Lidhje

Shtyhet vizita e Kryeministrit Rama në Serbi


Kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë kanë rënë dakord ta shtyjnë takimin mes tyre në Beograd nga 22 tetori kur ishte planifikuar të mbahej, më 10 nëntor.

Njoftimin e dha Zyra e Shtypit e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas një bisede telefonike mes zotit Rama dhe homologut të tij serb Aleksandër Vuçiç, të dielën pasdite.

Sipas zyrës së shtypit të kryeministrisë, dy kryeministrat “ranë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi - Shqipëri ishin tejet të padëshiruara”.

“Mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t'u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Zyra e kryeministrit Rama thotë se ai dhe zoti Vuçiç ranë dakord që dialogu mes dy vendeve duhet të vazhdojë, si edhe që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara “përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Europës si e tërë”.

XS
SM
MD
LG