Lidhje

Reforma territoriale, rrëzohet kërkesa e PD


Gjykata kushtetuese u shpreh kundër kërkesës së opozitës për shpalljen antikushtetuese të ndarjes së re administrative të vendit. Rama: U vulos një reformë historike. Basha: Nuk do ta pranojmë kurrë. Presidenti Nishani: Më 21 qershor 2015 zgjedhjet e ardhshme vendore

Në Shqipëri Gjykata kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e partisë demokratike, forcës kryesore të opozitës, për ta shpallur të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale, duke e lënë atë në fuqi e duke i hapur kështu rrugë zbatimit të saj me zgjedhjet e reja për pushtetin vendor, të cilat sipas dekretit të sotëm të Presidentit Bujar Nishani do të mbahen 21 qershor 2015.

Sipas opozitës, reforma shkelte kushtetutën në të paktën 5 raste, duke nisur nga miratimi i njëanshëm dhe me procedura të përshpejtuara, deri te moskonsultimi me qytetarët apo heqja e nocionit komunë i cili sic u shprehën gjatë seancës së javës së shkuar përfaqësuesit demokratë, është i përcaktuar në Kushtetutë. Ende nuk dihen kundër argumentat e Gjykatës e cila pritet të zbardhë në ditët e ardhshme vendimin e saj dhe argumentat ligjor që cuan në rrëzimin e kërkesës së demokratëve.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama përshëndeti “vendimin e kthjellët të Kushtetueses”, sic shkruante në ai në Twitter. Sipas kryeministrit, ky vendim “vulos një reformë historike dhe i hap rrugë riorganizimit rrënjësor të territorit e shërbimeve”.

Në mbrëmje, kryetari i opozitës Lulzim Basha përsëriti qëndrimin ndaj reformës territoriale duke e konsideruar atë si “një tortë e ndarjes elektorale të Shqipërisë”. Zoti Basha tha se “Partia Demokratike nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë hartë të turpshme të pazareve të pista Rama-Meta dhe të thërrimeve për këdo tjetër që u ul në këtë sofër. Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm politikë, institucionalë, demokratike, duke rivendosur sovranitetin e qytetarëve në këtë proces jetik që është ndarja territoriale e vendit; duke u kujtuar oligarkëve se pronarë të këtij vendi nuk janë ata, por është sovrani, janë qytetarët, të cilët janë shprehur, e do të vazhdojnë të shprehen”, nënvizoi ai.

Partia demokratike po zhvillon dhe një tjetër betejë paralele kundër reformës territoriale. Mbi 100 komuna të drejtuara prej saj kanë bërë kërkesë për zhvillimin e referendumeve lokale për ta rrëzuar atë. “70 mijë firma janë depozituar sot për referendume lokale që përfaqësojnë qindra mijëra qytetarë anembanë vendit për të cilët kjo hartë është e papranueshme, është në kundërshtim me interestat e tyre, është armike e interesave të tyre”, tha zoti Basha.

Sipas reformës, 385 bashki e komuna reduktohen në vetëm 61 bashki në të gjithë vendin.

XS
SM
MD
LG