Lidhje

Reagime të përziera në Rusi mbi planet për shkëmbim postesh Putin-Medvedev

  • Xhejms Bruks

Reagime të përziera në Rusi mbi planet për shkëmbim postesh Putin-Medvedev

Reagime të përziera në Rusi mbi planet për shkëmbim postesh Putin-Medvedev

Anketat në Rusi tregojnë se kryeministri Vladimir Putin ka të ngjarë të fitojë zgjedhjet presidenciale dhe të ndërrojë pozitë me Presidentin Dmitri Medvedev. Zoti Medvedev, i cili zuri vendin e Vladimir Putinit në vitin 2008, e propozoi zyrtarisht këtë lëvizje të shtunën në Kongresin e partisë që ka pushtetin në Rusi. Pavarësisht nga anketat, rusët që komentuan për Zërin e Amerikës, kishin reagime të përziera:

Shkëmbimi i planifikuar me kujdes ndërmjet kryeministrit Vladimir Putin dhe presidentit Dmitri Medvedev, i njoftuar të shtunën, transmetohet herë-pas-here në televizionin shtetëror rus.

Por prapa kamerave, jo të gjithë duartrokasin. Ditën që u bë njoftimi, këta protestues brohorisnin “Rusia pa Putinin”.

Ilia Yashin i lëvizjes opozitare Solidariteti akuzon presidentin Medvedev se thjesht ka shërbyer për t’ia mbajtur fronin ngrohtë Putinit:

“Putin po kthehet, megjithëse nuk u largua asnjëherë. Të gjithë e kishin krejt të qartë se ai ishte kreu i gjithë bandës së tyre të hajdutëve dhe matrapazëve gjatë 4 vjetëve të fundit dhe Medvedevi shërbeu për t’i ruajtur karrigen”.

Përveç akuzave ndaj qeverisë së zotit Putin për korrupsion, zoti Yashin ndalet edhe tek hendeku në rritje mes të pasurve dhe të varfërve:

“Rusia është në krye të listës së revistës Forbes me numrin e miliarderëve, ndërsa 20 milionë vetë jetojnë në varfëri”.

Por në një qytet me 12 milionë vetë, vetëm 250 mblidhen për një tubim kundër Putinit. Dhe disa prej tyre nuk janë të bindur.

Sergei Nikolajeviç, oficer në pension, doli thjesht nga kureshtja. Ai nuk shqetësohet nga gjendja politike, pasi Rusia ka burime të shumta natyrore:

“Në një vend relativisht të pasur me burime si naftë e gaz, nuk ka gjasa për revolucion”.

Në një park aty pranë, pjesa më e madhe e banorëve nuk duan të flasin për politikë. Vladimir Aristarkov, punonjës në një shtëpi botimi, ka në plan të votojë për komunistët e opozitës, në shenjë proteste. Ai thotë se Putin dhe Medvedev mund të vazhdojnë ta mbajnë pushtetin për një çerek shekulli:

“Kjo dyshe, pra Putin dhe kopia e tij në miniaturë do të qëndrojnë në pushtet sa kohë të munden”.

Shoku i tij Dima, punëtor në transport, shqetësohet se Rusia ka përpara stanjacion ekonomik:

“Vendi ishte në stanjacion dhe do të vazhdojë të jetë për 12 vjet të tjerë. Putin do të qëndrojë në pushtet për 8 vjet dhe jam i bindur edhe për 8 vjet më pas”.

Faqja elektronike Dozhd zhvilloi një anketë ku u kërkon pjesëmarrësve të japin reagimet e tyre për kthimin e Putinit në Kremlin. Pjesa më e madhe zgjedhin emigracionin.

Andrei, një 34-vjeçar specialist kompiuterash, do të qëndrojë. Por ai nuk është i kënaqur me perspektivën e kthimit të Putinit në Kremlin:

“Na bën pak a shumë si në kohën e Bashkimit Sovjetik. Kemi një parti, një qeveri, një udhëheqës”.

Andrei shqetësohet se avantazhi më i madh i vendit, rezervat e tij të naftës dhe gazit, janë po ashtu thembra e Akilit për Rusinë.

“Jemi varur shumë tek çmimi i naftës dhe gazit, gjë që e bën ekonominë tonë shumë delikate”.

Andrei thotë se nëse kriza globale sjell rënie të çmimeve të karburantit, tranzicioni politik në Rusi mund të gjendet përballë një ballafaqimi të ashpër me realitetin.


XS
SM
MD
LG