Lidhje

“Reforma në Drejtësi, jo më të pandëshkueshëm”


Ambasadorët e BE-së, SHBA-ve dhe OSBE-së, në Tiranë flasin në një takim ku u prezantua një analizë e hollësishme e sistemit nga ekspertë të huaj dhe vendas, faza e parë e procesit të reformës së nisur nga komisioni i posacëm parlamentar

Në Shqipëri, ambasadorët e BE-së, SHBA-ve dhe OSBE-së, deklaruan sot se reforma e nisur në sistemin e Drejtësisë duhet të sjellë një përmbysje të plotë e të garantojë se askush nuk duhet mbetet i pandëshkuar

Këto komente u bënë gjatë një takimi ku u paraqit analiza e sistemit të drejtësisë, një dokument i hollësishëm, prej më shumë se 300 faqe, i hartuar nga ekspertë shqiptarë dhe vendas të angazhuar pranë komisionit parlamentar të reformës i cili drejtohet nga deputeti Fatmir Xhafaj.

Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian Romana Vllahutin u shpreh se “nuk bëhet fjalë për legjislacion të ri apo ndryshime kushtetuese, por për një rregull të ri dhe një sistem të ri. Reforma duhet të jetë e thellë dhe pa kompromis. Nuk flitet vetëm për sistemin apo vetëm për njerëzit. Bëhet fjalë për të dyja. Reforma duhet të sigurojë se nuk do të ketë gjyqtarë të korruptuar dhe se sistemi nuk do ta lejojë këtë; që një prokuror të hetojë cdo gjë, nisur dhe nga aludimet”. Ambasadorja Vllahutin theksoi se “reforma duhet të sigurojë që pa pikë përjashtimi të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit. Në një demokraci funksionale, korrupsioni apo zarfat me para nuk duhet të funksionojnë, sikundër dhe njerëz që të besojnë se janë vetë shteti. Duhet thuajse një operacion kirurgjikal, si në mjekësi. Ne nuk dëshirojmë një sistem ku të korruptuarit të jenë të mbrojtur dhe mosndëshkueshmëria të jetë standart”, tha ajo.

Ambasadori amerikan Donald Lu, nga ana e tij u shpreh se “në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion e të tjerë të cohen në burg. Në një sistem ku dhe gjykatësit bien dakort se ka korrupsion, kjo nënkupton se gjykatësit, prokurorët e avokatët, duhet të bashkëndajnë përgjegjësinë për marrjen e ryshfeteve. Gjykatësit dhe prokurorët duhet të marrin vendime bazuar në ligj e prova dhe jo nën ndikim e interesave politike apo personale”, u shpreh ambasadori. “Sistemi i Drejtësisë duhet të ndjekë më shumë krime të rënda”, nënvizoi zoti Lu, duke shtuar se “sot shumë personazhe të njohur të krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme politike,ecin nëpër rrugët e Tiranës pa patur frikë se do ndiqen. Në një vend të Natos që aspiron anëtarësimin në BE, elitat politike dhe kriminelët nuk mund të veprojnë pa u ndëshkuar”, u shpreh zoti Lu.

Ambasadorët kryesorë në Tiranë vlerësuan procesin e deritanishëm të reformës. “Nëse realizohet, kjo mund të jetë një ndër reformat më të rëndësishme që prej rënies se komunizimit”, deklaroi ambasadori amerikan. “Ne besojmë në vlerën e kësaj reforme dhe shprehim zotimin tonë për mbështetjen e këtij procesi. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet ta dinë se ndryshimi po vjen”, theksoi ai. “Reforma në drejtësi është një proces shumë dimensional dhe shpresoj të cojë drejt një sistemi thelbësisht të ripërtërirë dhe të besueshëm, ku të gjithë qytetarët, nga më i pambrojturi deri te më i plotfusqishme të mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, u shpreh nga ana e tij, ambasadori i OSBE-së Florian Raunig.

Përfaqësuesit diplomatik në Tiranë shprehën keqardhjen për mospërfshirjen e opozitës në procesin e reformës duke bërë thirrje që ajo të jetë pjesë e saj. “Kjo nuk duhet të jetë një reformë për një apo dy cikle zgjedhjesh. Shqipëria ka nevojë për një dialog konstruktiv gjithëpërfshirës. Të gjithë ata që janë zgjedhur kanë përgjegjësi të njejtë për rezultatet e kësaj reforme”, u shpreh ambasadorja e BE-së. “Një reformë në gjyqësor që ruan standardet ndërkombëtare pa opozitën, është e mundur. Megjithatë, kjo do të ishte një reformë më e mirë dhe më e qëndrueshme për Shqipërinë, me pjesmarrjen e opozitës”, nënvizoi ambasadori amerikan. Ndërsa sipas zotit Raunig “opozita nuk duhet të përjashtojë veten nga formësimi i të ardhmes së vendit”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG