Lidhje

E ardhmja e teknologjive virtuale


Cilat teknologji futuriste do të përdorte marina amerikane gjatë një lufte? Publiku, kohët e fundit, pati rastin t’i hidhte një vështrim disa prej mundësive, gjatë një demonstrimi në laboratorin Mixed Reality, pjesë e Institutit të Teknologjive Krijuese në Universitetit e Kalifornisë Jugore. I quajtur E2C2, dhe me emrin e koduar: "Blueshark", qëllimi i projektit është të shohë se si realiteti virtual mund të transformojë mënyrën se si marina komunikon dhe bashkëpunon – elementë që janë thelbësorë për luftë.

Gjëra që dikur vetëm mund të imagjinoheshin në vepra fantastiko-shkencore, mund të bëhen së shpejti realitet. Të pranishmit, duke përfshirë studentin e regjisurës Dean Moro, mundën ta shihnin këtë të ardhme të mundshme me ndihmën e një kompjuteri, kufjeve dhe dorezave me sensorë.

"Sytë e tu zhyten në një mjedis krejtësisht stereoskopik tridimensional (3D) dhe kur sytë e tu janë atje, mendja jote është atje, veshët e tu janë atje dhe drejtohesh nga një rreshter që ka një zë kompjuterik, por që gjithsesi funksionon."

"Në vend që t’i shohësh të dhënat në ekrane të zakonshme 2D, për shembull, ato mund t’i kesh pezull në një hartë 3D para teje," thotë z. Mark Bolas.

Ai është drejtot i laboratorit Mixed Reality në Universitetin e Kalifornisë Jugore. Ky laborator po zhvillon një hapësirë futuriste pune për marinën, duke përdorur realitetin virtual.

Qëllimi i projektit është të mund të imagjinohet teknologjia që do të jetë në dispozicion pas 15 vjetësh, në mënyrë që anijet e marinës të mund të bëhen më të lehta, të mbrojtura më mirë dhe të ketë më shumë informacion për detarët, për t’i ndihmuar ata në marrjen e vendimeve më të sakta.

"Nëse ndërton një anije, është mirë që të mendosh lidhur me ‘design’-in e kësaj anije të paktën 15 vjet para se ta ndërtosh, sepse kjo është koha që do të duhet për ta krijuar."

Zoti Bolas dhe ekipi i tij kanë vizituar lloje të ndryshme anijesh për të mësuar në lidhje me problemet e botës reale dhe se si realiteti virtual dhe modelet 3D mund të ndihmojnë, që nga projektimi i anijeve deri tek përmirësimet operacionale, duke përfshirë përdorimin e kamerave të vendosura në mënyrë strategjike.

"Në demonstrimin tonë këtu mund të shihni se është e mundur të vihesh virtualisht në sytë e një avioni pa pilot që mund të jetë qindra milje larg nga anija. Por në vend që të përpiqesh të kuptosh mjedisin përreth përmes videove të dërguara prej avionit, mundesh në një farë mënyre të fluturosh në të."

Mark Bolas thotë se programet e reja kompjuterike dhe pajisjet në të ardhmen e afërt mund të çojnë në fundin e ekraneve tradicionalë të kompjuterave.

Me teknologjitë futuriste të sensorëve, çdo sipërfaqe, si një copë xhami për shembull, mund të bëhet një ekran me prekje.

"Çdo sipërfaqe mund të bëhet një sipërfaqe aktive që mund të ndjejë ku po prekni duke ndjekur lëvizjet e dorës dhe duke ditur se kur shtypni në të."

Studenti Dean Moro thotë se shumë industri mund të përfitojnë nga kjo kënd futurist pune.

"Ndoshta kjo është një mënyrë më e frytshme për të punuar për njerëzit krijues, sepse je duke përdorur të gjithë trupin për të punuar, në vend që të rrish i përkulur duke shkruar në një laptop."

Mark Bolas thotë se shumë prej këtyre teknologjive të realitetit virtual mund të dalin në tregun komercial para se të përdoren në anije të marinës.

XS
SM
MD
LG