Lidhje

Reformat e Gorbaçovit çuan në fundin e Bashkimit Sovjetik


Reformat e Gorbaçovit çuan në fundin e Bashkimit Sovjetik
Reformat e Gorbaçovit çuan në fundin e Bashkimit Sovjetik

Ky muaj shënon 20 vjetorin e rënies së Bashkimit Sovjetik. Reformat e brendshme të udhëheqësit të fundit sovjetik, Mikail Gorbaçov, kontribuan në rënien e Bashkimit Sovjetik. Korrespondenti Andre de Nesnera njofton:

Mikail Gorbaçovi u zgjodh në postin e udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik në fillim të vitit 1985. Në moshën 54 vjeçare, ai ishte anëtari më i ri i Byrosë Politike që e solli atë në pushtet.

Ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Gjenerali Brent Scowcroft thotë se para tij, Bashkimi Sovjetik kishte pasur një sërë udhëheqësish të moshuar.

“Kështuqë mendoj se Gorbaçovi u soll për të stimuluar sistemin. Sesi pikërisht ne nuk e dinim. Dhe nuk jam i sigurt a e realizoi ai një gjë të tillë”.

Për 6 vjetët pasues, zoti Gorbaçov ndërmori një sërë reformash të brendshme që e ndryshuan thellësisht Bashkimin Sovjetik.

Ish-Ambasadori amerikan në Moskë Thomas Pickering:

“Ai u përpoq të analizonte se ku po shkonte Rusia dhe t’i jepte drejtimin ngjarjeve”.

Reformat e zotit Gorbaçov prekën të gjitha segmentet e shoqërisë, përfshirë heqjen e kufizimeve të shtypit dhe lirimin e të burgosurve politikë dhe disidentëve nga burgu dhe internimi”.

“Ai nuk ishte demokrat, por po përpiqej që ta bënte sistemin më efiçent dhe të ulte nivelin e kontrollit dhe shtypjes”.

Megjithatë, një institucion që zoti Gorbaçov nuk arriti ta reformonte ishte Partia Komuniste Sovjetike. Dhe nga radhët e saj, ashtu edhe të udhëheqjes së ushtrisë dhe KGB-së, radikalët u përpoqën të bënin një grusht shteti kundër zotit Gorbaçov në gusht të vitit 1991.

Por grushti i shtetit dështoi. Ja si e shpjegon gjenerali Scowcroft.

“Ishte një përpjekje e paorganizuar, e paplanifikuar me kujdes, e parealizuar me sukses”.

Zoti Pickering bie dakord.

“Kishte një udhëheqje të falimentuar. Ishte një mënyrë të menduari e errësuar nga vodka dhe e vjetër”.

Bashkimi Sovjetik ra katër muaj pas grushtit të dështuar të shtetit. Dhe zoti Scowcroft thotë se kjo i dha mundësinë Boris Jelcinit, rivali i zotit Gorbaçov që ta sfidonte atë.

“Si mund të eliminohej Gorbaçovi? Duke ia hequr Bashkimin Sovjetik nga duart. Dhe mendoj se fundi i Bashkimit Sovjetik erdhi pjesërisht se në atë kohë Gorbaçovi nuk kishte ndonjë punë për të bërë”.

Shumë ekspertë thonë se zoti Gorbaçov la të lira forcat që nuk mund t’i përmbante, forca që në mënyrë të pashmangshme sollën si rezultat rënien e Bashkimit Sovjetik më 25 dhjetor 1991, kur Mikail Gorbaçovi dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Bashkimit Sovjetik.

XS
SM
MD
LG