimin e gjendjes së gruas. “Arsimi, punësimi, lehtësirat sociale dhe në tërësi integrimi i grave dhe i vajzave në jetën publike dhe në procesin politik janë prioritetet tona në raport me gratë dhe me vajzat shqiptare. Janë prioritete të cilat ne do t’i ndjekim me shumë këmbëngulje, bazuar në programin tonë të ri. Është një program i cili është pasuruar dhe unë shpresoj të vazhdoj të pasurohet edhe me kontributin tuaj dhe të gjitha grave dhe vajzave në të gjithë Shqipërinë” - tha ai.

Kryetari i PS zgjodhi Kavajën në mënyrë simbolike, sepse në zgjedhjet e fundit vendore aty u ndryshuan bashkiakët nga democrat në socialist, për të theksuar se në të njëjtën mënyrë mund të ndryshojë situata në të gjithë vendin. “Të gjithë atyre që pyesin apo që të shqetësuar duan të dinë si mund të ndryshojë gjendja në të cilën ndodhemi, nuk ka shembull më të fuqishëm sesa Kavaja dhe historia që ju po shkruani së bashku, për t’u treguar se gjendja mund të ndryshojë. Por nuk mund të ndryshojë vetë, gjendjen mund ta ndryshojnë njerëzit së bashku” - tha zoti Rama.

Qeveria është shprehur se kritikave dhe dyshimeve të opozitës i është përgjigjur vazhdimisht me investime të shtuara në infrastrukturë dhe në rritjen e pagave dhe kujdesit social. Partitë kryesore në vend po i shtojnë veprimtaritë me natyrë elektorale, edhe pse zgjedhjet janë qershorin e vitit tjetër.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG