Lidhje

Reforma zgjedhore, kryeministri: Të mbyllet shpejt


Zoti Berisha, ftesë kryetarit socialist. Reagon zoti Rama: “Hipokrizi e pushtetit”. Ambasadori Osbe-së: reforma të përfundojë sa më parë

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha ftoi sot opozitën që të mbyllin reformat e mbetura pezull, atë zgjedhore, reformën parlamentare dhe kufizimin e imuniteteve. Kryeministri tha se opozita duhet të heqë dorë nga bllokimi dhe se në një proces konsensusi secila palë duhet të bëjë lëshime. Në reformën zgjedhore palët nuk bien dakort për cështjen e procedurave të ankimimit dhe rikompozimin e Komisionit qëndror të Zgjedhjeve ku opozita kërkon zëvendësimin e anëtarëve të tij. Po sot edhe ambasadori i Osbe-së në Tiranë, i bëri thirrje palëve që të përfundojnë sa më shpejt këto reforma

Që prej dhjetorit të kaluar shumica dhe opozita u angazhuan në realizimin e reformës zgjedhore krahas asaj parlamentare. Afati i komisioneve të posacme të ngritura me përfaqësuesë të të dyja palëve u shty disa herë. Pjesa më e madhe e punës u realizua me konsensus, por palët në fund, ngecën në gjetjen e një marrëveshjeje. Ndërsa nisja e procesit për zgjedhjen e presidentit e shmangu plotësisht vëmendjen prej tyre. Socialistët kërkuan që me arritjen e një konsensusi për presidentin e ri, të vazhdohej me shpejtësi edhe për përmbylljen e këtyre reformave.

Sot ndërsa ka kaluar një javë nga zgjedhja e presidentit të ri, vetëm me votat e shumicës, kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje opozitës t’i rikthehen cështjes së reformave: “Do të dëshiroja t’i bëj një thirrje zotit Edi Rama, të vendosim interesat evropiane të shqiptarëve si përparësi të çdo përparësie. Kemi punuar muaj të tërë në reformën zgjedhore, e kemi sjellë atë pothuajse në përfundim të plotë. Është bërë një punë serioze. Nuk duhet që, në momentet e fundit, të përdoret fuqia politike e drejtuesit për ta bllokuar këtë proces”

Por për socialistët është shumica ajo që ka bllokuar procesin. Palët nuk bien dakort për procedurat e ankimimit dhe rikompozimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, dy momente të konsideruara thelbësore për socialistë,t nisur nga praltikat e zgjedhjeve të shkuara. Socialistët këmbëngulin në ndryshimin e përbërjes së komisionit qëndror të zgjedhjeve, institucion i cili u kritikua në raportin e vëzhguesve ndërkombëtar për zgjedhjet e 8 majit, për vendime që favorizuan të djathtën. Opozita identifikon kryetarin Arben Ristani si përgjegjësin kryesor të problemeve me zgjedhjet.

Por duket se kryeministri nuk dëshiron të lëshojë pe në këtë pikë, ndërsa u shpreh se shumica deri më tani ka pranuar të gjitha propozimet e socialistëve dhe se është radha e këtyre të fundit të përgjigjen me të njejtën monedhë: “Konsensusi nuk mund të përdoret për bllokim, konsensusi është proces në të cilin çdo palë duhet të bëjë lëshime. Të lëmë mënjanë praktikat e “kokës së turkut”.

Në faqen e tij Twitter, kryetari socialist i cilësoi thirrjet e kryeministrit “hipokrizi të pushtetit që braktisi interesin e vendit për të cuar një noter partiak në presidencë”. Sipas tij, “katër pikat e planit socialist për statusin i janë paraqitur kryeministrit që prej një muaji” dhe se “mospërmbushja e tyre sipas zotit Rama lidhet vetëm me mungesën e vullnetit të kryeministrit”.

Po sot ambasadori i Osbe-së në Tiranë Eugen Wollfarth tha se përfundimi i reformës zgjedhore është detyra prioritare e politikës në Shqipëri: “Unë kam besim se të gjithë drejtuesit politik e kuptojnë se sa të rëndësishme dhe vendimtare janë këto ditë dhe javë që vijnë, dhe prandaj i ftoj që të punojnë për një përmbushje me sukses të reformës zgjedhore”.

Shqipëria rezikon seriozisht marrëdhëniet e saj me Bashkimin europian dhe marrjen e statusit kandidat, nëse nuk i përmbyll me shpejtësi këto reforma. Forcat politike i premtuan komisionerit për Zgjerimin Stefan Fuele, gjatë vizitës së tij në Tiranë, se ato do të përfundonin brenda 24 majit, por po mbushet një muaj që nga ajo kohë, pa asnjë hap konkret.
XS
SM
MD
LG