Lidhje

Komisioni i Venecias komenton për reformën


Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit, i mirënjohuri si Komisioni i Venecias, bëri sot të ditur se pritet të miratojë në mars vlerësimin e vet përfundimtar për reformën në drejtësinë shqiptare.

Drejtuesi i Komisionit të Venecias, Xhani Bukikio, u bëri thirrje partive politike që edhe për reformën në sistemin e drejtësisë të ndjekin të njëjtën rrugë si për paketën ligjore mbi dekriminalizimin, që u miratua dje në Parlament.

Një grup i ri ekspertësh nga ky komision europian pritet të vizitojnë Tiranën në janar për të diskutuar me reformën me zyrtarët më të lartë të vendit, ndërsa në muajin shkurt komisioni i Venecias pret nga Shqipëria projektin e ripunuar.
Komisioni i Venecias vlerësoi në raportin e opinioneve paraprake për reformën në drejtësinë shqiptare përpjekjet për hartimin e saj me mirëkuptim.

Komisioni, megjithatë, ende nuk ka dhënë pëlqimin për t'u krijuar një seri institucionesh të reja, siç parashikon projekti i ekspertëve shqiptarë e të huaj.
Nga ana e vet, Komisioni i Venecias rekomandoi uljen e numrit të institucioneve dhe tërhoqi vëmendjen për rrezikun e klimës së mosbesimit që mund të krijojnë ato, duke kontrolluar njëra-tjetrën.

Organet e reja, pohoi Komisioni i Venecias, mund të dëmtojnë më tej besimin e opinionit publik dhe mund të kërkojnë më shumë profesionistë për këtë reformë, të cilët Shqipëria i ka me pakicë për nga arsimi dhe përvoja e duhur, ndaj më mirë të forcojë institucionet që ka aktualisht.

Qeveria Rama mirëpriti komentet e Komisionit të Venecias si mbështetje e hapur për reformën dhe ndryshimin radikal, që kërkojnë qytetarët.

Kryeministri Edi Rama tha se ky proces do t’u japë shqiptarëve drejtësi nëpër gjykata dhe të mos dalin më si të pafajshëm, njerëz që meritojnë ndëshkimin ligjor.

Ligji për integritetin e figurave që u meritua dje në parlament besohet se do t'i shërbejë administratës shtetërore në transparencën e plotë mbi përzgjedhjen e kujtdo në çdo pozicion në administratën shtetërore.

Opozita po ashtu është shprehur e gatshme të marrë pjesë në reformën e drejtësisë, ashtu si edhe në ligjin për dekriminalizimin.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulziom Basha tha sot se ligji i dekriminalizimit është një arritje e madhe për vendin, si një ide që lindi nga opozita në pakicë në parlament.

Sipas tij, pastrimi i politikës nga trafikantët, banditët, vrarësit është sot një paketë e plotë ligjore me efekt të menjëhershëm dhe se hap pas hapi e mira po triumfon mbi të keqen, ndaj ajo paketë ligjore tani duhet zbatuar me forcë dhe saktësi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG