Lidhje

Refugjatët sirianë shikojnë dhunën nga kampi matanë kufirit


Në Kilis, një kamp në kufirin turk, refugjatët shikojnë drejt vendit të tyre, ndërsa dhuna përshkallëzohet vetëm pak kilometra larg

Helikopterët sirianë fluturojnë mbi territorin e kontrolluar nga kryengritësit, herë herë duke hapur zjarr me raketa, që pasohet me shtëllunga të mëdha tymi. Snaiperët e ushtrisë në pika të larta vënë në shënjestër këdo që përpiqet të iki.

Ky është kampi i refugjatëve në Kilis të Turqisë. Flamuri sirian shpaloset në kufi, vetëm disa qindra metra larg kampit.

Herë herë, forcat e qeverisë siriane hapin zjarr matanë gardhit ndarës. Dy veta u vranë dhe 23 të tjerë u plagosën në muajin prill.

“Kushëriri im u plagos në këmbë dhe ende ndodhet në spital”, thotë ky refugjat.
Një mur betoni është ngritur këtu si formë mbrojtëse, i cili tani është shëndruar në një platformë për mesazhe kundër al-Assadit.

Një burrë tjetër tregon shenja në trup si rezultat i torturave në një burg të Sirisë. Tani ai është luftëtar i ushtrisë çlirimtare siriane.

27 mijë refugjatë kanë kaluar kufirin nga Siria, ndërkohë që po veniten shpresat se konflikti mund të marrë fund së shpejti.

Klinikat ofrojnë kujdes shëndetsor për të plagosurit dhe të sëmurët. Këtu ka pak dyqane, dy xhami dhe një lavanderi, të cilat krijojnë përshtypjen e një atmosfere jo të përkohshme.

Rreth 11,500 refugjatë jetojnë në këto kabina, 5-6 veta në një kabinë. Kampi është plot dhe ndërsa rreth 300 refugjatë ikin nga Siria çdo ditë, Turqia po ndërton një kamp tjetër përgjatë kufirit për të strehuar rreth 20,000 njerëz.

Në Kilis, punëtorët turq nuk e lejuan Zërin e Amerikës që të filmonte kanalet e zeza që shkarkoheshin në ambjent të hapur.

Kamionët me avull përpiqeshin të largojnë mizat e shumta.

Megjithë disa ankesa, refugjatët thonë se i janë mirënjohës qeverisë turke që u ofroi strehim. Zemërimi i tyre përqëndrohet në aleatët e Sirisë, si Rusia, të cilët ata i fajësojnë për armatimin e forcave të Presidentit Assad.

“Vende si Irani, Rusia dhe Venezuela mbështesin regjimin e Al-Assadit. Ai është një regjim kriminal. Ne kemi nevojë që të gjitha vendet e botës të jenë miq të popullit sirian, të mbështesin ushtrinë çlirimtare siriane dhe demokracinë, e jo vetëm me fjalë, por me vepra”, thotë ky refugjat.

“Pse Shtetet e Bashkuara nuk përfillim sirianët?Pse Shtetet e Bashkuara nuk ndalin vrasjet e Risisë në Siri”?, pyet ky refugjat tjetër.

Për refugjatët në Kilis, kompleksiteti i politikave ndërkombëtare nuk ka shumë kuptim. Para syve të tyre ata shikojnë vrasjet që vazhdojnë në vendin e tyre matanë kufirit.
XS
SM
MD
LG