Lidhje

Takimi Rama-Vuçiç

  • Armand Mero

Shqipëria dhe Serbia u angazhuan sot të shënojnë një kthesë në marrëdhëniet mes tyre, duke lënë pas mosmarrëveshjet e thella, si ajo lidhur me statusin e Kosovës. Kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç u takuan sot në Tiranë, në të parën vizitë të kreut të një qeverie të Beogradit në Shqipëri. Si zoti Rama ashtu dhe zoti Vuçiç, vunë theksin te fakti që marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve janë kyçe për qëndrueshmërinë në Ballkan. Në vizitën e tij në kryeqytetin shqiptar zoti Vuçiç u prit nga autoritetet më të lartë të vendit.

Të dy kryeministrat dolën me pamje të qeshur pas takimit të përbashkët, ndërsa iu drejtuan foltoreve të konferencës për shtyp. Një shenjë se këtë herë, ndryshe nga ç’ndodhi në Beograd nuk kishte vend për provokime, siç u konsiderua në atë kohë deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama për Kosovën. Të dy konfirmuan se pavarësisht dallimeve të thella për këtë çështje, kanë vendosur të shohin përpara dhe të shënojnë një kapitull të ndryshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Edhe sepse që nga takimi I Beogradit, zoti Rama dhe Vuçiç janë takuar dhe dy herë të tjera me njëri tjetrin.

“Është e saktë që nuk pajtohemi për të gjitha. Nuk pajtohemi , para së gjithash, rreth statusit dhe çështjeve kryesore rreth Kosovës. Siç e kam thënë, Serbia e përjeton Kosovës si territor të saj, ndërsa Shqipëria si të pavarur. Por, sikundër jemi të gatshëm të bisedojmë dhe të vazhdojmë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, njësoj jemi gjithnjë në mënyrë të sjellshme dhe miqësore, jemi të gatshëm t’i tejkalojmë të gjitha dallimet tona me Tiranën”.

E njejta gatishmëri u shpreh dhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Kjo vizitë sot një shenjë shumë e qartë e vullentit të përbashkët për të parë përpara dhe bindjes së përbashkët se pavarësisht mosdakordësive apo një mosdakortësia monumentale ne kemi një hapësirë të pafundme mundësish dhe përgjegjësisësh të përbashkëta”

Zoti Rama i ka mëshuar me forcë rëndësisë së marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve, duke sjellë disa herë dhe shembullin e pajtimit mes Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së dytë Botërore.

“Nëse për marrëdheniet Francë Gjermanisë thuhet se janë boshti nuk do të ishte mungesë modestia që shqiptarët e serbët së bashku të synojnë ti kthejnë marrëdhëniet mes tyre në një dëshmi të ngajshme të fatit se nga një histori e përgjakshme luftrash mund të lind shembulli I një suksesi të përbashkët paqeje”, tha ai.

Sipas kryeministrit “serbët e shqiptarët nuk kanë vetëm përgjegjësi ndaj vetvetes, kanë përgjegjësi ndaj rajonit dhe Europës. Nga mënyra se si do të zhvillohen marrëdhëniet mes tyre e si do punojnë për paqen nuk do të varet vetëm si do të jenë nesër shqiptarët e serbët por dhe si do jetë nesër rajoni e Europa”, tha zoti Rama.

Edhe kryeministri serb Vuçiç i konsideroi si tepër të rëndësishme marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne edhe në 100 vitet e ardhshme në rajonin e Ballkanit perëndimor do të jetojmë së bashku dhe do të jemi sigurisht kombet më të mëdha në 100 apo 200 vitet e ardhshme. Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë do të paraqesin boshtin kurrizor të marrëdhënieve ne këtë pjesë të Evropës. Dhe nëse do të jemi mjaftueshëm të përgjegjshëm, mjaft të mençur dhe të urtë, dhe nuk do të mendojmë se me luftëra dhe gjakderdhje mund të zgjidhim problemet tona, por me bisedime, me përparime në marrëdhëniet tona, me marrëdhënie të sinqerta, të hapura e të ndershme, atëherë jam i sigurt se Serbia dhe Shqipëria do të kenë ardhmëri më të mirë sesa në të kaluarën”.

Nga ana e tij kryeministri Rama kërkoi dhe një herë më shumë të drejta dhe mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës ndërsa theksi se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të pasohet dhe nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura.

Të dy vendet ndërkohë rikonfirmuan angazhimin për të punuar së bashku, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike, por edhe për projekte të përbashkëta rajonale, si ai i plotësimit të infrastrukturës ekzistuese rrugore, për të patur një autostradë të plotë që të lidhe Beogradin me Durrësin përmes Kosovës. Një projekt për të cilin të dy vendet do të kërkojnë financim nga Brukseli.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG