Lidhje

Shqipëri: Reforma zgjedhore, debate në parlament për vonesat


Shqipëri: Reforma zgjedhore, debate në parlament për vonesat

Shqipëri: Reforma zgjedhore, debate në parlament për vonesat

Qeveria dhe opozita iu rikthyen debateve të ashpra në parlament, duke fajësuar njëra-tjetrën për vonesa në reformën zgjedhore që ka nisur ta kryejë një komision i përbashkët i tyre. Deputetët e opozitës kërkuan që reforma zgjedhore të përshpejtohet sipas rekomandimeve të OSBE-së, sepse kjo është edhe një nga kërkesat kryesore e opinionit shqiptar dhe institucioneve europiane. Por deputetët e koalicionit qeveritar pohuan se komisioni i përbashkët, i cili po kryen këtë reformë me mirëkuptim asnjëherë nuk është ankuar për humbje kohe, dhe se bashkëkryetarët e këtij komisioni janë dakord që të zgjatet afati i punës me amendamentet.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, tha se “afati për reformën zgjedhore është në ditët e fundit” dhe se opozita është e shqetësuar sepse “vëren tek shumica një mungesë vullneti politik për ta kryer reformën zgjedhore sipas marrëveshjeve dypalëshe dhe sipas kërkesave të OSBE dhe BE”. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste tha se deputetët e opozitës janë të gatshëm në komisionin për reformën zgjedhore që të trajtojnë çdo detaj që lidhet me përmirësimin e procesit zgjedhor, ndërkohë që ata po miratojnë ligjet me 3/5 e votave.

Por kryeministri Sali Berisha tha se “deputetët e opozitës mungojnë nëpër mbledhjet e komisionit dyplaësh dhe vonesat janë të pashmangshme”. Nga ana tjetër, ai tha se opozita ka bërë edhe propozime të pajustifikuara për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, siç është rritja e dënimit deri në 8 vjet burg për ata që abuzojnë me dokumentet zgjedhore. Sipas tij, “të gjitha këto opozita i bën vetëm që Shqipëria të humbasë statusin e BE-së”.

Është bërë tashmë e zakonshme në Shqipëri që politika i shtyn rregullimet e Kodit Zgjedhor derisa afrohet fushata e zgjedhjeve. Kjo është e para herë që të gjitha palët po përpiqen të plotësojnë rekomandimet e ndërkombëtarëve sa më shpejt. Aq më tepër që janë dy grupe rekomandimesh të paplotësuara nga raportet e vëzhguesve mbi dy proceset e fundit zgjedhore.

XS
SM
MD
LG