Lidhje

Reforma në Drejtësi, nisin konsultimet publike


Sot takimi i parë në Shkodër lidhur me dokumentin e analizës së sistemit. Në tre javë takime në disa qytete të vendit me studentë, profesorë universitetesh dhe aktorë të fushës

Në Shqipëri, komisioni parlamentar i reformës në Drejtësi, ka nisur një proces konsultimi publik lidhur me dokumentin e analizës së thelluar të gjendjes së sistemit të Drejtësisë i cili u paraqit javën e shkuar në Tiranë. Për një periudhë tre javore janë parashikuar takime në disa qytete të vendit, kryesisht me studentë dhe stafet akademike universitare, por dhe me aktorë të fushës, për të diskutuar rreth dokumentit të analizës si dhe për të marrë opinione apo sugjerime rreth tij.

Takimi i parë i këtij lloji u zhvillua sot në Shkodër, me pjesmarrjen edhe të Osbe-së, një ekspert i së cilës ka bashkëkryesuar grupin e punës që ka marrë në analizë arsimin ligjor në vend. Ambasadori I pranisë së OSBE-së në Shqipëri Florion Raunig tha se “takimi i sotëm është jo vetëm një hap i rëndësishëm në reformën në drejtësi. Ai është, gjithashtu, një arritje e rëndësishme në funksion të demokracisë pjesëmarrëse dhe të përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara në një proces konsultimi gjithëpërfshirës, transparent dhe të udhëhequr prej shqiptarëve”.

Sipas zotit Raunig “përfshirja e publikut ndihmon në orientimin e politikave drejt interesit publik. Megjithëse, në fillim ,mund të duken si vonesa të panevojshme gjatë procesit legjislativ, praktika ndërkombëtare ka treguar se konsultimet me palët e interesuara janë dobi dhe jo barrë, janë përfitim dhe jo kosto. Konsultimi me palët e interesuara nuk harxhon kohë, përkundrazi, e kursen kohën”.

Analiza e sistemit të drejtësisë, e para e këtij lloji e realizuar në Shqipëri, me pjesmarrjen e një numri të konsiderueshëm ekspertësh të huaj dhe vendas, përfaqëson fazën e parë të procesit të reformës në Drejtësi, e cila pritet të pasohet nga hartimi i propozimeve konkrete për një ndërhyrje radikale në legjislacion, e që duhet të prekë, sipas ekspertëve, edhe kushtetutën e vendit, e për pasojë dhe të gjitha institucionet kyce të Drejtësisë. Ndryshimi i kushtetutës kërkon në mënyrë të pashmangshme edhe përfshirjen e opozitës e cila deri më tani nuk është bërë pjesë e Komisionit të Reformës.

XS
SM
MD
LG