Lidhje

Raporti i A.I. - Në Shqipëri janë shtuar rastet e dhunës në familje


Raporti i A.I. - Në Shqipëri janë shtuar rastet e dhunës në familje
Raporti i A.I. - Në Shqipëri janë shtuar rastet e dhunës në familje

Raporti i publikuar dje nga organizata Amnesty International mbi të drejtat e njeriut thotë se përgjithësisht, viti i kaluar ka qenë periudhë historike për drejtësinë ndërkombëtare. Por raporti konstaton se ka qeveri për të cilat organizata thotë se shkelin ende ligjin e të drejtave të njeriut.

SHQIPËRIA

Raporti i organizatës Amnesty International për të drejtat e njeriut konstaton si një ndër problemet kryesore në Shqipëri shtimin e rasteve të dhunës në familje, shumë prej të cilave janë denoncuar në organet e rendit dhe pastaj janë tërhequr. Raporti thotë se gjatë nëntë muajve të parë të vitit të kaluar janë njoftuar rreth 990 raste dhune në familje, shumica ndaj grave.

Ndërkohë, ka patur arrestime dhe dënime për trafikimin e qenieve njerëzore dhe prostitucionit, thotë raporti. Gjatë 2009-ës, Gjykata për Krime të Rënda dënoi pesë persona për trafikimin e grave dhe katër për trafikimin e fëmijëve.

Mes shqetësimeve që ngre raporti është keqtrajtimi i të ndaluarve në stacionet e policisë dhe burgjet. Kushtet në këto burgje janë shumë të varfëra, pavarësisht se ka patur përmirësim në trajtimin e të burgosurve. Raporti shton gjithahtu se jetimëve në moshë të rritur nuk u është dhënë e drejta e tyre ligjore për strehim.

KOSOVA

Për sa i përket gjendjes së të drejtave të njeriut në Kosovë, raporti i Amnesty International thekson ndër problemet kryesore diskriminimin dhe dhunën ndër-etnike si dhe rritjen e numrit të inceidenteve që ndikojnë tek siguria e vendit dhe që kanë të bëjnë me komunitetet e pakicave. Raporti thotë se çështjet për krime lufte vazhdojnë të trajtohen nga sistemi i drejtësisë, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e fatit të më shumë se 1,800 personave të zhdukur.

Raporti vë theksin tek problemi i mosndëshkimit, duke cituar shembullin e policëve rumunë që u larguan në vendin e tyre pas vrasjes së dy pjesëtarëve të lëvizjes Vetvendosja gjatë protestave në Prishtinë kundër marrëveshjes së bashkëpunimit Eulex-Beograd.

Edhe dhuna në familje, konstaton raporti, është një problem mjaft shqetësues në Kosovë. Mes viteve 2003-2008, janë njoftuar 400 raste sulmesh seksuale, ku mbi një e treta e viktimave ishin nën moshën 16 vjeç. Shumica e rasteve, thotë raporti i Amnesty International, nuk janë denoncuar tek autoritetet e rendit.

XS
SM
MD
LG