Lidhje

Gjendja e refugjatëve në zonën e Gjevgjelisë

  • Isak Ramadani

Disa mijë refugjatë dhe imigrantë nga Lindja e Mesme kanë kaluar kufirin e Greqisë me Maqedoninë, natën e së mërkures dhe të enjten. Policia maqedonase i ndalon dhe më pas i lejon të kalojnë në grupe të vogla për në kampin e Gjevgjelisë.

Ndërkohë, paralajmërimi i ministrit të Jashtëm Nikolla Popovski për mundësinë e ngritjes së një gardhi në kufi për të penguar valën e refugjatëve, ka nxitur kritika dhe debate në Shkup.

Gjendja e refugjatëve dhe imigrantëve në zonën e Gjevgjelisë duket se po vështirësohet, sidomos me uljen e temperaturave dhe motit me shi, por herë-pas-here edhe për shkak të ndryshimit të sjelljes së policisë maqedonase ndaj tyre; Dje u përdorën shkopinj gome dhe refugjatët u detyruan të qëndronin në shi.

Ndërkaq, një prononcim i ministrit të jashtëm Nikolla Popovski për shtypin e huaj se Maqedonia mund të ngrejë një mur, a gardh për të ndaluar valën e refugatëve të Lindjes së Mesme, po nxit debate në Shkup. Partia Liberale (PL) e ka kritikuar paraqitjen e ministrit, duke i bërë një pyetje ironizuese atij se nëse e kishin caktuar ndonjë pjesëtar të medias që do t’u vinte ndërkëmbëzën refugjatëve me fëmijë në krahë.

Partia opozitare maqedonase kërkon përgjigje nga qeveria të tregojë se kur ka filluar ta shqyrtojë këtë opsion, që për PL-në është i palogjikshëm. Disa analistë mendojnë se auroritetet maqedonase në këtë mënyrë synojnë të përfitojnë fonde më të mëdha nga komuniteti ndërkombëtar, duke u shfaqur si një vend i rrezikuar nga imigrantët.

Ndërkohë, vala e refugjatëve dhe imigrantëve është shtuar këto ditë. Rreth 7.600 njerëz, kryesisht nga Siria kanë hyrë nga Greqia në Maqedoni brenda një kohë prej njëzetë e katër orësh; nga ora 6 e mbrëmjes së të mërkurës deri në 6 të mbrëmjes së të enjtes, ka bërë të ditur Aleksandra Krause e Komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Kolegët e saj në Greqi kanë njoftuar se imigrantë të tjerë po arrijnë me autobusë në territorin grek. Sipas vlerësimeve, janë mbi shtatëdhjetë mijë refugjatë dhe imigrantë nga Lindja e Mesme që kanë hyrë në Maqedoni brenda dy muajve të fundit.

Ata përpiqen që sa më parë të largohen në drejtim të Serbisë dhe Hungarisë, duke pasur si destinacion të fundit, kryesisht Gjermaninë, por dhe vende të tjera evropiane.

XS
SM
MD
LG