Lidhje

SHBA, reforma e imigracionit dhe biznesi


SHBA, pasojat e reformës së imigracionit për biznesin
Teaser: Udhëheqësit e biznesit në mbarë vendin thonë se reforma e imigracionit është e nevojshme për të mbajtur ekonominë në rritje

Reforma gjithëpërfshirëse e imigracionit propozuar nga Presidenti amerikan Barack Obama vazhdon të mbetet e bllokuar në një Kongres politikisht të ndarë, por udhëheqësit e biznesit në mbarë vendin thonë se reforma e imigracionit është e nevojshme për të mbajtur ekonominë në rritje. Kjo çështje ishte tema kryesore e një takimi të kohëve të fundit të përfaqësuesve të bizneseve, në Hjuston të Teksasit.

Gjatë viteve të fundit, mijëra prej njerëzve më inteligjentë dhe me më shumë aftësi në botë u është mohuar viza amerikane H1-B që u jepet emigrantëve me arsimim ose aftësi të veçanta.
Ish-guvernatori i shtetit Nju Meksiko dhe sekretar amerikan i Energjisë, Bill Richardson, thotë se sistemi ka nevojë të ndryshojë.

"Në mënyrë që punëtorëve të kualifikuar, inxhinierëve, specialistëve të kompjuterave të cilët janë këtu me viza studentore, të mund të qëndrojnë dhe të mund të krijojnë vende pune në ekonominë amerikane."

Dhoma amerikane e Tregtisë dhe organizata të tjera të biznesit janë në favor të një zgjerimi të madh të vizave H1-B...
...Sidomos për njerëzit e talentuar nga e gjithë bota që studiojnë në universitetet e SHBA-së me vizat studentore, por nuk mund të qëndrojnë, pasi diplomohen.
Ata që qëndrojnë janë shumë të kërkuar, sipas Massey Villareal, president i kompanisë Precision Task Group në Hjuston.

"Ne shpenzojmë rreth 30 mijë dollarë në muaj vetëm për kostot e rekrutimit, duke u përpjekur të gjejmë këta persona për të punësuar. Klientët e mi kërkojnë njerëz shumë të kualifikuar të cilët unë nuk e kam të lehtë t’i gjej e më duhet shumë kohë. Më pas, kur i gjej, një kompani konkurrente me mua u ofron atyre 10 mijë dollarë në vit më shumë dhe kështu i humbas."

Vitin e kaluar, u paraqitën 172 mijë kërkesa për viza H1-B, por ligji aktual lejon vetëm 85 mijë çdo vit.
Avokati Charles Foster kryesoi një grup pune për emigracionin të organizatës së biznesit Greater Houston Partnership.

"Ky është një sistem jofunksional; një ditë në vit mund të kërkosh për njerëzit më të përgatitur të botës, dhe në atë rast ke vetëm 30 për qind shans."

Shumë drejtues të bizneseve pro-reformës janë republikanë, por zoti Foster thotë se politika e emigracionit e partisë kontrollohet nga lëvizja Tea Party.

"Zemërimi dhe kundërshtimi i tyre bazohet kryesisht në anekdota dhe informacione të gabuara që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Kur del para tyre dhe u shpjegon se çfarë është reforma e emigracionit në të vërtetë, ata ndryshojnë qëndrim."

Megjithatë, shumica e konservatorëve kundërshtojnë në parim çdo reformë që do të siguronte atë që ata e shohin si amnisti për njerëzit që kanë hyrë në vend ilegalisht.
Bill Richardson, një demokrat, thotë se partia e tij bën mirë që këmbëngul për legalizimin, si dhe për një rrugë drejt shtetësisë.

"Ne duhet të nxjerrim nën dritë 11 milionë punëtorët pa dokumenta që janë aktualisht në këtë vend; t'i bëjmë pjesëmarrës produktivë të ekonomisë amerikane."

Republikanët në Kongres janë në favor të një projekt-ligji që do të rriste numrin e vizave H1-B të dhëna për punëtorët e kualifikuar, por duke lënë paketën e gjerë të reformës për më vonë.
Demokratët e kundërshtojnë këtë, duke thënë se ajo duhet të jetë pjesë e reformës së përgjithshme që do të hapte derën për nënshtetësinë për ata që jetojnë këtu në mënyrë të paligjshme...
...Ky ngërç, sipas studimeve të kryera nga grupet e biznesit, po i kushton SHBA-së dhjetëra mijëra vende pune, si dhe një avantazh më konkurrues në ekonominë botërore.

XS
SM
MD
LG