Lidhje

Reforma e kujdesit shëndetsor e Presidentit Obama para Gjykatës së Lartë

  • Dan Robinson

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të dëgjojë argumentet e palëve lidhur me sfidën ligjore kundër paketës së reformës të sistemit shëndetësor të Presidentit Obama. Vendimi i gjykatës, i cili pritet të merret në muajin qershor, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për amerikanët dhe për presidentin që do të marrë një mandat të dytë në nëntor.

Presidenti Obama nënshkroi ligjin mbi reformën e shëndetësisë në vitin 2010, pasi fitoi një betejë politike një-vjeçare, mbi një çështje për të cilën dy forcat politik nuk kishin arritur të binin dakord për dekada me rradhë.

Ligji parashikon që 30 milionë amerikanë pa sigurime shëndetësore të kenë mundërsi të përfshihen në sistem. Disa nga klauzolat që kanë fituar më shumë mbështetje u heqin agjencive të sigurimeve të drejtën që t’u mohojnë sigurimet shëndetësor personave me probleme shëndetësore të mëparshme dhe lejojnë fëmijët të përfitojnë nga sigurimet e prindërve deri në moshën 26 vjeçare.

Një anketë e fundit tregon se më pak amerikanë besojnë tani se kujdesi shëndetësor ndaj tyre do të përkeqësohet prej ligjit.

Sondazhet tregojnë gjithashtu se kundërshtimi ndaj reformës mbetet i lartë.

Kritikët, si senatori republikan John Barrasso i shtetit Uajoming, i cili është doktor, e cilësojnë atë një ndërhyrje të tepërt të qeverisë që do të rrisë deficitin dhe borxhin publik dhe që do të ulë cilësinë e kujdesit shëndetësor.

“Pacientët me të cilët unë flas duan kujdes shëndetësor që përqendrohet tek pacienti e jo tek kompanitë e sigurimeve apo qeveria.”

Argumentat para Gjykatës së Lartë do të përqëndrohen tek një nen sipas të cilit të gjithë amerikanët duhet të paguajnë sigurim shëndetësor brenda vitit 2014, ose përndryshe përballen me një gjobë.

Kundërshtarët e quajnë këtë jokushtetuese dhe duan që ligji të shfuqizohet.

Scott Vavrinchik punon në një kompani që ofron shërbime dialize për veshkat, që zakonisht paguhet nga qeveria.

“Unë mendoj se është jokushtetuese. Unë mendoj se ka lidhje me lirinë e zgjedhjes. Kujdesi shëndetësor nuk është një e drejtë, por një shërbim i ofruar.”

Kryeprokurorët e 26 shteteve të drejtuara nga republikanët ngritën padi kundër ligjit të reformës shëndetësore. Një gjykatës në Florida e hodhi poshtë kërkesën por, ajo është pranuar në gjykata të tjera.

Maron Soueid, një i sapodiplomuar nga Nju Xhersi, mendon se argumentat kundër reformës nuk do të rezistojnë për një kohë të gjatë.

“Ka qenë e vështirë të gjehej një punë, dhe veçanërisht një punë që paguan për kujdesin shëndetësor, pra kjo është diçka krejtësisht e dobishme për dikë si unë.”

Administrata e Presidentit Obama e vë theksin tek përfitimet nga ligji. Ka familje që mbështeten tek ky ligj për kujdesin ndaj fëmijëve të tyre për problemet shëndetësore.

“Unë as që mund ta kuptoj se çfarë i thotë mendja atyre që duan t’a anulojnë ligjin mbi shëndetësinë. Ata po zgjedhin jetës ose vdekjen për shumë e shumë amerikanë.”

Shëndetësia është një çështje kyçe e fushatës presidenciale, ndërkohë që zoti Obama kërkon të rizgjidhet dhe përballet me kundërshtarët republikanë.

Henry Olsen është analist i institutit American Enterprise.

“Në varësi të vendimit të Gjykatës Supreme, ose njëra palë ose tjetra do të merrnin zemër. Gjithashtu rikthehet vëmendja tek çështja e kujdesit shëndetësor, një fushë beteje e përshtatshme jo e preferuara për Presidentin Obama.”

Nëse Gjykata e Lartë mban në fuqi paketën e reformës së sistemit shëndetësor, zoti Obama mund të arrijë një moment pozitiv mjaft të rëndësishëm, në prag të zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor.

Nëse gjykata hedh poshtë dispozita të rëndësishme të ligjit, kundërshtarët do theksojnë fitoren dhe do të argumentojnë se ai trajtoi në mënyrë të gabuar arritjen e tij legjislative më të rëndësishme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG