Lidhje

Ratko Mlladiç del përpara gjyqit në Hagë, 11 akuza për krime

  • Zëri Amerikës

Njëzet vjet pasi trupat e tij filluan s pastrimin etnik në qytete dhe fshatrat jo-serbe të Bosnjes, gjenerali Ratko Mlladiç doli sot përpara gjyqit në Hagë nën 11 akuza për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.

Prokurori Dermot Groome e filloi deklaratën e hapjes duke u përqendruar në gjendjen e një djali 14-vjeçar, babai dhe xhaxhai i të cilit ishin mes 150 njerëzve të vrarë nga forcat serbe të Bosnjes në nëntor të vitit 1992, si pjesë e mizorive që shënuan fillimin e luftës.

"Bota po shihte me habi se në lagjet dhe fshatrat brenda në Evropë po bëhej gjenocid,” tha prokurori.

Groome tha se forcat e gjeneralit Mlladiç i vazhduan vrasjet deri në vitin 1995, kur ata masakruan rreth 8.000 burra muslimanë në Srebrenicë, masakra më e rëndë në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Ai u tregoi pastaj gjyqtarëve një video që tregonte pasojat e bombardimit të një tregu në Sarajevë ku u vranë dhjetëra njerëz.

"Udhëheqësit serbë të Bosnjes filluan një ofensivë mbi bashkëqytetarët e tyre të cilët i vunë në shënjestër për të vetmen arsye se ishin të kombësive jo serbe,
" tha zoti Groome.

"Vendi i tyre, jeta e tyre, dinjiteti i tyre u sulmuan në mënyrë të planifikuar me kujdes. Në disa vende ky sulm u ngrit në nivelin e gjenocidit,
" tha ai.

Mlladiçi, i veshur me kostum dhe kravatë, dukej më i shëndetshëm se seancat e mëparshme të paraburgimit. Ai duartrokiti në drejtim të mbështetësve të tij që rrinin në galeri. Herë pas here ai mbante shënime por nuk shfaqi asnjë emocion kur prokurorët flisnin mbi krimet për të cilat ai akuzohet.

Gjykatësi Alphons Orie i Holandës tha se gjykata po shikonte mundësinë e shtyrjes së paraqitjes së provave, që duhet të fillonte më 29 maj, për shkak të disa "gabimeve" të prokurorëve.

Zoti Groome tha se ai nuk do ta kundërshtonte një "shtyrje të arsyeshme."

Prokurorët do të paraqesin prova, përfshirë ditarët personalë të Mlladiçit për të treguar se i pandehuri ka patur gisht në secilin prej krimeve të përshkruar prej tyre.

Mlladiçi ka refuzuar të shprehet nëse i pranon apo jo akuzat por ka thënë se veproi për të mbrojtur serbët në Bosnje.

Nëse shpallet fajtor, ai përballet me dënimin maksimal - burgim i përjetshëm.

Mlladiçi u arrestua një vit më parë në një fshat afër Beogradit, duke i dhënë fund arratisë 15 vjeçare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG