Lidhje

Ramush Haradinaj mbi zhvillimet politike në Prishtinë


Drejtuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, shprehu sot besimin se zgjedhjet do të krijojnë në Prishtinë një parlament më të fortë për të vendosur mbi të ardhmen e vendit. Ai dha këto komente për “Zërin e Amerikës” në Tiranë, pas publikimit të librit “Haga e Ramush Haradinajt” të autorit Majkëll Oreilli. Zoti Haradinaj deklaroi se shpërndarja e parlamentit erdhi si pasojë e pengimit të vendim-marrjes për vendime të rëndësishme.
Haradinaj për zgjedhjet
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

“Ka patur një ngecje në mundësinë e vendim-marrjeve të parlamentit. Ka patur edhe një humbje të shumicës për qeverinë. Shpërndarja e parlamentit është epilog i arsyeshëm. Por, unë kam menduar që epilogu më i drejtë do të ishte shkarkimi i qeverisë Thaçi, një qeveri që e kish humbur shumicën dhe që ishte shkaktare për ngecjen e vendim-marrjes edhe në parlament. Megjithatë, parlamenti vendosi që të miratojë shpërbërjen dhe shkuarjen në zgjedhje. Tani jemi në prag të zgjedhjeve dhe i uroj Kosovës zgjedhje të lira dhe të rregullta” - tha zoti Haradinaj.

Por sa do të ndryshojnë raportet dhe përbërja e parlamentit të ri pas zgjedhjeve? Zoti Haradinaj thotë se qytetatët e Kosovës do të zgjedhin një parlament të ri i cili do të jetë më energjik në vendim-marrje dhe kryesorja është që ai mbushet me njerëz të rinj dhe të pastër.

“Besoj që parlamenti i ri do të ketë ndryshime. Besoj se qytetarët do të zgjedhin njerëz sa më të besueshëm dhe për politikanë sa më seriozë dhe sa më të pastër, që nuk janë përfshirë në afera të kundërligjshme dhe që kanë një etikë që është më e mira për qytetarët e vendit” - tha zoti Haradinaj.

Ai shprehu shqetësimin pse 15 vjet pas çlirimit të Kosovës, ajo nuk mundet të krijojë një ushtri të vetën, ndërkohë që ngriti një gjykatë për ngjarjet e luftës. Megjithatë është optimist se Kosova ka nevojë për të dyja edhe për ushtrinë edhe për drejtësinë.

“Mendoj se cilësia apo mënyra si kemi qeverisë veten është për t'u kritikuar. Por shpresoj se do të ndryshojë shumëçka pas këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Pra, shpresoj se do t'i kthehemi vetvetes dhe cilësive të vërteta që kemi ne në Kosovë dhe mundësive që kemi. Nuk ka vend pa ligj, pa drejtësi, pa gjykatë, por po ashtu edhe ushtria është pjesë e vendeve të pavarura. Ne e konsiderojmë ushtrinë tonë si ndihmesë për paqen në botë, për NATO-n, e cila na ka mbështetur ne në kohë krize” - tha zoti Haradinaj.

Në ceremoninë e Universitetit Europian të Tiranës për publikimin e librit “Haga e Ramush Haradinajt” morën pjesë deputetë, nga forcat kryesore politike të Shqipërisë, historianë e diplomatë, gazetarë e studentë. Autori Oreilli, zoti Haradinaj, studiues, studentë dhe të gjithë folësit e tjerë i kushtuan më shumë vëmendje të ardhmes së Kosovës, bazuar në mësimet që solli e kaluara e saj.

XS
SM
MD
LG