Lidhje

Shqipëri, prezantohet reforma e pensioneve

  • Armand Mero

Propozohen dy variante. I pari parashikon ndryshime të thella të skemës aktuale dhe përllogaritjes së pensioneve duke u bazuar tek niveli i kontributeve. I dyti, është i ngjashëm me skemat private.

Në Shqipëria qeveria prezantoi sot reformën në sistemin e pensioneve e cila trasformon thelbësisht skemën aktuale. Aktualisht sistemi i pensioneve është kthyer në një barrë të rëndë për buxhetin e shtetit i cili duhet të mbulojë cdo vit një deficit mbi 400 milion dollarësh. Qeveria propozon dy variante. I pari përfaqëson ndryshime rrënjësore në skemën aktuale duke u mbështetur në nivelin e kontributeve që derdhen nga gjithsecili. Ndërsa i dyti është i ngjashëm me skemat private ku pensioni përcaktohet nga niveli i kontributeve dhe norma e fitimit të tyre.


Reforma e pensioneve e cila prej sot do t’i nështrohet debateve publike, për të arritur në variantin i cili do të duhet të hyjë në fuqi vitin tjetër, është hartuar me asistencën e Bankës Botërore. Institucionet ndërkombëtare prej kohësh kanë bërë thirrje për nevojën e një ndërhyrjeje radikale në sistemin e pensioneve, i cili nga njëra anë e kufizonte rritjen e përfitimeve të kontribuesve dhe nga ana tjetër është kthyer, nga viti në vit, në një barrë gjithnjë e më të rëndë për arkën e shtetit.

Aktualisht janë mbi 570 mijë pensionistë dhe 700 mijë kontribues. Ndërsa për të mbuluar pensionet nevojiten mbi 950 milion dollarë, skema e sigurimeve garanton vetëm 510 milion dollarë. Një situatë e cila nëse do të vazhdojë rrezikon ta fusë vendin dhe ekonominë në kolaps, tha kryeministri Edi Rama: "Nëse do të shikonim pa ndërhyrë, deficitin që shkakton skema e sotme, është e qartë që deficiti bëhet në 10 vjet, deficiti të bëhet përfundimisht mbytës dhe vrastar. Të bëhet mbytës dhe vrastar, jo thjesht më për njerëzit në nevojë, por për gjithë ekonominë dhe për gjithë funksionimin e shtetit tonë. Ne do të ndërtojmë një skemë ku përfitimi varet nga kontributet. Kjo që kemi sot, që pensioni më i lartë është dyfishi i pensionit bazë dhe nuk mund të shkosh më lartë, merr fund”, deklaroi kryeministri.

Janë dy variantet e propozuara në këtë reformë. Sipas ministrit të Mirëqënies sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, opsioni i parë “bazohet te sistemi aktual duke ndryshuar reth 50 parametra, por që ka për bazë një ndryshim në formulën e llogaritjes. Pensionet sipas këtij opsioni, do të jenë pensioni social plus shtesat që janë të bazuara totalisht te kontributet. Për vitin 2015 masa pensionit social do të jetë 6.646 lekë. Cka do të thotë që për njerëzit që nuk kanë patur asnjë kontribut, është shumë e ngjashme me ndihmën ekonomike. Skema që kemi ofruar, duke qenë se shuma që i shtohet është shtesa 1 përqind e vlerës së bazës së vlerësueshme për cdo vit të siguruar na garanton që cdo vit që një njeri sigurohet, është një përqind herë këtë shumëzues”.

Ky duket të jetë dhe varianti drejt së cilit qeveria mund të shkojë. Shpjegimit të ketij varianti ministri Veliaj i kushtoi mjaft detaje dhe elementë."Opsioni i dytë, shumë shkurt, imiton skemat private, se masa e pensionit përcaktohet nga historiku i kontributit dhe normës së fitimit. I ngjan hapjes së një llogarie bankare ku ti mbush llogarinë tënde, dhe në bazë të interesit që banka të ka vënë, në rastin konkret qeveria, jo tregu, caktohet norma e përfitimit”, u shpreh ministri.

Kjo reformë u parapri nga debate të shumta mbi mundësinë e rritjes së moshës së pensionit. Sipas varianteve të qeverisë për gratë do të ketë një rritje graduale me nga dy muaj cdo vit, derisa në vitin 2032 dalja ne pension të jetë në moshën 63 vjecare, nga 60 që është sot. Ndërsa për burrat, nga viti 2032 mosha parashikohet të rritet në 67 vjec.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG