Lidhje

Haradinaj: Në rrethanat e krijuara, nuk mund të qëndroja në parlament

  • Keida Kostreci

Në një zhvillim të papritur, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj vendos të heqë dorë nga mandati i deputetit. Përmes një deklarate zoti Haradinaj shprehet se ky vendim pason atë që ai e quan "përjashtim arbitrar të deputetëve të opozitës nga Kuvendi". Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Haradinaj tha se papërgjegjësia e qeverisë, e cila edhe me polici, edhe me masa policore, është përpjekur të imponojë përshtatjen me axhendën qeveritare, e shtyu atë të marrë vendimin. Zoti Haradinaj shprehet se pushtetarët kanë dëshmuar papërgjegjësi ekstreme dhe ai shton se nuk e konsideron më kuvendin si një institucion demokratik dhe për këtë arsye, ka vendosur të tërhiqet nga ky organ.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, disi i papritur vendimi i sotëm. Çfarë synoni me të? Çfarë synoni të arrini përmes këtij vendimi?

Ramush Haradinaj: Për mua është një kohë e gjatë që bëj përpjekje në parlament me i thirrë vetëdijes të të gjithëve, e veçanërisht të qeverisë që të hiqet dorë nga zbatimi i marrëveshjeve të damshme, një nga të cilat, njërën marrëveshje, Gjykata Kushtetuese e gjeti që në secilin nen të vetin nuk është në harmoni me Kushtetutën. Mirëpo një papërgjegjësi e qeverisë, një sistem që edhe me polici, edhe me masa policore, me na obligu me iu përshtat axhendës qeveritare, më ka shty mua sot me marrë këtë vendim. Pra është ky një vendim personal dhe nuk shoh si mundem me marrë pjesë në parlament në rrethanat si janë tani në parlamentin e vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, masat policore janë në përgjigje të veprimeve të opozitës me gazin lotsjellës dhe jo në përgjigje të argumentave politike tuaja dhe të opozitës.

Ramush Haradinaj: Opozita ka qenë më pak në numra që nga fillimi, mirëpo argumentat opozitare u vërtetuan të qëndrueshme edhe nga Gjykata Kushtetuese. Arroganca e pushtetit na ka detyruar me qenë kreativë me mënyrat e kundërshtimit. Ne nuk mburremi me këto mënyra të kundërshtimit, por prapëseprap jemi të zgjedhur të qytetarëve. Sot parlamenti i Kosovës ka mbajtur takim, por vetëm me pozitën. Pra imagjinoni kur përjashtohet e tërë opozita nga parlamenti. Ne kemi bërë rrugë të gjatë për me ardhë deri tek gazi lotsjellës. Pra kanë parapri plot veprime tona e thirrje për ndërgjegje që të mos veprohet me arrogancën e numrave në këtë drejtim, mirëpo nuk ka pasur mirëkuptim.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, ju po thoni që pozita vetëm është mbledhur sot në parlament, por edhe ju e keni shmangur parlamentin, e keni braktisur prej më shumë se një muaj.

Ramush Hadinaj: Kemi kërkuar t’iu jepet mundësi qytetarëve të deklarohen për këto marrëveshje; deklarim ka pasur përmes peticionit. Dy qind e ca mijë qytetarë kanë nënshkruar një peticion. Po ashtu me 17 shkurt dhjetëra mijëra, mbi 100 mijë qytetarë sipas vlerësimit tonë u mblodhën në Prishtinë dhe në mënyrën të më dinjtetshme shprehën kundërshtimin për këto marrëveshje, mirëpo mungesa e një reflektimi, po e përsëris edhe një herë, edhe ndaj peticionit, edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese që e ka gjetë marrëveshjen për bashkësinë e komunave në secilin nen të vetin jo në harmoni me Kushtetutën e vendit, mungesa e reflektimit pas protestës që ishte paqësore, që ishte e dinjitetshme nuk na lë rrugë tjetër. Në një mënyrë apo një tjetër, ky është obligimi ynë ndaj votuesve. Ne jemi të zgjedhur dhe përfaqësojmë qytetarët, dhe ata qytetarë ishin në shesh në Prishtinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, gjithsesi ju po përmendni argumentat politikë të opozitës. Por a nuk keni frikë se me këto veprime që po bëni, duke mos u ulur në parlament për t’i diskutuar argumentat tuaja po destabilizoni vendin?

Ramush Haradinaj: Ne kemi shqetësim serioz lidhur me këto marrëveshje dhe me papërgjegjësinë e qeverisë së vendit. Më herët, kur ka pasë situata, kur institucionet e vendit kanë rënë në konflikt me Gjykatën Kushtetuese, ose me Kushtetutën e vendit – (kur) Gjykata i ka gjetë në konflikt, kanë dhënë dorëheqje dy presidentë. Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka gjetë që kjo marrëveshje është në kundërshtim me secilin nen të vetin, me kushtetutën e vendit. Pra ne besojmë se është koha për reflektim dhe ne ndihmojmë që qytetarët e vendit të jenë aktivë dhe me kundërshtimin e organizuar... në një mënyrë ajo që u pa në Ditën e Pavarësisë është një fryt i përbashkët i një pune të të gjithë neve, pikërisht për mos me ardhë deri tek jo-stabiliteti, por në mënyrën më demokratike të mundshme me i dhanë Kosovës me dalë nga gjendja ku është. Në fakt unë këtë e dëshmova edhe në takimin e liderëve tek presidentja. Unë isha prezent në takim në mënyrë që të gjindet një zgjidhje për të dalë nga gjendja ku jemi.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, diplomatët perëndimorë ju kanë bërë thirrje vazhdimisht që ta shmangi dhunën në parlament dhe jashtë tij dhe në fakt edhe ju tani përmendni protestën paqësore kur në fakt mund ta kishit transferuar këtë lloj mënyre proteste edhe në parlament. Ku mendoni të arrini ju pa përkrahjen edhe të faktorit ndërkombëtar në Kosovë?

Ramush Haradinaj: Ajo që ka ndodhë të mërkurën, dhe numri i madh i qytetarëve mendoj që na obligon të gjithëve. Por jo vetëm ajo. Edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese na obligon reflektim. Zhvillimet në parlament vërtetë nuk janë të hijshme dhe askush nga ne nuk mburret me metodat e kundërshtimit. Mirëpo nuk guxojmë me mbetë peng vetëm duke pa metodat, duke pa vetëm gazin, duhet të shohim edhe pse gazi, dhe duhet t’ia bëjmë një pyetje vetes pse edhe pas gazit dhjetëra mijëra qytetarë janë në përkrahje të opozitës dhe ishin në Prishtinë me 17 shkurt, ose ishin më herët më 9 janar. Pra unë po ia them te qeveritë mike, po ia them edhe te Uashingtoni që vërtetë të kemi guximin me u sfidu në Kosovë, por me zgjedhje. Pra dalja nga kriza që kemi në vend janë zgjedhjet. Jo se zgjedhjet janë qëllimi, por janë mënyra me dalë nga gjendja ku jemi.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, qytetarët në Kosovë mund të kenë shqetësime të tjera, që nuk janë të lidhur me politikën; mund të jenë shqetësime ekonomike që kanë të bëjnë me jetën e tyre të përditshme. A mendoni se me këto lloj krizash politike, me këtë lloj gjendjeje të vazhdueshme ka një shmangie nga ato që janë nevojat e tyre të përditshme dhe një zvarritje në një situatë kaotike?

Ramush Haradinaj: Pajtohem me ju, por si dalim nga kjo gjendje? Gjendja e krijuar, në rast se kemi ta zëmë politizim të madh të institucioneve, në rast se kemi papunësi, ose korrupsion, si ka ardhë deri këtu? Ka ardh nga qeveritarët. Këto janë argumentat shtesë që në Kosovë pajtohemi me shku në zgjedhje. Zgjedhjet kishin pasë me ia dhanë mundësinë qytetarit të vendit me marrë vendim se si me vazhdu më tutje dhe do të ishin mënyra më e lehtë, dhe më e drejtë të dalim nga ku jemi. Unë në takimin me presidenten ofrova alternativë që edhe presidenti i vendit të zgjidhet me votë direkt, pra të mos insistohet për zgjedhjen e presidentit në parlament, me qenë se vendimi i mëhershëm i Gjykatës Kushtetuese e ka vështirësuar situatën me kuorumin. Pra të shkohet në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve t’i japim Kosovës një mundësi të re për plot probleme që kanë qytetarët e vendit që lidhen edhe me standardin, që lidhen me të gjitha aspektet e tjera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG