Lidhje

Polemika mbi reformën në drejtësi


Në Tiranë po thellohen polemikat mes pozitës dhe opozitës mbi reformën në sistemin e drejtësisë. Ndërsa pritet miratimi me mirëkuptim i variantit përfundimtar të reformës, partitë kryesore po shkëmbejnë kritika përherë e më të ashpra për zvarritjen e kësaj reforme. Diplomatët amerikanë dhe europianë po i nxitin deputetët, që të miratojnë ndryshimet ligjore mbi gjykatat, që do të ndikojnë në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Partitë politike në Tiranë thellojnë polemikat lidhur me reformën në sistemin e drejtësisë.

Partia Demokratike e opozitës deklaroi sot se i vetmi armik për reformën në drejtësi janë qeveria dhe drejtuesit socialist të koalicionit qeveritar.

Partia më e madhe e opozitës kërkoi hetim të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë pa asnjë lloj kufizimi kohor apo të çfarëdolloji.

Ajo edhe një herë shprehu gadishmërinë për ta miratuar reformën në sistemin gjyqësor, me kushtin e vetëm që institucionet e drejtësisë të jenë vërtet të pavarura dhe të mos kapen politikisht nga kryeministri Rama.

Partia Demokratike e mbështet reformën në drejtësi sipas parimeve e standarteve europiane, që nuk mbron, por lufton pa kompromis krimin dhe korrupsionin pa dallim, ndërkohë që qeveria po e pengon këtë reformë dhe po keqqeveris, duke shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale.

Duke iu referuar rastit të kryetarit të bashkisë së Kavajës, opozita kërkoi po ashtu zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, për të larguar nga postet shtetërore, nga administrata dhe parlamenti zyrtarët me të dhëna kriminale.

Por qeveria socialiste i mbetet qëndrimit se opozita nuk e dëshiron dhe po e pengon reformën në drejtësi, sepse kështu zbulohen shkeljet ligjore të qeverisë së mëparshme së PD.

Kryeministri Rama tha në parlament se ligji mbi dekriminalizimin nuk ka një objektiv të qartë dhe se opozita propozoi një ligj me mangësi, që nuk godisnin zyrtarë me të dhëna kriminale.

Qëndrimet e partive kryesore politike janë ende larg njëra-tjetrës për reformën në drejtësi, përvec deklaratave formale se to janë gati të miratojnë reformën.

Java e ardhshme është vendimtare për miratimin e variantit përfundimtar të kësaj reforme.

Diplomatët amerikanë dhe europianë po i japin një shtytje të konsiderueshme këtij procesi.

Ambasadori Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin mbajtën fjalime inkurajuese pro reformës në komisionin e posaçëm parlamentar dhe këtë javë pritet të marrin pjesë në mbledhje me grupet e deputetëve të partive kryesore PS, PD, LSI për t'i bindur që të miratojnë me mirëkuptim reformën më të vështirë në institucionet demokratike të vendit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG