Lidhje

Raporti "Vendet në Tranzicion 2010", Shqipëria ende shumë për të bërë

  • Zëri Amerikës

Raporti "Vendet në Tranzicion 2010", Shqipëria ende shumë për të bërë

Raporti "Vendet në Tranzicion 2010", Shqipëria ende shumë për të bërë

Një raport i organizatës Freedom House me qendër në Uashington i cili analizon përparimin e vendeve të ndryshme në aspekte të tilla si shoqëria civile apo procesi elektoral, jep një tabllo të përzier për Shqipërinë.

Freedom House e bën vlerësimin e vendeve të ndryshme me një sistem pikësh nga 1 deri në 7, sa më pak pikë, aq më i lartë është vlerësimi. Në aspektin e procesit elektoral, vlerësimi për Shqipërinë mbetet i pandryshuar, me 3,75 pikë ashtu si edhe në raportin e një viti më parë. Megjithëse zgjedhjet e qershorit 2009 plotësuan shumicën e standardeve të OSBE-së, thuhet në raport, ato nuk e realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’ju përmbajtur standardeve më të larta demokratike, ndonëse u quajtën zgjedhjet më të mira të mbajtura deri tani në Shqipëri. Raporti i kushton gjithashtu një paragraf qeverisjes kombëtare dhe aty thuhet se qeveria e re, e përbërë nga një koalicion i të djathtëve dhe i të majtëve, ka premtuar reforma rrënjësore në disa aspekte. Mirëpo, bojkotimi i kuvendit nga Partia Socialiste, vazhdon raporti, e ka penguar mjaft funksionimin e parlamentit. Për këtë arësye, raporti e ka ulur nga 4.25 në 4.5 vlerësimin e Shqipërisë lidhur me demokracinë në qeverisje.

Në raportin “Vendet në Tranzicion 2010” thuhet se media në Shqipëri ka bërë përparim në aspektin e teknologjisë që përdor por korniza ligjore që mbulon median e lirë nuk është ende e plotë. Kjo mungesë, duke i shtuar edhe transparencën e pakët në financimin e medias së shkruar apo asaj elektronike, favorizon më tepër interesat e pronarëve të saj dhe të politikanëve se sa ato të publikut dhe njëkohësisht dëmton cilësinë editoriale. Mbulimi nga media i zgjedhjeve të 2009-s, thotë raporti, favorizoi dy partitë kryesore duke i lënë jashtë mbulimit partitë më të vogla. Raporti shton se gazetaria investiguese vazhdon të jetë e kërcënuar dhe të gjitha këto e kanë ulur vlerësimin nga Freedom House për median e pavarur nga 3.75 në 4 pikë.

Si përsa i përket pavarësisë së gjyqësorit dhe korrupsionit, organizata Freedom House nuk vëren ndonjë ndryshim nga raporti i një viti më parë. Sistemi gjyqësor, thotë raporti nuk është krejtësisht i pavarur dhe Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën e gjyqësorit. Qeveria, thuhet në raport, vazhdon të ndërmarrë veprime për frikësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që institucionet shtetërore japin një shembull të keq në ekzekutimin e vendimeve të gjykatave. Ndërsa korrupsioni, thuhet në raport, vazhdon të jetë një dukuri e përhapur në Shqipëri dhe perceptimi i korrupsionit në shërbimet e ndryshme publike vazhdon të jetë i lartë. Imuniteti i zyrtarëve të lartë, thotë raporti, mbetet një pengesë në luftën kundër korrupsionit.

Në pjesën për Kosovën, raporti thotë se Kosova ka aspekte ku ka shënuar përparim, siç është procesi zgjedhor dhe shoqëria civile por ka edhe aspekte ku ka bërë hapa prapa, dhe këto janë demokracia në qeverisje, në shkallë kombëtare dhe lokale. Për qeverisjen kombëtare, raporti ve në dukje sidomos kufizimet në lirinë e fjalës dhe rolin dominues të qeverisë në ekonomi. Forcimi i institucioneve shtetërore i ka thelluar ndarjet përgjatë lumit Ibër ndërkohë që serbët në pjesët e tjera të vendit punuan me qeverinë qendrore dhe filluan të integrohen gradualisht me pjesën tjetër të vendit. Raporti thotë se aspektin e luftës kundër korrupsionit Kosova nuk shënoi ndonjë përparim gjatë vitit 2009.

XS
SM
MD
LG