Lidhje

Rebelët libianë, gati të sulmojnë Bani Valid-in, bazë e forcave të Gadafit


Rebelët libianë, gati të sulmojnë Bani Valid-in, bazë e forcave të Gadafit
Rebelët libianë, gati të sulmojnë Bani Valid-in, bazë e forcave të Gadafit

Rebelët libianë thonë se janë gati të rrethojnë Bani Walid, një nga bazat që i kanë mbetur ish-udhëheqësit libian Muamar Gadafi. Luftëtarët kundër Gadafit thanë sot se janë gati të kryejnë sulmin.

Këshilli Kalimtar i Libisë i bëri dje thirrje civilëve në zonat që ende janë nën kontrollin e forcave të Gadafit, t’u bashkohen forcave kryengritëse, duke u zotuar se ndaj tyre nuk do të ketë hakmarrje. Zyrtarët e forcave rebelëve thonë se ata janë në “pozita të forta” dhe se mund të hyjnë në çdo kohë në qytet, por se duan të shmangin gjakderdhjen.

"Tani jemi përqëndruar në qytetin Um al-Gindel dhe jemi të gjithë të bashkuar në një vijë të vetme mbrojtëse. Ndodhemi 80 km larg nga Sirte dhe jemi gati për luftim, madje në gjendje të mirë shpirtërore. Kemi përgatitur me kujdes disa plane, për të patur sukses në sulmin ndaj qytetit Sirte." - tha zëdhënësi.

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit e ka shtyrë deri të shtunën e ardhshme afatin për dorëzimin e të gjithë kundrështarëve. Zyrtarët e Këshillit shpresojnë se mund ta shmangin rrethimin në zonat e banuara nga civilët.

“Kemi bërë presion. Situata është në favor të revolucionit. Bani Walid është pjesë e tij dhe dashtë zoti, do të çlirohet nga vetë banorët."- tha ai.

Zëdhënësi i Muamar Gadafit i hodhi poshtë sygjerimet se Bani Walid do të dorëzohet. Musa Brahim dje këmbënguli se udhëheqësit fisnorë vazhdojnë të jenë besnikë të Gadafit:

“Ju siguroj se Bani Walid është një qytet i madh, bazë e njërit prej fiseve më të mëdha të Libisë. Ata kanë deklaruar besnikërinë ndaj udhëheqësit të tyre, Gadafit dhe kanë refuzuar të gjitha përpjekjet për negociata me Këshillin Kalimtar."

Ambasadori i Turqisë në Libinë e pas luftës, i bëri thirrje Muamar Gadafit të dorëzohet, për të shmangur e gjakdershjen, duke shtuar se udhëheqësi i larguar nga pushteti duhet të dorëzohet para drejtësisë së popullit të tij.

Edhe Ministri i Jashtëm Italian Franco Ftarrini paralajmëroi sot për një spastrim gjithëpërfshirës të zyrtarëve ushtarakë të Gadafit, duke i bërë thirrje Libisë dhe komunitetit ndërkombëtar të mos përsërisin të njëjtin gabim të madh që u bë me Irakun.

SHBA dhe Iraku e shpërbënë ushtrinë irakiane, pas rrëzimit të Sadam Huseinit në vitin 2003, duke i lënë në mes të rrugës shumë nga ushtarakët, disa prej të cilëve u bashkuan me forcat kryengritëse. Ministri italian Fratini, po ashtu theksoi rëndësinë që ka parandalimi i depërtimit të elementëve ekstremistë në qeverinë e re libiane.

XS
SM
MD
LG