Lidhje

OSBE - ODIHR: E paqartë baza ligjore për hapjen e 60 kutive në Tiranë


OSBE - ODIHR: E paqartë baza ligjore për hapjen e 60 kutive në Tiranë
OSBE - ODIHR: E paqartë baza ligjore për hapjen e 60 kutive në Tiranë

OSBE/ODIHR-i ka publikuar një raport të përkohshëm për zgjedhjet lokale në Shqipëri. Në raport thuhet se pas vendimit të KQZ-së për numërimin e votave të hedhura në kuti të gabuara, tensioni është shtuar. Baza ligjore për hapjen e 60 kutive për të numëruar votat e hedhura gabimisht, thuhet në raport, është i paqartë për OSBE/ODIHR-in.

Në shumicën e vendit numërimi i votave në të 66 qendrat e numërimit përfundoi përgjithësisht me transparencë, ndonëse me ngadalësi. Në disa raste kandidatët humbës uruan fituesit. Megjithatë procesi i numërimit u ndikua nga niveli i lartë i mosbesimit të partive politike ndaj njera tjetrës, gjë që çoi në mosmarrëveshje, vonesa dhe bllokime në disa qendra numërimi. Partitë politike ndërhynë shpesh në procesin e numërimit duke drejtuar punën e anëtarëve të tyre në komisionet zgjedhore. Në momentin që u bë e qartë se gara në Tiranë do të vendosej nga një diferencë e vogël, vëmendja e vendit u kthye nga 11 qendrat e numërimit të Tiranës.

Numërimi në to u vonua për shkak të ndërprerjeve të paplanifikuara, mungesa e ekipeve të numërimit ose edhe arësye të tjera, shpesh politike. Vonesat shtuan tensionet në Tiranë, veçanërisht duke patur parasysh afërsinë e rezultatave paraprake. Pas përfundimit të numërimit në të 11 qendrat e Tiranës, më 14 maj, rezultatet paraprake jo-zyrtare, siç iu dorëzuan OSBE/ODIHR-it nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i jepnin zotit Rama 10 vota më shumë se zotit Basha. Zoti Rama shpalli fitoren pak pas kësaj, ndërsa zoti Basha tha se do të priste për rezultatet zyrtare.

Zyrtarë të Partisë Demokratike, përfshirë kryeministrin Sali Berisha, i bënë thirrje KQZ-së, të shqyrtonte si të vlefshme fletë-votimet për kryetar bashkie që u gjetën në kutitë ku hidhej fletë-votimi për organet e tjera të pushtetit lokal. Partia Socialiste kërkoi që KQZ-ja të jepte rezultatin e përcaktuar nga qendrat e numërimit të Tiranës. Deri në momentin e hartimit të raportit të OSBE/ODIHR-it, KQZ-ja nuk i kishte shpallur rezultatet zyrtare për Bashkinë e Tiranës. Më 18 maj, KQZ-ja filloi të hapte kutitë e disa KZAZ-ve, ku ishin votat për këshilltarët bashkiakë për të numëruar votat për kryetar bashkie të hedhura aty gabimisht. Që nga ky moment tensionet u shtuan.

Sipas kodit zgjedhor, KZAZ-të duhet të nxjerrin rezultatin e numërimit në orën 17 të ditës pas zgjedhjeve. Ky afat është konsideruar si jo-realist nga të gjithë dhe asnjë qendër nuk e përfundoi numërimin brenda tij. Numërimi në të gjitha qendrat, me përjashtim të Tiranës, përfunoi më 13 maj.

Gjatë numërimit gjithë fletë-votomit paraqiteshin para kamerave dhe shiheshin në ekran. Megjithatë ato jo gjithonë mund të shiheshin për shkak të pozicionit si ishin vendosur në kamera. Po ashtu vëzhguesit nuk lejoheshin t’u afroheshin tavolinave të numërimit dhe ishte e vështirë për ta për të parë në se fletë-votimet viheshin në blloqet korresponduese të kandidatëve përkatës. Po ashtu shqyrtimi i fletë-votimeve të kontenstuara nga ekipet numëruese apo nga anëtarët e KZAZ-ve nuk mund të shihej nga vëzhguesit.

KQZ-ja i shpallte rezultatet në faqen e saj të internetit në kohën që të dhënat hidheshin në sistem. Por deri në kohën që është shkruar raporti i OSBE/ODIHR-it, KQZ-ja ende nuk e ka përfshirë në faqen e saj të internetit rezultatin nga kutia e fundit e numëruar në Tiranë për kryetar bashkie dhe në faqen e saj shihet zoti Basha në krye.

Pas dorëzimit të rezultateve nga të 11 KZAZ-ët e Tiranës, KQZ-ja ka 48 orë afat për të verifikuar dokumentet dhe shpallur rezultatet për Tiranën. Të gjitha tabelat ishin dorëzuar më 16 maj, megjithëse tabela e KZAZ numër 49 nuk ishte miratuar nga shumica e anëtarëve të saj që i përkasin koalicionit qeveritar. Kryetari i kësaj qendre tha se kishte patur parregullsi në tabela. OSBE/ODIHR-it nuk i janë dhënë hollësi për to. Deri në këtë moment KQZ-ja nuk ka vendosur për tabelat e kësaj qendre.

Ndërsa vazhdonte puna për numërimin e fletëvotimeve për këshillat bashkiakë, zyrtarët e Partisë Demokratike bënë thirrje që votat për kryetar bashkie të gjetura në këto kuti të numëroheshin si të vlefshme për garën për kryetar bashkie, duke argumentuar se vullneti i votuesve ishte shprehur qartë në to. Partia Socialiste kundërshtoi me force, duke thënë se votat e hedhura në kutitë e gabuara ishin konsideruar vazhdimisht të pavlefshme deri në atë moment.

Kodi Zgjedhor nuk parashikon udhëzime për vlefshmërinë e votave të gjetura në kutinë e gabuar. Po ashtu kodi nuk ofron as procedura se si duhen trajtuar votat e gjetura në kuti të tjera. Nuk ka patur vendim të KQZ-së ose udhëzime mbi këtë çështje para ditës së zgjedhjes, po ashtu as manuali shpjegues i miratuar nga KQZ-ja për numërimin nuk jep këshilla për këtë rast, ndonëse vota në kuti të gabuar ka qënë një fenomen që ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme lokale. Anëtarët e ekipeve numëruese duket se ishin trejnuar që t’i konsideronin këto vota si të pavlefshme dhe votat në kutitë e gabuara u konsideruan si të pavlefshme në Tiranë deri në fund të procesit të numërimit të votave për kryetar bashkie më 14 maj.

Më 17 maj, 3 ditë pas përfundimit të numërimit të votive për kryetar bashkie në qendrën e fundit, kryetari i KQZ-së, propozozi një projekt-vendim sipas të cilit votat e hedhura në kutitë e gabuara duhet të konsideroheshin të vlefshme dhe do të numëroheshin nga vetë KQZ-ja. Ky numërim do të bëhej vetëm për votat e gjetura në kutitë e gabuara që ishin kontenstuar në nivel KZAZ-je. Sipas kryetarit të KQZ-së, projekt-vendimi u propozua pas kërkesës së paraqitur nga anëtarët e emëruar nga PD dhe LSI-ja në 7 KZAZ të Tiranës dhe përfshinin 60 kuti.

Anëtarët e opozitës në komisione e kundërshtuan këtë, duke thënë se KQZ-ja nuk kishte të drejtë të numëronte votat dhe mund të hapte kutitë vetëm pas një procesi apelimi. Më 18 maj, pas një votimi në parim 4 me 3, ndonëse asnjë vendim përfundimtar nuk u mor, KQZ-ja filloi të hapë 60 kutitë. Baza ligjore për hapjen e këtyre kutive është e paqartë për OSBE/ODIHR-in.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG