Lidhje

Reagime të udhëheqësve botërorë për zhvillimet në Libi


Reagime të udhëheqësve botërorë për zhvillimet në Libi
Reagime të udhëheqësve botërorë për zhvillimet në Libi

Udhëheqësit botërorë po e përshëndesin përparimin e forcave kryengritëse në kryeqytetin libian Tripoli, si një hap përpara drejt përfundimit të dhunës dhe fillimit të një të ardhmeje demokratike.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon bëri sot thirrje për një tranzicion pa probleme dhe theksoi se Kombet e Bashkuara janë gati t’i japin popullit libian ndihma pas luftës. Ai tha se këtë javë do të mbajë një takim në Kombet e Bashkuara për Libinë me udhëheqësit e organizatave kryesore, përfshirë BE-në, Bashkimin Afrikan dhe Lidhjen Arabe.

Presidenti amerikan Barak Obama i bëri thirrje udhëheqësit Muamar Kadafi “të heqë dorë përfundimisht nga pushteti”, duke thënë se ka ardhur momenti i duhur që ai të largohet. Në një deklaratë që bëri mbrëmë, pasi rebelët libianë përparuan në Tripoli, zoti Obama tha se Muamar Kadafi duhet të pranojë se ai nuk e kontrollon më vendin. Presidenti Obama tha gjithashtu se SHBA do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me komunitetin ndërkombëtar për të mbështetur tranzicionin paqësor të Libisë në demokraci dhe i bëri thirrje Këshillit Kalimtar të opozitës të ketë parasysh interesat e të gjithë popullit libian.

Bashkimi Evropian, Britania dhe Italia kanë thënë se sundimit të zotit Kadafi po i vjen fundi dhe i bënë thirrje udhëheqësit libian të largohet nga pushteti, me qëllim që të shmangë gjakderdhjen e mëtejshme.

Ministrja e Jashtme e Bashkimit Evropian Katherine Ashton i bëri thirrje Këshillit Kombëtat të Tranzicionit dhe forcave të opozitës të fillojnë kalimin drejt një Libie të re, duke siguruar mbrojtjen e civilëve, respektimin e të drejtave njerëzore dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë në vend.

Kryeministri britanik David Kameron tha se përparimi i forcave rebele në drejtim të Tripolit i ndihmon vendet e Lindjes së Mesme në vendosjen e demokracisë në rajon. Zoti Cameron tha se Britania beson se ka dhënë ndihmesën e saj në parandalimin e një masakre ndaj njerëzve të pafajshëm në rajon dhe se ajo është krenare për rolin që ka luajtur në revolucionin libian.

Franca tha se kreu i grupit të opozitës libiane do të shkojë ditët e ardhshme në Libi. Franca ishte vendi i parë që njohu Këshillin Kombëtar të Tranzicionit si përfaqësuesin legjitim të popullit libian.

Egjipti e njohu sot zyrtarisht Këshillin Kombëtar Kalimtar si përfaqësuesin e ligjshëm të popullit libian.

Ndërkohë, Kina tha sot se “respekton zgjedhjen e popullit libian” dhe shpreson që në Libi të kthehet së shpejti qëndrueshmëria.

Afrika e Jugut tha se nuk i mbështet forcat rebele dhe i hodhi poshtë njoftimet se kishte dërguar në Libi një avion për evakuimin e Muamar Kadafit. Ministri i Jashtëm afrikanojugor Maite Nkoana-Mashabane tha se Muamar Kadafi nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë strehim politik në Afrikën e Jugut.

XS
SM
MD
LG