Lidhje

Reforma në Drejtësi, pjesë dhe opozita


E djathta njoftoi sot se ka vendosur të hyjë në komisionin parlamentar të reformës. Vendimi falë ndërhyrjes së diplomatëve perëndimorë. Opozita do të ketë numër të njëjtë anëtarësh me shumicën

Në Shqipëri, opozita njoftoi sot se ka vendosur t’i japë fund bojkotimit të komisionit të posacëm parlamentar të reformës në Drejtësi duke u bërë pjesë e tij me anëtarët e vet. Vendimi, sikundër pranoi dhe deputeti demokrat Eduard Halimi, duket se ka ardhur pas ndërhyrjes së përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, të cilët i kanë dhënë një mbështetje të vecantë realizimit të kësaj reforme.

“Ka patur gjatë javëve të fundit takime intensive të eksponentëve të Partisë Demokratike me parnerët ndërkombëtarë të cilët asistojnë në çështjet e Reformës në Drejtësi dhe nga sinjalet dhe mesazhet që kemi marrë, maxhoranca ka pranuar një nga dy kërkesat e opozitës. Ka pranuar kërkesën përsa i përket paritetit në komision, një kërkesë shumë e rëndësishme në mënyrë që reformat të jenë jetëgjata dhe të mos varen vetëm nga qenia vetëm në një mandat të një qeverie. Ndaj dhe opozita do ta marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme të komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe sigurisht në seancën e ardhshme do të bëhet e ditur emrat”, tha zoti Halimi.

Opozita duket se ka lëshuar pe, për të mos patur bashkëkryesimin e komisionit, ndërkohë që sipas zotit Halimi “do të shohë me vëmëndje edhe seriozitetin e kësaj reforme dhe angazhimin e qeverisë në reformën në drejtësi në mënyrë që kjo reformë të bëhet duke pasur si synim që të ketë në vëmëndje luftën ndaj korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë, dhe jo kapjen e tyre”.

Deri më tani komisioni i reformës ka realizuar një analizë të detajuar të të gjithë sistemit të Drejtësisë, legjislacionit, institucioneve madje dhe sistemit arsimor që lidhet me formimin e juristëve. Ky dokument, i pari i këtij lloji, është realizuar nga një numër shumë i madh ekspertësh vendas dhe të huaj dhe prej disa javësh, i është nënshtruar diskutimeve publike në qytete të ndryshme të vendit. Faza e dytë, do të jetë ajo e propozimeve për ndërhyrjet që do të duhet të kryhen e që pritet të prekin dhe kushtetutën. Edhe në këtë fazë do të jenë sërish ekspertët ata që do të kenë angazhimin kryesor.

XS
SM
MD
LG