Lidhje

Reeker viziton Maqedoninë


Ndihmësi i zëvendës-Sekretarit amerikan të Shtetit, Filip Rikër po qëndron për një vizitë pesëditore në Maqedoni. Ai e ka filluar vizitën e tij në Ohër, si i ftuar i presidentit Gjorgje Ivanov në shkollën për drejtues të rinj. Zyrtari amerikan do të ketë takime edhe me zyrtarë qeveritarë, me afaristë dhe me drejtues të komuniteteve, ndërkohë që do të ndalojë edhe nëpër vende të tjera të rajonit. Ai ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për integrimin e vendeve të rajonit në Nato dhe në Bashkimin Evropian.

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, ndodhet në Ohër me ftesë të presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, ku mori pjesë në hapjen e shkollës për drejtues të rinj politikë. Zoti Reeker gjatë takimit me presidentin Ivanov disktutoi lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë që ka bllokuar proceset integruese të këtij vendi.



Zyrtari amerikan dhe presidenti maqedonas kanë theksuar se nuk ekziston alternativë tjetër e qëndrueshme, as për rajonin e as për vetë Republikën e Maqedonisë, përveç integrimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe në Nato. Sipas një komunikate nga kabineti i presidentit Ivanov, ky i fundit e ka njoftuar zotin Reeker me rolin e Maqedonisë në bashkëpunimin dhe nismat rajonale.

Zëvendës-nihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit ka vlerësuar lart presidentin maqedonas për rolin e tij si drejtues politik, si në Maqedoni ashtu edhe në korniza rajonale. Në takim janë rikonfirmuar raportet e partneritetit midis SHBA-së dhe Maqedonisë si dhe gatishmëria për thellimin e tyre në më shumë fusha me interes të dyanshëm.

Zoti Reeker ka mbajtur një fjalim para pjesëmarrësve në shkollën e udhëheqësve të rinj, ndërsa theksoi sfidat dhe orientimin drejt një të ardhmeje ku Maqedonia mund të përqëndrojë shumëllojshmërinë dhe burimet në kontekst rajonal dhe global. Ai ritheksoi se SHBA-ja mbështet integrimin euroatlantik të të gjithë rajonit.

Zoti Reeker do të qëndrojë në Maqedoni deri më 25 gusht. Ai do të takohet me zyrtarë qeveritarë, me afaristë e drejtues të komuniteteve. Ai do të ndalet edhe në vende tjera të rajonit. Kjo është vizita e dytë e zotit Reeker në Maqedoni brenda këtij viti.

Si ish-ambasador në Shkup, ai është njohës i mirë i rrethanave në Maqedoni dhe gjatë kohës që ishte ambasador por edhe gjatë vizitave që i ka bërë më pas Shkupit ka theksuar se problemi i emrit midis Shkupit dhe Athinës duhet të zgjidhet me kompromis, duke lënë të kuptohet poashtu se vendimi i Gjykatës Ndërkomëbtare të Drejtësisë në Hagë nuk është detyrues për Aleancën veriatlantike të Natos. NATO-ja, siç dihet tashmë, i ka vënë një kusht Maqedonisë që sa po ta zgjidhë çështjen e emrit – do të ftohet për anëtarësim në Aleancë.
XS
SM
MD
LG