Lidhje

Rasmusen: Rusia nuk po i respekton premtimet


Generalni sekretar NATO Anders Fog Rasmusen.
Generalni sekretar NATO Anders Fog Rasmusen.

Kreu i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, tha se nuk sheh asnjë shenjë se Rusia është duke respektuar angazhimin e saj ndërkombëtar në lidhje me Ukrainën. Ai i bëri komentet sot në Bruksel, ku ministrat e jashtëm të NATO-s u mblodhën për të diskutuar mes të tjerash mbi ndërtimin e aftësive ushtarake të Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen tha se ministrat e jashtëm, duke përfshirë Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, do të merrnin në "shqyrtim" marrëdhëniet me Rusinë për të vendosur se si do të vazhdohej më tej.

"Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës çoi në pezullimin e bashkëpunimit tonë praktik. Dhe më vjen keq të them se ne nuk shohim shenjat se Rusia po respekton angazhimet e veta ndërkombëtare. Pra, sot ne do të shqyrtojmë marrëdhëniet tona me Rusinë dhe të vendosin se si do të veprojmë më tej," tha Rasmusen.

Rusia mund të përballet me sanksione më të ashpra nga vendet e NATO-s në qoftë se ajo nuk pajtohet me kërkesën për të ndihmuar që t'i jepet fund dhunës mes mbrojtësve të Ukrainës dhe separatistëve rusë.

Në Moskë, sot dhoma e sipërme e parlamentit rus votoi për të hequr lejen që trupat ruse të hyjnë në Ukrainë, duke përmbushur një kërkesë të bërë dje nga presidenti Vladimir Putin për anulimin e kësaj lejeje.

NATO-ja ka akuzuar Rusinë për mbështetjen e separatistëve në Ukrainë, por Rusia e mohon këtë.

Ukraina tha dje se separatistët pro-rusë pranë kufirit rus rrëzuan një helikopter ushtarak ukrainas, duke shkaktuar vdekjen e të paktën nëntë ushtarëve.

Rrëzimi i helikopterit pranë qytetit lindor të Slovyanskut vjen më pak se një ditë pas njoftimit nga separatistët të një armëpushimi të përkohshëm në përpjekjet e tyre për të fituar autonominë nga qeveria e Kievit. Armëpushimi i tyre duhej të zbatohej paralelisht me atë të shpallur nga Kievi të premten.

XS
SM
MD
LG