Lidhje

GNK propozon shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë


GNK propozon shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
GNK propozon shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Grupi Ndërkombëtarë i Krizave, ka bërë thirrje sot për bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe përtej çështjeve teknike, përfshirë edhe mundësinë e shkëmbimit të territoreve, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtarë që të lehtësojë dialogun ndërmjet palëve. Këto komente janë bërë në raportin e fundit të këtij grupi për Kosovën pas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në të cilin thuhet mes tjerash se “dështimi për të negociuar në muajt e ardhshëm, mund ta ngrijë konfliktin për disa vjet, meqë palët po hyjnë në cikle elektorale, gjatë së cilave ka gjasa që konfliktit të përdoret për të mobilizuar ndjenjat nacionaliste dhe për t’ju shmangur kritikave për korrupsionin e brendshëm dhe për dështimet e qeverisë”.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar i Krizave u sugjeron Bashkimit Evropian, shteteve anëtarë të këtij mekanizmi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të lehtësojnë dialogun, i cili, siç thuhet, duhet të nisë sa më parë për të përfunduar në fillim të verës së 2011-ës.

Bisedimet, sipas raportit, do të duhej të përgatiteshin nga një diplomat i nivelit të lartë ndërkombëtar, dhe do të duhej të zhvilloheshin në nivelin e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Suksesi eventual që mund të arrihej që gjatë këtyre bisedimeve në çështjet, në të cilat është e interesuar Prishtina zyrtare, e që janë çështje të nivelit teknik, si doganat, çështjet tregtare, ato të komunikacionit, transportit dhe energjisë, sipas raportit, pengohet nga mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb.

Prishtina, thuhet në raport, shpreson që mendimi këshillëdhënës i Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë t’i “japë një shtytje të fortë” procesit të njohjes së shtetësisë së vendit. Mirëpo, për të ndryshuar qëndrimet e ngurta me Bashkimin Evropian dhe në radhët e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Kosovës ende i duhet pëlqimi i Serbisë për pavarësinë, së paku në mënyrë implicite përmes themelimit të një lloj marrëdhëniesh diplomatike dhe eventualisht njohjes së plotë formale, thuhet në raport.

Ndërkohë, mosmarrëveshjet kryesore ndërmjet dy palëve në terren thuhet se kanë të bëjnë me komunat në veri të Kosovës.

“Një autonomi më e madhe për veriun dhe një status autonom për monumentet Ortodokse Serbe, siç parashihet në Planin Ahtisaari, në shkëmbim për njohjen nga ana e Serbisë do të duhej të ishte e pranueshme për të dy palët”, thuhet në raport.

Lidhur me problemin e veriut, Grupi Ndërkombëtar i Krizave propozon tri zgjidhje të mundshme Plani i Ahtisaarit, autonomia më e zgjeruar dhe shkëmbimi i territoreve.

Ndonëse ndarja e pjesës veriore të Kosovës, e cila sipas raportit, shihet si një mundësi në Beograd për t’i hapur rrugën njohjes së pjesës së mbetur të Kosovës, ajo është e papranueshme për Prishtinën. Pala e Kosovës, megjithatë “jep disa shenja se mund të marrë parasysh shkëmbimin e veriut të banuar kryesisht me serbë, me pjesët e banuara me shqiptarë në Preshevë”

Përfaqësuesi i këtij grupi në Prishtinë Naim Rashiti i tha Zëri të Amerikës se në realitetin aktual, shkëmbimi i territoreve mbetet mundësia më e mirë.

Serbia duhet ta heqë ëndrrën se mund ta marrë veriun pa shkëmbim. Ndarja e njëanshme është e papranueshme. Por, nëse shkëmbimi i territoreve është një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, me vullnetin e tyre dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, atëherë nuk duhet të kundërshtohet nga faktori ndërkombëtarë. Dhe për këtë ne themi që faktori ndërkombëtarë duhet të ndihmojë dhe lehtësojë dialogun pa përcaktuar kushtet. Kushtet, kriteret dhe çështjet e temat për diskutime u mbeten Prishtinës dhe Beogradit si dy shtete”, tha zoti Rashiti

Ai thotë se Grupi i Krizave deri vonë ishte kundër një mundësie të tillë për shkak të ndikimeve që mund të kishte çdo ndryshim kufijsh në rajon. Por, sipas tij, po qe se për këtë do të arrihej një pajtim ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, askush nuk do të duhej të frikësohej për ndikime të tilla.

Historia ka treguar se në Ballkan nuk janë arritur marrëveshjet e tilla me paqe. Por, me këtë rast, nëse me të vërtetë është një zgjidhje paqësore, atëherë faktori ndërkombëtarë nuk ka arsye që të kundërshtojë. Dhe e dyta, ne kemi bërë hulumtime shumë të theksuara në Maqedoni, Bosnjë dhe në rajon për të parë reflektimet. Konkluzioni jonë është se ndarja e njëanshme e Kosovës do të ketë efekte negative me automatizëm në Maqedoni dhe në Bosnjë. Ndërsa, një rregullim me vullnet i të dyja palëve do të jetë i mirëseardhur dhe një mesazh për konfliktet tjera apo çështjet tjera diskutabile politike”, thekson zoti Rashiti.

Prishtina hedh poshtë idetë për shkëmbim territoresh

Prishtina zyrtare ka hedhur poshtë mundësinë që të hyjë në biseda me Serbinë për shkëmbim territoresh apo autonominë e veriut të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “nuk do të ketë në asnjë rrethanë as shkëmbim territoresh, as autonomi e as biseda me Serbinë për çështjet e serbëve të Kosovës. Me Serbinë do të ketë vetëm partneritet ndër-shtetëror. Nuk kemi çështje të hapura në kuptimin për Kosovën, për të biseduar me Serbinë. Me Serbinë kemi përmbyllur gjithçka në qershorin e vitit 1999, pastaj me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, pastaj e ka mbyllur edhe bota me prezantimin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare”.

Kryeministri Thaçi ka përsëritur me këtë rast se Kosova tashmë është shtet i pavarur, me integritet territorial të paprekshëm dhe të njohur ndërkombëtarisht dhe se në asnjë rrethanë nuk do të ketë kthim prapa apo rikujtim të memorieve të së kaluarës. “Kushtetuta jonë, ligjet tona janë bazë e fuqishme e shtet-ndërtimit tonë në këtë fazë kur jemi në proces të përmbylljes së suksesshme të pavarësisë së mbikëqyrur. Ne i kemi dhënë opinionet tona edhe në takimet që kemi pasur, sa i përket këtyre zhvillimeve, por me gjasë është menduar se do të prezantohet një opinion tjetër në Gjykatën Ndërkombëtare, kështu që ka mbetur memoria në të kaluarën. Por, shteti i Kosovës ka ecur shumë përpara dhe ky hap nuk do të ndalet, përkundrazi”, ka thënë kryeministri Thaçi.

XS
SM
MD
LG