Lidhje

Rama mbështet kandidimin e Thaçit për Nobel


Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ftoi sot 7 kryetarë të partive parlamentare të Shqipërisë që të mbështesin bashkarisht në strukturat dhe forumet europiane kandidimin për çmimin Nobel të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, kandiduar së bashku me atë të Serbisë, Ivica Daçiç dhe përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian, Kethrin Eshton.

Zoti Rama propozoi që një grup i përbashkët deputetësh të hartojnë një letër në emër të parlamentit të Shqipërisë, drejtuar komitetit të çmimit Nobel në mbështetje të kandidaturës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi si çmim Nobel për Paqen. Zoti Rama propozoi gjithashtu që partitë shqiptare t'u kërkojnë grupeve respektive të Parlamentit Europian, asambleve parlamentare të Këshillit të Europës, të OSBE-së dhe organizatave të tjera, ku bashkëpunojnë ato, për t'u shprehur në favor të propozimit si kandidatë për Nobelin e Paqes të protagonistëve të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Thaçi dhe Ivica Daçiç, si dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Eshton u propozuan nga një grup ligjvënësish amerikanë si kandidatë për çmimin Nobel të Paqes për vitin 2014. Nisma u mor nga ligjvënësit amerikanë Eliot Engel dhe Robert Aderholt, si bashkëkryetarë të grupit të çështjeve shqiptare në Kongres dhe ligjvënësit Ted Poe dhe Emanuel Cleaver, bashkëkryetarë të grupit të çështjeve serbe. Ata theksuan në një deklaratë të përbashkët disa ditë më parë se tre zyrtarët duhen nderuar me çmimin Nobel për rolin e tyre thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.

Dy kryeministrat Thaçi dhe Daçiç arritën prillin e kaluar një marrëveshje, e cila vlerësohet nga ligjvënësit amerikanë si “një pikë-kthese e rëndësishme për Serbinë dhe Kosovën dhe për gjithë rajonin e trazuar të Ballkanit”. Prej më shumë se një viti dy kryeministrat janë takuar rreth 20 herë me ndërmjetësimin e zyrtares së lartë të BE-së, duke gjetur mirëkuptim për çështje delikate mes të dy vendeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG