Lidhje

Takime intensive për Reformën në Drejtësi

  • Armand Mero

Pas mbledhjes mbrëmë vonë, kryeministri Rama u takua dhe sot me kryetarin e parlamentit Iir Meta. Në zyrën e këtij të fundit ishte sot dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin

Në Shqipëri, drejtuesit e shumicës kanë patur takime intensive mbrëmë dhe dje, për të diskutuar mbi reformën në Drejtësi. Këto takime duket se u nxitën nga deklarata e djeshme e kryetarit të LSI-së Ilir Meta i cili kërkoi nisjen e dialogut politik mbi ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që kryeministri Rama i mëshon idesë se diskutimi politik duhet të bëhet mbi bazën e opinionit përfundimtar të komisionit të Venecias. Në një intervistë për Top Channel, kryeministri megjithatë, tha sot se me LSI-në ka një dakortësi të plotë për fazat në të cilat duhet të ecë procesi.

Deklarata e djeshme e kryetarit të LSI-së Ilir Meta në mbledhjen e kryesisë së partisë së tij se kishte ardhura koha që të celej dialogu politik mbi ndryshimet kushtetuese u pa nga shumë kush si një qëndrim i ri e që dallonte nga ai i kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ishte shprehur se diskutimi politik do të duhej të bëhej pas vlerësimit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Dhe në fakt mbrëmja e djeshme pasoi me një takim të gjatë mes kryeministrit Rama dhe ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së BE-së Romana Vlahutin. Për të vazhduar në orët e vona me një tjetër takim, edhe më të gjatë, mes drejtuesve të shumicës, të cilët u ndanë me buzëqeshje. Megjithatë, një tjetër takim mes zotit Rama dhe Meta u zhvillua edhe paraditen e sotme

Nesër pritet të mblidhet Komisioni i Posacëm parlamentar i Reformës në Drejtësi i cili duhet të miratojë projektin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, për t’ja dërguar me urgjencës Komisionit të Venecias. Dhe dakortësia mes socialistëve dhe LSI-së në këtë pikë është e domosdoshme. Në një intervistë për Top Channel, kryeministri Rama tha se nuk kishte dallime mes aleatëve në pushtet për fazat në të cilat do të duhet të ecë procesi, duke saktësuar se konsensusi me opozitën do të duhet të kërkohet mbi variantin përfundimtar të Venecias. Nga ana e tij, zoti Meta pritet të takohet pasdite me drejtuesit kryesorë të partisë së tij.

Gjatë ditës ai bisedoi me ambasadoren Vlahutin. Në takim, zoti Meta ka theksuar se fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias në vlerësimet e Raportit të Ndërmjetëm duhet të mbizotërojë dhe udhëheqë palët deri në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi madhor dhe historik. Ai ka nënvizuar se “është përgjegjësi e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, dhe e të gjitha forcave politike, që në këtë frymë të ndërveprojnë dhe ndërtojnë konsensusin e domosdoshëm përmes gjithëpërfshirjes, me synimin e vetëm kurorëzimin me sukses të saj”.

Më parë, gjatë një takimi të Euralius-it, misionit europian të asistencës në Drejtësi, ambasadorja Vlahutin, duke folur për reformën në Drejtësi theksoi se “një progres i qëndrueshëm në këtë fushë është kyçi për të ardhmen evropiane të këtij vendi dhe më konkretisht, për hapjen e negociatave të anëtarësimit”. Ekspertët e Euralius-it kanë qenë direkt të përfshirë në hartimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG