Lidhje

Raundi i dytë i bisedimeve Prishtinë – Beograd


Raundi i dytë i bisedimeve Prishtinë – Beograd

Raundi i dytë i bisedimeve Prishtinë – Beograd

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit u takuan sot në Bruksel për të vazhduar bisedimet e filluara më 8 mars. Çështjet e energjisë dhe telekomunikacionit u hodhën në tryezën e bisedimeve gjatë ditës së sotme. Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës Edita Tahiri tha në fillim të takimit se pret më shumë përparim në këto bisedime.

Në raundin e parë të bisedimeve kemi pasur mundësinë të ulemi rreth tryezës dhe të shohim se si mendon secila palë për zgjidhjen e çështjeve praktike të cilat ngarkojnë agjendën e Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura. Pres që ky raund i bisedimeve do të shënojë më shumë përparim”, tha zonja Tahiri, duke nënvizuar se të dyja shtetet duhet të përpiqen të normalizojnë marrëdhëniet në fushën e energjisë dhe telekomunikacionit në të mirë të të dyja palëve por edhe të rajonit. Ajo vuri theksin në sic tha, ndërhyrjen e Serbisë në këto dy fusha në Kosovë.

Besimin në përparim në këto bisedime e shfaqi edhe shefi i delegacionit serb Borko Stefanovic. “Jemi optimist se mund të bëjë më shumë sesa herën e kaluar dhe shpresojmë që në fund të takimit të kemi diç më shumë, shpresoj diçka pozitive”, tha ai.

Përfaqësuesit e të dyja palëve pritet të shpeshtojnë takimet në muajt që vijnë dhe diplomatët ndërkombëtarë shpresojnë në afrimin e të dyja palëve dhe shkrirjen e marrëdhënieve të ngrira për shkak të refuzimit të Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës, të cilën deri tash e kanë njohur 75 vende të botës.

Në Prishtinë, opozita thotë se bisedimet janë në favor të Serbisë dhe Kosova nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre në këtë periudhë kur Beogradi refuzon të njoh pavarësinë e Kosovës dhe kontrollon një pjesë të territorit të saj me strukturat paralele. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, tha sot se fundi i bisedimeve do të shënojë edhe një hap drejt forcimit të paqes në rajon. “Unë besoj që këto bisedime, pa ndonjë entuziazëm të lartë, por duhet të përfundojnë me një marrëveshje paqësore, apo me një traktat të paqes në mes të dy vendeve tona dhe me një konsolidim të përhershëm të paqes”, tha zoti Kuqi.

Beogradi pre që si rezultat i këtyre bisedimeve, të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian por pa e njohur Kosovën. Kjo e fundit pret të afrohet me strukturat e Bashkimit Evropian, në radhë të parë të fitojë liberalizimin e vizave, meqë është vendi i vetëm në Evropën Juglindore që ka mbetur jashtë këtij procesi.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG