Lidhje

Reagime për vendimin mbi 21 janarin

  • Ilirian Agolli

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se gjyqi për 21 janarin nuk ka filluar akoma.

Gjykata e shkallës së parë në Tiranë shpalli të pafajshëm komandantin e Gardës Kombëtare Andrea Prendi dhe ushtarakun tjetër Agim Llupo të pandehur për vrasjet gjatë protestës së opozitës socialiste në 21 janarin e dy viteve më parë. Menjëherë pas vendimit të shpallur nga trupi gjykues, një seri reagimesh të forta nisi në kryeqytet nga përfaqësues të partive kryesore politike dhe diplomacia amerikane.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se gjyqi për 21 janarin nuk ka filluar akoma dhe se drejtësia do ta thotë fjalën e saj me hetime të tjera në një kohë tjetër. “I siguroj të katër familjet, siç siguroj edhe vrasësit e sotëm të drejtësisë, se 21 janari është nga ato ngjarje që as nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht dhe as nuk mbyllen duke u gjykuar padrejtësisht” - tha ai.

Zoti Rama deklaroi se përgjegjësitë edhe për këtë vendim të fundit e ka kryeministri Sali Berisha. “Pafajësia e vrasësve, më shumë se vetë atyre, i duhet kryeministrit. Sot nuk pati gjykim, por vetëm një përqafim mes vrasësve të drejtësisë dhe vrasësve të katër protestuesve, që kërkonin një atdhe të drejtë” - tha zoti Rama.

Ndërsa kryeministri Sali Berisha deklaroi se ashtu si edhe më parë ai nuk do të komentojë vendimin e gjykatës. “Sot dhe asnjëherë nuk do të më gjeni kurrë të komentoj vendime gjykatash. Ky është qëndrimi im i prerë. Ky është një vend që ka sistemin e drejtësisë, sistemin e akuzës, ndaj as edhe një koment” - tha ai.

Megjithatë, një anëtar i qeverisë Berisha, ministri i drejtësisë, Eduard Halimi, deklaroi para mediave se kryetari i opozitës socialiste, Edi Rama po përpiqej të përfitonte politikisht prej ngjarjes së 21 janarit. “Edi Rama e ka politizuar këtë proces, duke ushtruar presion sistematik mbi organet e drejtësisë. Sot para drejtësisë duhet të ishte vetë Edi Rama, arkitekti i vetëm i dhunës ndaj institucioneve të pavarura dhe shtetit të së drejtës. Sulmi i tij tregon vetëm frikën se drejtësia shqiptare do t’i afrohet edhe karriges së tij” - tha ministri Halimi.

Në parlament deputetët e Partisë Socialiste të opozitës dolën nga salla plenare në shenjë proteste ndaj vendimit të gjykatës që shpalli të pafajshëm përfaqësuesit e Gardës për vrasjet e 21 janarit. Deputeti socialist Saimir Tahiri deklaroi se kjo ngjarje do të zbardhet dhe për viktimat do të bëhet drejtësi.

“Sot në këtë ditë u keni treguar Shqipërisë dhe shqiptarëve se nuk ka drejtësi atëherë kur pushteti merr guximin të të vjedhë e të të vrasë. Sot i keni treguar shqiptarëve se është e rrezikshme, të kushton kokën të kesh të drejtë kur pushteti e ka gabim” - tha deputeti Tahiri.

Ndërsa deputetët opozitarë dilnin nga seanca, kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, tha se gjykatat e sotme në Shqipëri nuk janë njëlloj me ato gjatë regjimit komunist. “Këta janë mësuar që në këtë sallë, 50 vite, të bënin edhe prokurorin edhe gjykatësin dhe kërkonin varje në litar. Të njëjtët jeni. Harrojeni! Kohët kanë ndryshuar” - tha ajo.

Me shqetësim për këtë vendim të gjykatës foli edhe kryetari i partisë Fryma e re Demokratike, Bamir Topi, ish president i Republikës dhe kryetar i KLD-së në kohën kur ndodhën ngjarjet e dhunshme. “Nuk komentoj teknikisht çështjet që u takojnë gjykatave, por marr në konsideratë atë uzurpim që i ka bërë shtetit dhe institucioneve kryeministri aktual. Mund të them që gjithçka vjen në mënyrë të paragjykuar. Aq më shumë për situata siç janë shprehur edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, dhe me atë shqetësim që u shpreh edhe ambasadori i SHBA-ve, natyrisht kjo duhet të na shqetësojë të gjithë të tjerëve” - tha zoti Topi.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës publikoi një deklaratë ku theksohet se “jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011”. Shtetet e Bashkuara, - theksohet në deklaratë, - dhanë ndihmë të shumanshme në hetimin e vrasjeve, duke përfshirë edhe ekspertizën nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë. “Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente” - përfundon deklarata e ambasadës amerikane në Shqipëri.

Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të akuzuar për vrasjen me armë zjarri të tre protestuesve gjatë protestave të opozitës në 21 Janar të vitit 2011. Prokuroria kërkoi 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon. Pas vendimit të sotëm Prokuroria njoftoi se do të vendosë për veprime të mëtejshme sapo të marrë të zbardhur arsyetimin e trupit gjykues për çështjen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG