Lidhje

Reeker mbi angazhimin amerikan në Ballkan


Gjatë një video konference nga Nju Jorku, ai foli për marrëveshjen Kosovë-Serbi, zgjedhjet lokale në Kosovë si dhe zgjedhjet e qershorit në Shqipëri

Shtetet e Bashkuara mbeten shumë të angazhuara në mbështetjen e aspiratave të vendeve ballkanike drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kështu u shpreh Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker gjatë një video konference nga Nju Jorku, kushtuar angazhimit amerikan në Ballkan. Zoti Reeker foli për një sërë çështjesh, mes tyre zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, zgjedhjet lokale në Kosovë si dhe zgjedhjet e qershorit në Shqipëri.

Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker tha se rajoni i Ballkanit ka dhënë shenja të shkëputes nga mënyra se si janë bërë gjërat në të kaluarën. Dhe në vend që të mbërthehen tek e kaluara, udhëheqësit e vendeve ballkanike po shikojnë nga e ardhmja. Zoti Reeker theksoi se udhëheqësit e këtyre vende po marrin disa vendime të vështira, por edhe të mira, duke u angazhuar me qytetarët, duke diskutuar lidhur me drejtimin që po marrin dhe objektivat, që duan të arrijnë, lidhur me rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Ne kemi përjetuar një angazhim shumë të madh mes Kosovës dhe Serbisë, ku qeveritë e të dy vendeve kanë arritur në përfundimin se status quoja nuk po i ndihmonte ata dhe popujt e tyre që të ecnin përpara, duke zbatuar marrëveshjen e 19 prillit në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Tani po shikojmë përfitime lidhur me integrimet evropiane. Këto janë hapa shumë të rëndësishëm në këtë proces dhe Shtetet e Bashkuara kanë uruar si Prishtinën dhe Beogradin për punën e tyre, por edhe angazhimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian”.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit për një kohë të gjatë. Zoti Reeker tha se ndërsa për zbatimin e marrëveshjes mbetet ende shumë punë për t’u bërë, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen në muajt dhe vitet e ardhshme, duke punuar së bashku për zgjidhjen e çështjeve të vështira.

“Ne vlerësuam lart udhëheqjen e guximshme dhe punën e madhe që u bë nga të dyja palët si Prishtina edhe Beogradi si dhe nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Cathrine Ashton. Ne do të vazhdojnë të jemi të angazhuar dhe do të mbështesin me të gjitha mënyrat vazhdimin e procesit të zbatimit të marrëveshjes së rëndësishme që u arrit në Bruksel”.

Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit tha se, ashtu siç kërkohet në marrëveshje, Kosova do të mbajë zgjedhjet lokale më 3 nëntor, të cilat ai i cilësoi si shumë të rëndësishme. Këto zgjedhje, tha ai, përbëjnë një mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në institucione, që kanë për qëllim të përmirësojnë jetën e tyre.

Duke qëndruar në mbajtjen e zgjedhjeve në vendet e rajonit, zoti Reeker përshëndeti zgjedhjet e sukseshme në Shqipëri, siç u shpreh ai, si dhe reagimin e udhëheqësve politikë, shembull ky i një procesi demokratik në rajon.

“Dua të theksoj se zgjedhjet e qershorit përbëjnë një arritjet të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë si dhe një provë të rëndësishme, ndërsa Shqipëria i afrohet statusit të kandidatit në BE. Kolegët e mi evropianë e kishin bërë të qartë se të gjithë do t’i ndiqnin nga afër këto zgjedhje. Mendoj se Shqipria u bashkua me disa vende të tjera të rajonit, që gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar zgjedhje të sukseshme në përputhje me standartet. Dua të theksoj gjithashtu se puna e vështirë për ndërtimin e demokracisë nuk përfundon me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesve. Ne jemi të kënaqur që përpjekjet për formimin e qeverisë së re duket se po vazhdojnë normalisht. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin dhe të inkurajojnë qeverinë e re të veprojë në bazë të mandatit të fuqishëm, që ajo siguroi nga votuesit dhe të përqëndrohet në procesin e kandidatit në BE”.

Zoti Reeker u kujtoi të pranishmëve se ky proces u bllokua në Shqipëri për shkak të retorikave të forta dhe tani që zgjedhjet kanë përfunduar, tha ai, shpresojmë që përpjekjet të përqëndrohen përsëri në këtë drejtim dhe në një rast të tillë Shqipëria do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e re, tha zoti Reeker, duhet të përqëndrohet në reforma të rëndësishme, të nevojshme për të arritur këtë objektiv si dhe në forcimin e shtetit juridik, në nxitjen e transparencës dhe të përgjegjësisë. Ai përsëriti qëndrimin amerikan mbi nevojën, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, që qeveritë duhet të përqëndrohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zoti Reeker përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të aspiratave të vendeve ballkanike drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Të ndeshura edhe me vështirësi ekonomike, që kanë përfshirë gjithë botën, Shtetet e Bashkaura mbeten të angazhuara të ndihmojnë vendet e Ballkanit të zbatojnë reforma në ekonomi, sipërmarrje dhe në investime si dhe në shtetin juridik, tha ai. Shtetet e Bashkuara besojnë se integrimet Euro-Atlantike në Ballkan janë një element shumë i rëndësishëm për arritjen e një Evrope të bashkuar, të lirë, në paqe dhe gjithnjë e më të begatë. Ky objektiv, theksoi zoti Reeker, mbetet gurëthelem i politikës së jashtme amerikane në Evropë, përparësi kryesore për Shtetet e Bashkuara, për Departamentin e Shtetit dhe për administratën e presidentit Obama.
XS
SM
MD
LG