Lidhje

Raporti i ri i Shtëpisë së Bardhë flet për gjendjen e grave në Amerikë

  • Faiza Elmasri

Raporti i ri i Shtëpisë së Bardhë flet për gjendjen e grave në Amerikë

Raporti i ri i Shtëpisë së Bardhë flet për gjendjen e grave në Amerikë

Marsi është muaji i historisë së gruas në Shtetet e Bashkuara, një mundësi për të ekzaminuar rrugën e përshkuar nga gratë dhe ato fusha ku ka ende punë për t’u bërë. Sipas një raporti të ri të publikuar kohët e fundit nga Shtëpia e Bardhë, një nga këto fusha është punësimi dhe të ardhurat. Synimi i këtij raporti është të merren vendime të mirë-informuara mbi politikat e së ardhmes, që sjellin ndryshime pozitive në jetët e grave, familjet e tyre dhe shoqërinë amerikane

Raporti “Gratë në Amerikë: Treguesit e Mirëqënies Sociale dhe Ekonomike” ofron një analizë të plotë të jetës së gruas.

“Është raporti i parë gjithëpërfshirës federal i këtij lloji që kur presidenti Kennedy emëroi Eleonor Roosevelt në fillim të viteve 1960 të hartonte një raport për gratë”.

Nënsekretarja për Marrëdhënie Ekonomike, Rebecca Blank thotë se raporti i ri mbulon pesë fusha kryesore të jetës së grave.

“Ai sjell të dhëna që fokusohen tek familjet, arsimi, të ardhurat dhe punësimi, shëndeti, krimi dhe dhuna dhe vë në dukje prirjet e zhvillimeve në jetët e grave në të gjithat fushat gjatë 20 apo 30 vjetëve të fundit”.

Të dhënat e grumbulluara nga agjenci të ndryshme federale thotë Blank, tregojnë tendenca pozitive dhe negative. Gratë ka më pak të ngjarë të jenë viktima të krimit, përfshirë vrasjet. Gratë po martohen më vonë dhe bëjnë më parë fëmijë se në të kaluarën. Ato përbëjnë 51 përqind të popullësisë së përgjithshme dhe 57 përqind të amerikanëve mbi 65 vjeç. Gratë janë më të prirura për të patur probleme shëndetësore si reumatizma, mbipesha dhe depresioni.. dhe më pak nga sëmundje të zemrës dhe diabeti. Raporti thekson përmirësime të ndjeshme në fushën e arsimit.

Por përparimi i grave në arsim nuk është përkthyer në barazi të ardhurash në vendet e punës.

“Një arsye është se gratë nuk shkojnë të punojnë në ato fusha që sjellin të ardhura të larta”.

Valerie Jarret është kryetare e Këshillit të Shtëpisë së Bardhë për Gratë dhe Vajzat që nxori raportin si një pasqyrë statistikore e grave sot. Ajo tha për kanalin ABC se administrata Obama kërkon të eliminojë hendekun e pagave.

“Prandaj Presidenti, që në fillim të administratës ka bërë përpjekje për të inkurajuar gratë dhe vajzat të shkojnë në fushën e shkencës dhe teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës”.

Sipas Lee Ann De Reus, asistente profesore për studimet e grave në Universitetin e Pensilvanisë, ka edhe arsye të tjera për pabarazinë e pagës.

“Kur gratë pranojnë një vend pune, ato nuk negociojnë pagën bazë ashtu si burrat. Ky raport tregon se kur gratë marrin një punë, ato nuk ka të ngjarë të negociojnë ngritjen e pagës gjatë viteve siç bëjnë burrat. Gjithashtu ka shumë gra që punojnë me orar të shkurtuar. Pra ka shumë arsye përse gratë ende mundohen të balancojnë punën dhe familjen në një mënyrë që nuk e bëjnë burrat. Pjesë e kësaj vjen nga koncepti që kemi për rolin e burrit në shoqëri dhe atë të gruas”.

Zonja De Reus thotë se shpreson që raporti Gratë në Amerikë do të hedhë dritë mbi mënyrën se si sfidat me të cilat përballen gratë ndikojnë sot tek fëmijët, familjet dhe shoqëria në tërësi.

XS
SM
MD
LG