Lidhje

Intervistë me Kryetarin e AAK të Kosovës

  • Laura Konda

Me grupin e të ftuarve që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, është edhe zoti Ramush Haradinaj, kryetari i Partisë Aleanca për ardhmërinë e Kosovës. Zotin Haradinaj e kishim të ftuar sot në emisionin Ditari të Zërit të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Më çfarë mbresash vini nga pjesëmarrja juaj në mëngjesin e lutjeve kombëtare këtu në Washington?

Ramush Haradinaj: Ishte hera e parë për mua. Kam dëgjuar prej kolegëve që kanë marrë pjesë më herët, në fakt u përputhën ato që kam dëgjuar. Ishte një ngjarje e mirë, në radhë të parë më ndjenja të mira, një mundësi me qenë bashkë, por edhe me i pa autoritete e zyrtarë të SHBA-së, por edhe shumë miq që merren me temat tona, me çështjet tona në Ballkan. Pra ishte një ngjarje e mirë.

Zëri i Amerikës: Ndërsa keni qenë këtu në Washingotn, në Prishtinë kanë vazhduar për disa ditë protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Çfarë reagimi keni ju për këto protesta?

Ramush Haradinaj: E kamë përcjellë situatën me protestat që po zhvillohen. Mendoj se kërkesat e studentëve janë të drejta, që të ndodhin ndryshime në Universitetin e Prishtinës. Më ka ardhur keq për eskalimin e protestës dhe për incidentet që kanë ndodhur. Por, besoj se kërkesat janë të drejta. Pra, janë kërkesa legjitime dhe është mirë që të reflektojnë institucionet e vendit, por edhe rektorati dhe rektori.

Zëri i Amerikës: Sipas jush, çfarë masash duhen marrë për t’i dhënë drejtim kësaj çështjeje?

Ramush Haradinaj: E para është mirë me i dhënë hapësirë Universitetit me reflektua, do të thotë me u shpallë edhe përgjegjësitë për gjendjen në Universitet, pse ka ndodhur ashtu si është gjendja, në mënyrë që ata që janë më përgjegjës për një gjendje të tillë, në bazë të këtyre përgjegjësive edhe të lirojnë hapësirë për kuadër të ri, për njerëz që dëshirojnë më i dhënë ndihmën e duhur Universitetit, që ai me qenë jo vetëm institucion i dijes, institucion i vlerave të shkencës, por edhe që të ketë një besim nga qytetarët she studentët në institucionin e universitetit.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit, konkretisht në konferencën e Munihut, sekretari amerikan i shtetit John Kerry, ngriti shqetësimet për korrupsionin në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Sipas jush, çfarë masash duhen marrë nga qeveria e Kosovës për këtë çështje?

Ramush Haradinaj: Po, funksionin e parë institucionet, qeveria, të gjitha institucionet e kanë, mospërfshirjen në korrupsion. Kjo do të ishte ndihmesa e parë. Më pastaj edhe një gjyqësor i pavarur, i fuqishëm, pra i përkrahur në shoqëri edhe një vetëdijesim i qytetarëve se mund të jetohet pa korrupsion, se mund të punohet pa korrupsion dhe se mund të ushtrohen të gjitha të drejtat ose të sipërmarrësve, ose të atyre që janë palë në punët e përbashkëta me institucionet pa korrupsion.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, gjatë viteve të fundit shume energji i është kushtuar bisedimeve me Serbinë dhe duket se janë lënë pas dore disa çështje të jetës ekonomike dhe sociale që kanë vendi. Sipas jush, cilat janë disa nga problemet me të cilat përballet sot populli i Kosovës?

Ramush Haradinaj: E para, në Ballkan është mirë kur vendet bashkëbisedojnë. Ne kemi pas interes për biseda për shkak se gjendjen në veri e kemi pasur të rëndë dhe nuk kishim një zgjidhje tjetër, një mënyre tjetër për ta zgjidhur. Janë arrite disa rezultate në veri dhe duhet t’i ruajmë ato të arritura, por edhe t’i zhvillojmë edhe më tutje duke integruar serbët e veriut në jetën institucionale të vendit. Ndërsa e fokusimit për çështje themelore qeverisëse, sikurse i cekëm më parë, ka ardhë në shprehje edhe para dialogut. Më vjen keq ta them në këtë rast, por kualiteti qeverisës shihet që në ditën një të qeverisjes dhe pastaj trendi i miri ose i keqi, vazhdon. Në Kosovë, duhet t’i kthehemi një gjendjeje të rendit dhe ligjit që është rend e ligj i mirëfilltë dhe njëkohësisht një oferte ekonomike për qytetarin e vendit në radhë të parë, për atë që është i papunë, me mundësi me u vetpunësu, për ata që punësojnë me njerëz me mundësi me e rritë numrin e vendeve të punës, por edhe për investime nga jashtë. Pra, kryesisht institucionet e Kosovës duhet të bëjnë atë që njihet si kredibilitet. Duhet t’ia kthejmë kredibilitetin ofertës sonë. Sot kredibiliteti ynë dhe i ofertës sonë, qoftë për qytetarin e vendit, qoftë për investitorin e jashtëm, është zbehur.

Zëri i Amerikës: Ky muaj është paraparë si periudhë e përfundimit të reformës zgjedhore. Në kuadër të saj aktualisht ka shume debate rreth vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë. Cili është qëndrimi juaj rreth kësaj çështjeje?

Ramush Haradinaj: E para, në kemi nevojë me e përmbyllë reformën dhe kemi nevojë me shku në zgjedhje me dakordim nga spektri politik, sepse do të ishin edhe zgjedhjet më të mira dhe Kosova ka nevojë të rrisë standardin e zgjedhjeve. Këto që shkuan, ishin të një standardi të mirë, por duhet të vazhdojmë ketë trend, nuk guxojmë të kthehemi prapa. Mirëpo, zhvillimet politike në vend janë me dinamike dhe nuk e di se a do të mund të marrim kohën e duhur që me e përmbyllë të tërën që kërkohet nga reforma zgjedhore. Mund të na ndodhë që të shkojmë në zgjedhje edhe më shpejt. Por, Kosova e ka po ashtu në interes që të sigurojë përfaqësimin e pakicave. Në fakt, komunitetet etnike në Kosovë përfaqësohen në institucionet e Kosovës edhe në legjislativ edhe në ekzekutiv edhe pa vendet e rezervuara. Por, unë dhe Aleanca kemi mbetur të hapur për mundësinë që Kosova me ju ofrue edhe një mandat komuniteteve etnike pra përmes vendeve të rezervuara, por ato megjithatë përfaqësohen në institucionet e vendit.

Zëri i Amerikës: Kohëve të fundit janë shtuar diskutimet rreth shqetësimeve që nxitë përfshirja e shqiptarëve në luftën në Siri. Sa janë serioze këto shqetësime dhe si e shihni nismën e qeverisë për miratimin e një ligji për këtë çështje?

Ramush Haradinaj: Kosova është një shoqëri shume tolerante në kuptimin fesë, në kuptimin e ndjenjave ndërfetare ndëretnike. Ka një tolerancë njerëzore. Është një shoqëri që ka jetuar me këtë tolerancë. Në Kosovë ka një kohë që rryma të ndryshme ekstremiste provojnë me nxënë vend në Kosovë, të cilat janë të dëmshme për Kosovën, të cilat veprojnë në mënyra të ndryshme duke i shkaktuar dëme vendit. Njëra nga këto mënyra, njëra nga pasojat e këtyre rrymave është edhe vullnetarët, qytetarët e Kosovës që shkojnë jashtë vendit për të marrë pjesë ne luftëra. Qytetarët e Kosovës mund të marrin pjesë në veprime luftarake vetëm në rast se shpallet gjendje lufte në bazë të rregullit, nga institucionet e vendit. Të gjithë ata që marrin pjesë në cilindo konflikt jashtë vendit, të pathirrur nga institucionet e vendit, atëherë ata veç kanë kryer një krim. Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë bërë veprim të duhur me e sanksionuar me ligj një sjellje të tillë të njerëzve. Por, unë e shfrytëzoj rastin më i ftu qytetarët e Kosovës, familjarët e djemve, të gjithë ata që kanë ndikim në Kosovë, që mos të bëjnë një krim të tillë dhe të mos marrin në qafë veten, por edhe mos t’i bëjnë dëme vendit tonë.
XS
SM
MD
LG