Lidhje

Albumi i ri i këngëtarit dhe kompozitorit Ray Bonneville


Këngëtari dhe kompozitori Ray Bonneville ka nxjerrë në treg një album të ri të quajtur “Easy Gone” me muzikë që pasqyron rrugën e tij muzikore dhe personale nga zona frankofone e Kanadasë e deri në shtëpinë e tij të tanishme në Austin të Teksasit. Admiruesit e artistit janë nga vende të ndryshme – nga Teksasi por edhe nga pjesë të tjera të Amerikës së Veriut dhe Evropës.

Koncertet e Ray Bonneville janë të pakta dhe përqendrohen te gjendja shpirtërore, ndjenjat ose historia.
Shumë nga këngët e tij kanë një cilësi bluzi, por ai thotë se është ndikuar nga stile të ndryshme kur ka interpretuar në klube të vogla nëpër Amerikë.

“Njerëzit më quajnë artist bluzi, por në të vërtetë unë jam i ndikuar jo vetëm nga muzika bluz. Jam ndikuar edhe nga muzika country dhe rhythm and blues.”

Muzika e Bonneville pasqyron gjithashtu jetën e tij që filloi me familjen e tij frankofone në Kanada, kur ai mësoi t’i binte kitarës.
Kur ishte 12 vjeç, familja e tij lëvizi në Shtetet e Bashkuara ku ai më pas, ndër të tjerash, punoi si shofer taksie, duke luajtur muzikë kryesisht për vetveten.

“Kam interpretuar për 20 vjet para se të kompozoja apo të regjistroja ndonjë këngë. Interpretoja muzikën e të tjerëve, por gjithmonë e ndryshoja pak, duke e bërë stilin tim. Si pasojë, kur fillova të kompozoja, kisha një stil timin që e kisha krijuar tashmë.”

Një nga gjërat që e bën të dashur Bonneville-in për tifozët e tij është mënyra se si ai përfshin historitë në këngët e tij.

“Sheh, dëgjon ose je dëshmitar i disa ngjarjeve, ose mund të dëgjosh një bisedë rastësisht dhe në një mënyrë ose tjetër këto histori kthehen në këngë dhe se kuptoj se si.”

Si shumë artistë të tjerë, Bonneville pranon misterin e procesit krijues dhe thjesht lejon që këngët të rrjedhin, kjo fatmirësisht për kënaqësinë e admiruesve të tij në mbarë botën.
XS
SM
MD
LG