Lidhje

Reformat e qeverisë greke prekin sistemin doganor

  • Raimond Kola

Reformat e qeverisë greke prekin sistemin doganor

Reformat e qeverisë greke prekin sistemin doganor

Reformat e qeverisë greke kanë prekur sistemin doganor i cili po krijon mjaft problem edhe në kufirin greko shqiptar. Krahas grevave të njëpas-njëshme reduktimet e personelit po sjellin probleme për qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve në kufi. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Greqisë me Shqipërinë nisi sot një grevë 48 orëshe e doganierëve që bllokon paralizon lëvizjen e mjeteve. Ndërkohë, Agjensitë e udhëtarëve njoftuan se do t’u shërbejnë emigrantëve duke këmbyer në të dy anët e kufirit linjat e autobuzëve.

Shërbimi doganor grek po përjeton vështirësi nga reduktimet e ndërmarra së fundi nga autoritet greke në kuadër të reformave fiskale dhe administrative dhe të shkurtimeve të mëdha.

Sipas burimeve zyrtare greke në rajonin e Epirit dhe të Janinës në shërbimin doganor duhet të ishin aktivë 260 të punësuar, ndërkohë që aktualisht punojnë vetëm 135 persona. Shërbimi pritet të reduktohet, sipas reformës së parashikuar, në 120 vetë, çka do ti sillte funksionimit të doganave greke fqinje me Shqipërinë probleme edhe më të mëdha në funksionimin e tyre.

Aktualisht në të dy anët e kufirit po shfaqen shpesh probleme me radhët e emigrantëve shqiptarë , kryesisht prej personelit të kufizuar apo ndërprerjeve të herëpas-hershme të aktivitetit doganor prej grevave të nëpunësve grekë. Një grevë e tillë 48 orëshe ka nisur sot në pikat greke fqinje me Shqipërinë duke paralizuar qarkullimin e mjeteve. Doganierët grekë kundërshtojnë reformat financiare të ndërmarra nga qeveria greke e detyruar nga kriza e rëndë ekonomike dhe financiare që ka mbërthyer prej kohësh këtë vend.

Agjensitë e udhëtimeve njoftuan se për të mos u prekur nga greva do të këmbejnë autobuzët e udhëtarëve në kufi. Kështu prej orës 7 të mëngjesit të ditës së sotme autobuzët e këtyre linjave do ti përcjellin nga rrethet e ndryshme të Shqipërisë emigrantët deri në anën shqiptare të kufirit.Më pas ,do të realizohet kalimi i tyre në këmbë në kufirin grek dhe autobuzë të tjerë të kompanive të ardhur nga Athina do të vijojnë udhëtimin.

Kompanitë e udhëtimit thonë se po i hedhin këto hapa për të mos thelluar humbjet në financat e tyre të prekura nga grevat e njëpasnjëshme dhe për të lehtësuar lëvizjen e shqiptarëve e cila vijon të mbete e lartë. Greva e doganierëve greke sjell ndërkaq problem për qarkullimin tregëtar mes të dy vendeve .Dogana shqiptare humbet disa dhjetëra mijë dollare në ditë nga mosvjelja e të ardhurave doganore ndërsa mjaft sipërmarrës vihen në vështirësi nga pritja në kufi sidomos për prodhimet shtazore dhe frigoriferike

XS
SM
MD
LG