Lidhje

Tiranë, studiuesit komentojnë për vetingun


Miratimi dje në mbrëmje nga parlamenti në Tiranë i ligjit mbi përzgjedhjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve u prit me reagime të ndryshme në radhët e studiuesve të politikës.

Ata komentuan si veprime të ashpra politike edhe largimin e opozitës nga salla gjatë votimit edhe votimin e ligjit me votat e koalicionit qeveritar.

Analistët komentojnë për vetingun
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:10 0:00

Me 88 votat e shumicës dhe mungesën e opozitës, parlamenti miratoi në Tiranë ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i konsideruar si elementi kyç për zbatimin e refromës në drejtësi.

Studiuesi Roland Lami thotë se opozita pretendon që ligji i ri bie ndesh me ndryshimet e fundit që iu bënë kushtetutës pikërisht për të njëjtën reformë në drejtësi dhe asgjë nuk mund të thuhet më tej derisa të shprehet gjykata kushtetuese.

Por ky gabim ka pak gjasa të ndodhë, sa kohë që ligji i vettingut dhe ndryshimet kushtetuese u hartuan së bashku me misionin europian Euralius dhe misionin amerikan OPDAT dhe ata nuk mund të hartojnë nene që bien ndesh me kushtetutën dhe komisionin e Venecias.

Ligji u miratua me 88 votat e shumicës, ndërsa opozita bojkotoi procesin e votimit, duke kundërshtuar fort nenet e miratuar më 23 gusht në komisionin e posaçëm të reformës.

Opozita tha se ligji i sjellë nga qeveria është jashtë çdo konsesusi, çdo standarti europian dhe dhunon kushtetutën e vendit.

Studiuesi Romeo Gurakuqi thotë se reformat nuk po bëhen nga njerëz të ditur, të ndershëm dhe të pjekur. Dje në parlament, sipas tij, u shkel paanshmëria e procesit dhe nuk u garantua e drejta e cdo qytetari për t'u gjykuar dhe mbrojtur nën akuzë.

Përfaqësues të koalicionit qeveritar pohuan se votimi unanim i 21 korrikut ishte shumë i rëndësishëm, ndërsa ligjet e tjera mund të votoheshin edhe me më pak vota.

Shumica tregoi, sipas studiuesve, vendosmërinë e saj për ta përmbyllur këtë proces reforme.

Zoti Lami tha se ligji u miratua me votat e shumicës dhe nga interesi i gjerë publik, kjo shënon nisjen e një pastrimi në radhët e gjyqtarëve dhe kthen një shpresë për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Ai shtoi se ligji u hartua nga ekspertë ndërkombëtarë, së dyti, shumica i ka votat në parlament.

Kryeministri Rama foli dje për një pastrim në pallatin e drejtësisë nga të gjithë ata që e kanë marrë peng drejtësinë, liritë dhe të drejtat njerëzore, duke bërë biznes me detyrën për të dhënë drejtësi.

Por, profesor Gurakuqi është mosbesues për reformën për faktin se, siç thotë ai, një polici që lejon të mbulohet gjithë vendi me bimë narkotike nuk ka asnjë mundësi që të bëjë përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm.

Studiuesit besojnë se kjo reformë në drejtësi do të jetë elementi kryesorr, me të cilin do të krenohet shumica qeverisëse në fushatën e zgjedhjeve të ardhshme, ndërkohë që bilanci i fushave të tjera nuk është shumë bindës dhe i plotë.

Rreziku pra, sipas tyre, është se kur të nisë në praktikë reforma e sistemit gjyqësor në janar, ajo do të paaraqitet më shpesh si një kartolinë elektorale e sukseseve të këtij mandati qeverisës.


XS
SM
MD
LG