Lidhje

Reforma administrative dhe ajo zgjedhore


Ekspertë të pavarur mendojnë që, edhe pse zgjedhjet vendore duken larg, në fakt ka pak kohë për të hartuar ndryshimet ligjore.

Tani që ligji për ndarjen territoriale u miratua dhe Shqipëria ka 61 zona administrative parlamenti ka përpara një sfidë tjetër aspak të lehtë; pasqyrimin e tij në dy ligje të tjera që lidhen ngushtë me të; në ligjin për funksionimin e pushtetit vendor dhe në Kodin Zgjedhor. Ekspertë të pavarur që ndjekin nga afër zhvillimet në këtë fushë prej dy dekadash mendojnë që edhe pse zgjedhjet vendore duken larg, në fakt ka pak kohë për të hartuar ndryshimet ligjore.

Drejtuesi i Institutit për Zhvillimin e Sistemeve Zgjedhore, Kristaq Kume, thotë që reforma territoriale u bë e nevojshme për t'u shërbyer sa më mirë bashkësive të banorëve. Reforma në ndarjen territoriale duhet pasuar me një reformë në qeverisjen vendore, tha ai, madje këto duheshin bërë njëkohësisht. “Pas hartës së re administrative, tani duhen përgatitur menjëherë ligjet, që rregullojnë qeverisjen e pushetit vendor, sepse nuk ka më kohë” - theksoi ai.

Koalicioni i vëzhguesve vendorë e ndoqi nga afër reformën territoriale dhe vazhdimisht kërkoi që ajo të bëhej njëkohësisht me ndryshimet në ligjin për decentralizimin e pushtetit vendor dhe me kodin zgjedhor. Gerta Meta përfaqësuese e Shoqatës për Kulturë Demokratike dhe e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë thotë se zgjidhjet nuk duhen lënë për në minutën e fundit, kompromisi mes palëve është i nevojshëm, ndonëse reforma administrative filloi pa mirëkuptim mes palëve.

Ekspertët besojnë se zgjedhjet e ardhshme vendore do të jenë të vështira nga pikëpamja administrative, sepse duhet forcuar edhe pushteti vendor i riformuar edhe administrata zgjedhore e ndryshuar. Në këtë fazë duhen përfshirë edhe rekomandimet e OSBE-ODIH-it. Parlamenti ka shumë punë për hartën, për pushtetin vendor dhe për kodin zgjedhor. “Ligji dhe harta e kthyer nga presidenti Nishani në parlament ështtë një rast i mirë për kompromis pozitë opozitë” - tha zoti Kume.

Ekspertët pohojnë se koha për reformën zgjedhore është mjaft e ngushtë sa i takon ndryshimeve të shumta në administratën vendore. “Një betejë më vete - thotë zonja Meta - është edhe rregullimi i KQZ, i cili mbeti i dëmtuar dhe me disa vende bosh nga zgjedhjet e kaluara”. Ajo parashikon se do të ndeshen vështirësi të mëdha që të kthehen në normalitet administrata zgjedhore me zona të reja administrative dhe me KQZ të pamjaftueshme.

Parlamenti miratoi në fund të sesionit të kaluar ligjin për ndarjen e re territoriale, ppr presidenti e ktheu sërish atë për shqyrtim në parlament. Shimca e majtë shprehu vendosmërinë për ta miratuar sërish, ndërsa përpara janë disa ligje që lidhen me pushtetin vendor dhe me zgjedhjet, të cilat me marrjen e statusit kandidat duhet të jenë shumë më cilësore, të lira dhe të drejta.

XS
SM
MD
LG