Lidhje

Reeker: Retorikat nacionaliste kundërproduktive


Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Philip Reeker tha mbrëmë se retorikat dhe thirrjet nacionaliste për bashkim të shqiptarëve janë kundërproduktive dhe të papërgjegjshme, ndërsa ritheksoi se harta e Europeës është e përcaktuar dhe se shtetet e Bashkuara në mënyrë të palëkundshme janë kundër cdo ndryshimi kufijsh. Këto komente zoti Reeker i bëri në Tiranë gjatë një një interviste në emisionin Top Story në televizionin Top Channel. Zyrtari amerikan vuri theksin edhe te rëndësia që zgjedhjet e ardhshme të qershorit të jenë të ndershme dhe transparente, ndërsa rikonfirmoi se lidhur me procesin për ngjarjet e 21 janarit ku gjykata e Tiranës dha pafajësinë për dy drejtues të Gardës së Republikës Uashingtoni kishte pritur që të kishte llogaridhënie.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan I Shtetit Philip Reeker nis sot disa takime zyrtare në Tiranë me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës Edi Rama. Një javë më parë po në televizionin Top Channel ne emisionin Top Story u publikuan pjesë të një note të Uashingtonin dërguar në fund të muajt janar, ministrisë së jashtme shqiptare ku dënoheshin me tone të forta deklaratat me sfond nacionalist duke theksuar “zhgënjimin e thellë dhe shqetësimin liderët shqiptarë po i largohen rolit tradicional konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon”.

Retorika nacionaliste u shfaq në skenën politike shqiptare si një mjet tërheqës, I përdorur nga forca e re e porsa lindur Aleanca Kuqezi. Në atmosferën e festimeve të pavarësisë ajo u rimorr nga kryeministri Sali Berisha i cili disa herë përsëriti thirrje për bashkimin e shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre etnike. Incidentet në Luginën e Preshevës të provokuara nga heqja e pllakës përkujtimore kushtuar të rënënë të Ushtrisë për Clirimin e Preshevës, Mevdegjës e Bujanovcit, i risollën dhe një herë në vëmendje thirrjet nacionaliste me reagimet e forta të Tiranës.

Përmes ambasadorit amerikan në TIranë Aleksandër Arvizu, Shtetet e Bashkuara shprehën hapur shqetësimin e tyre për këtë valë nacionaliste. Duket se kjo cështje do të mizotërojë edhe në takimet e sotme të zotit Reeker, i cili foli gjatë për këtë temë edhe në intervistën e mbrëmshme. “Harta e Europës është e përcaktuar. Kufijtë janë të përcaktuara dhe SHBA janë në mënyrë të palëkundshme kundër cdo ndryshimi kufiri. Kështu që thirrja për të bashkuar shqiptarët apo grupet në bazë të etniciteteve ose nacionalizmave është kundërproduktive dhe është e papërgjegjshme. Dhe ne do të flasim për këtë sepse ato shpërqendrojnë vëmendjen nga përparësitë për rajonin”, deklaroi zoti Reeker.

Zyrtari amerikan nënvizoi se e ardhmja e rajonit të Balkanit është në Bashkimin europian dhe se të gjithë në vend që të shpërqëndrohen nga retorikat e panevojshme nacionaliste duhet të përqëndrohen n atë që në të vërtetë do të përmirësonte jetën e qytetarëve duke krijuar më shumë mundësi për ta dhe brezat që do të pasojnë.

Sipas zotit Reeker, ka një mesazh që është për të gjithë në rajon “sepse është një dorë që i është shtrirë të gjithëve që të ofrojmë ndihmën tonë përfshirë dhe Shqipërinë që të eci përpara dhe ky proces nuk lehtësohet prej nacionalizmave të panevojshme, shpërqëndruese sepse kjo shpie në destabilitet dhe nuk është e mirëpritur nga të tjerët në rajon”, vuir në dukje ai.

Zyrtari i lartë i departamentit të Shtetit u ndal edhe në cështjen e zgjedhjeve të ardhshme dhe shqetësimet lidhur me to. “Këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme për Brukselin dhe Uashingtonin sepse ato do të vendosin tonin për fazën e ardhshme të Shqipërisë. Kemi parë probleme në zgjedhjet në të shkuarën dhe ne duam që të punojmë së bashku t’ju ndihmojmë që të sigurohemi që ju të bëni që këto zgjedhje të jenë absolutisht të suksesshme. Dhe për këtë arsye presim nga të gjithë, nga të gjitha partitë dhe politikanët që të punojnë së bashku në mënyrë që në qershor të mund të ofrojnë zgjedhje që janë të lira e të ndershme e të shihen si të tilla nga të gjitha palët.Duke punuar së bashkë këto zgjidhje mund të jenë të suksesshme e të shihen të tilla nga Uashingtoni dhe Brukseli, por me e rëndësishme që të shihen të tilla nga populli shqiptar”, nënvizoi zoti Reeker.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, u vu në qendër të vëmendjes javën e shkuar për qëndrimin e fortë që mbajti ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës për të shpallur të pafajshëm dy drejtuesit e Gardës së Republikës të akuzuar për vrasjen e tre prej manifestuesve të protestës së 21 janarit të vitit 2011. “Është deklaratë e koordinuar me Uashingtonin dhe ne kemi qenë të shqetësuar nga vendimi dhe kemi shprehur pikëpamjet tona për të. Asgjë nuk ka për të rikthyer jetën e katër të vrarëve atë ditë që u lënduan, familjet e të cilëve janë ndryshuar përgjithmonë, por ajo që njerëzit duan të shohin është llogaridhënia dhe ne kemi dhënë asistencën tonë kur na është kërkuar nga Shqipëria dhe ne e kemi ofruar këtë. Ndaj ne kërkojmë që të ketë llogaridhënie”, theksoi zoti Reeker.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG