Lidhje

Reagime pas anulimit të takimit Obama-Putin

  • Dan Robinson

Takimi ishte parashikuar të mbahej muajin e ardhshëm në Moskë para takimit të Grupit të 20-es në Shën Peterburg

Me një veprim që po quhet shuplakë diplomatike, Presidenti Barack Obama anuloi takimin e nivelit të lartë me Presidentin rus Vladimir Putin. Takimi ishte parashikuar të mbahej muajin e ardhshëm në Moskë para takimit të Grupit të 20-es në Shën Peterburg.


Zoti Obama dhe Presidenti Putin u takuan për herë të fundit në qershor kur morën pjesë në takimit e nivelit të lartë të Tetëshes në Irlandën Veriore.

Në qëndrimin e tyre dallohej tensioni i marrëdhënies personale.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë karakterizohen nga bashkëpunimi për një rreze të gjerë çështjesh, por edhe mosmarrëveshje të thella në çështje të tjera si lufta civile në Siri.

Që nga fillimi i presidencës së tij, zoti Obama e bëri rifillimin e marrëdhënieve me Moskën, një nga përparësitë kryesore të politikës së jashtme.

Rusia ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara që të mbajë të hapura rrugët e furnizimeve për trupat amerikane dhe trupa të tjera të huaja në Afganistan.

Dhe pas sulmeve terroriste të Bostonit, bashkëpunimi në fushën e zbulimit ishte i konsiderueshëm.

Por vendimi i Moskës për t’i dhënë strehim të përkohshëm Edward Snowdenit, ish-kontraktorit të zbulimit që përballet me akuza për spiunazh, e zemëroi Uashingtonin.

Me një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se një “analizë e kujdesshme” arriti në përfundimin se nuk ishte bërë përparim i mjaftueshëm mes dy palëve për të bërë të mundur takimin.

Çështja Snowden, thoshte deklarata, ishte një “faktor” që u mor në konsideratë në vendim.

Anthony Cordesman, një analist i politikës së jashtme në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, lë të kuptohet se vendimi i zotit Obama ishte marrë në kushtet e një klime politike të skajshme në Shtetet e Bashkuara.

“Duhet menduar se cili do të ishte reagimi brenda vendit nëse Presidenti takohej me zotin Putin, se nga do të vinin kritikat. Dhe a do ta dëmtonte një takim administratën më shumë sesa mungesa e tij? Përgjigjia: Kam përshtypjen se në klimën e sotme politike, merr përparësi politika e brendshme dhe interesat strategjike zënë vend të dytë”.

Në një intervistë në emisionin “The Tonight Show with Jay Leno”, zoti Obama përmendi çështjen Snowden si një shembull të kohëve kur Rusia i rikthehej asaj që ai e quajti “Mentalitet i Luftës së Ftohtë”.

Ndërkohë në rrugët e Moskës, reagimet për anulimin e takimit kanë qenë të ndryshme.


“Nuk mendoj se Obama veproi drejt. Ata janë presidentë, duhet të takohen. Kanë kaq shumë probleme për të zgjidhur dhe dikush po e shkatërron këtë marrëdhënie. Nuk është serioze. Për fat të keq, unë nuk jam gruaja e Presidentit kështuqë nuk mund ta them se pse presidenti Obama vendosi të mos ta takojë Putinin”.

“Duket se zoti Putin po sillet keq. Pse duhet të na interesojë a do ta takojë Presidenti Obama zotin Putin apo jo? Ne jemi të pavarur. Ne i zgjidhim vetë problemet tona. Nëse Obama nuk do, është vendimi i tij. Populli i tij të mendojë ç’të dojë”.

Në vend që të takohet me zotin Putin në Moskë, Presidenti Obama do të vizitojë Suedinë para se të shkojë në takimin e 20-es në Shën Peterburg.

XS
SM
MD
LG