Lidhje

Reeker: Ecuria e zgjedhjeve, provë për pjekurinë demokratike në Shqipëri


Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker bën thirrje për zgjidhjen e situatës me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker tha të hënën se udhëheqësit politikë dhe populli shqiptar duhet të marrin disa vendime të vështira për të ardhmen e tyre.

Në një seancë për Shqipërinë, organizuar nga Komsioni amerikan i Helsinkit, zoti Reeker vlerësoi përparimin e deritanishëm të vendit dhe shprehu mbështetjen për integrimin evropian të tij, por shtoi se Shtetet e Bashkuara ndajnë mendimin e Komisionit Evropian se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë një provë kritike për institucionet demokratike dhe gadishmërinë e Shqipërisë për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian.



“Ndërsa presim zgjedhjet parlamentare, Shtetet e Bashkuara janë shprehur qartë se për të përmbushur standardet ndërkombëtare, duhet të respektohet pavarësia e institucioneve; debati politik duhet të jetë konstruktiv dhe civil; dhe populli shqiptar duhet të ketë besim si në proces ashtu edhe në rezultate”.

Zoti Reeker tha se Shtetet e Bashkuara janë veçanërisht të shqetësuara për pavarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se KQZ-ja nuk duhet të bëhet objekt ndërhyrjeje i asnjë individi, partie politike, apo institucioni, përfshirë Parlamentin.

“Anëtarët e KQZ-së që janë përzgjedhur dhe caktuar mbi bazën e një konsensusi ndërpartiak dhe në përputhje me Kodin Elektoral, duhet të jenë apolitikë. Me të marrë detyrën, anëtarët e KQZ-së janë të angazhuar dhe të detyruar që t’i zbatojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të paanshme për të realizuar zgjedhje të lira, të drejta dhe zgjedhje demokratike në Shqipëri”.

Zoti Reeker i inkurajoi udhëheqësit e partive politike që të arrijnë një kompromis në mënyrë që KQZ-ja të mund të administrojë zgjedhjet në mënyrë efektive, gjë që siç tha ai nuk aktualisht nuk është e mundur me numrin aktual të anëtarëve.

“Ecuria e këtyre zgjedhjeve do të jetë një tregues i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe do të dërgojë një sinjal të qartë nëse Shqipëria është gati për statusin e kandidatit të BE-së. Po ashtu do të ketë ndikim në marrëdhëniet tona dypalëshe me Shqipërinë”, tha zoti Reeker.

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit ritheksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të ardhmen e Shqipërisë dhe do të vazhdojnë angazhimin për të ndihmuar Shqipërinë të ndërtojë dhe konsolidojë institucionet demokratike, të respektojë shtetin ligjor, të luftojë krimin dhe korrupsionin dhe të zhvillojë një ekonomi tregu për të sjellë mirëqenie për popullin shqiptar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG